Dardha, fshati jetëplotë i turizmit
REPORTAZH
Një nga të rrallët fshatra në Shqipëri me turizëm gjithëvjetor ka fatin të jetë Dardha e Korçës. Ka një lloj trashëgimie të falur nga natyra, atje në mes malesh dhe banorët kanë ditur të përfitojnë këtë bujari. Stina e pranverës me një gjelbërim sa qetësues aq edhe me ajër të pastër. Vera e freskët në lartësinë mbi 1340 metra nga niveli i detit. Vjeshta plot ngjyra e peizazhe piktoreske. Ndërsa stina e dimrit me dëborën ndjellëse për sport e zbavitje. Dhe mbi të gjitha e pandashme ajo paqja që zotëron mes njerëzve e natyrës atje. Dimrit nuk mungon dëbora, aq sa duket se të gjitha njoftimet për bllokimin e mundshëm të rrugëve nuk mund të kuptohen pa informuar edhe gjendjen e rrugës Korçë-Dardhë, si për të sinjalizuar vizitorët e shumtë. Nga viti në vit, këtij fshati malor i shtohen pushuesit dhe frekuentuesit. Afro 35 mijë ka qenë numri i tyre për vitin e kaluar, sipas statistikave që afron shoqata rajonale e Agroturizmit. Dardha i ngjan një zonje të fisme, të cilën po e njohe një herë, e ke të vështirë ta harrosh. Prandaj edhe ata vizitorë që e kanë shijuar këtë fshat turistik nuk vonojnë të rikthehen. Njerëz të politikës, të artit, mediave, etj. e preferojnë vazhdimisht. Falë investimeve në shërbimin hotelerik, por edhe traditave që ruhen në këtë fshat, ka një interesim në rritje për organizimin e aktiviteteve të ndryshme atje siç janë ato për artin e kulinarisë, aktivitete artistike e sportive. Hotelet ofrojnë kushte aq të përshtatshme akomodimi e ushqimi, sa edhe të huajt që kanë qëndruar atje nuk e vlerësojnë më poshtë se hotele të famshme nëpër botë. Vetë dardharët dhe ata që kanë interesa të lidhura me turizmin me këtë fshat janë të kënaqur e të shpërblyer për atë që kanë investuar. Bashkëdrejtuesi i aktiviteteve sportive në një kamping për pistë skish që është hapur pranë fshatit, thotë se rënia e dëborës këtë dimër ka tërhequr vetëm në një fundjavë edhe mbi 100 të apasionuar pas këtij sporti. Të rritur e fëmijë argëtohen të shpenguar tek skipista, ndoshta e vetmja e tillë aktualisht në vendin tonë pasi është zgjidhur edhe lëvizja me teleferik. Prania e të ardhurve krijon atë gjallërinë e jetës që do ti mungonte jashtëzakonisht këtij fshati me afro 37 familje dhe 87 banorë. Dardha afron qetësinë, vlerat e saj si fshat i mirëfilltë turistik, me pasuri natyrore e njerëzore, por ata që e vizitojnë natyrisht i sjellin më shumë zhvillim. Fshati që historikisht ka qenë i dhënë pas migrimit, ndoshta të vetmen dobësi të tij ka atë që popullsia është e plakur. Këtë dukuri e zbusin mysafirët e përhershëm. Vilat e bukura shtohen njëra pas tjetrës, edhe pse dardharët nuk e kanë zakon të afrojnë tokë për ndërtime të reja. Banesat apo shtëpitë më të vjetra me gurrë e çatitë me plloca nuk janë më pak të të çmuara, sepse janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe veçantive të fshatit. Jemi në fshatin me nam të mirë, ku asgjë që është arritur nuk ka qenë e rastësishme. Dardha e ka në damarët e saj traditën shqiptare. Turizmi i ka dhënë shenjat e tij dhjetëra vite më parë, e kjo edhe falë klimës së shëndetshme malore. Që në vitet ' 30-të këtu vinin për verim e pushime njerëzit nga Korça e qytete të tjera. Edhe aty nga mesi i viteve ‘50-të u ngrit një shtëpi pushimi që ende edhe sot vazhdon të ekzistojë si një nga shumë strehat mikpritëse të fshatit. Nuk ka ndodhur asnjëherë që vizitori këtu të mos pritet mirë, duke i afruar mirëdashjen me një gotë raki kumbulle e qëndrimin e përzemërt. Qytetaria e fituar prej banorëve nga emigrimi i hershëm nëpër botë, e trashëguar në kulturën e njerëzve duket se nuk ka humbur në jetën dhe sjelljen e dardharëve. Një muze që është duke u ngritur, e dëshmon më së miri si emancipimin shoqëror dhe vlerat e Dardhës. Banorët kujdesen në gjithçka për fshatin e tyre, dhe ç'është më e rëndësishmja nuk e harrojnë asnjëherë. Edhe kur janë larguar vendlindja e tyre sikur i ka thirrur pranë e ata i janë përgjigjur. Organizimi i festave si ajo që përkujton krijimin e shoqërisë dardhare “Shpresa” me fillesa që ndonjë shekull më parë vazhdon. Dardharët, nga janë e nga s'janë mblidhen në datën 16 gusht dhe festojnë tek një vend që e kanë quajtur Sheshi i Valleve. Se sa tërheqës është ky fshat e tregon edhe qëndrimi në të i një shtetasi gjerman. Peter, kështu quhet ai që prej afro 3 dekadash ka zgjedhur të jetojë sa në atdheun e tij edhe në Dardhë ku ka një shtëpi të vetën. Ai mburret si të jetë një dardhar i vërtetë për fshatin e paqtë ku erdhi dikur si një pushues dhe kuptoi se nuk mund të shkëputej dot më. Në stinën e dimrit këtu e gjen për çdo vit. Si për atë, edhe për banorët e tjerë dëbora e madhe që ka rënë që në fund të dhjetorit nuk përbën ndonjë problem. Merakun që kanë patur për bllokimin e rrugës nga reshjet e kanë hequr, sepse tani ndërhyhet në kohë me mjetet borëpastruese. Vizitorët janë sërish të pranishëm, dhe dardharët kujdesen të bëjnë sa më mirë të jetë e mundur detyrimin e përhershëm si mikpritës fisnikë. Gratë i kanë të siguruara me kohë zairetë, petkat e turshitë, pastërmanë e bulmetin. Nga duart e tyre gatuhet si askund tjetër lakrori me dy petë. Një tjetër traditë kjo që e kanë trashëguar nga nënat e vjehrrat e tyre. Me një mjeshtëri që e dinë vetëm ato e përgatisin lakrorin si ushqimin më të spikatur në Dardhë. Fshati tashmë e ka të vulosur fatin e tij për zhvillim turistik të mëtejshëm, prandaj çdo gjë këtu synohet të jetë në përmirësim të shërbimeve për pushuesit . Një ëndërr e dardharëve mbetet ngritja e një skipiste moderne në të dalë të fshatit, për të cilën u entuziazmuan pak vite më parë. Filloi puna dhe u pastrua pylli në vendin ku mund të ndërtohej kjo skipistë, u afrua edhe një firmë austriake por premtimet nuk janë realizuar ende. Qeveritarët e lartë që vijnë
; në Dardhë japin shpresë se ky projekt do të realizohet. Sepse të gjithë që vijnë këtu, sikur të kishin bërë një marrëveshje interesohen: “Hë çfarë bëtë, a e ndërtuat skipistën?" Fshati turistik i Dardhës, si gjithnjë në stinën e dimrit është i mbuluar nga dëbora që nuk shkrin deri në pranverë. Prandaj infrastruktura akoma jo e plotë për zhvillimin e sporteve dimërore do ta shëndrronte këtë fshat në një nivel zhvillimi europian, njësoj si qendra të tjera të ngjashme turistike gjetiu. Dardha nuk ka zili askënd, përderisa i ka të gjitha potencialet që të jetë fshati model i turizmit shqiptar.
Niko Balli