Dashuri në distancë? Po, është e mundur

Në shoqërinë e ditëve të sotme, historitë e dashurisë në distancë janë gjithnjë e më të shpeshta, edhe pse duhet saktësuar mirë se ç’lloj distance është dhe sa angazhuese mund të jetë.

Nëse çiftin e ndajnë vetëm 200 km, situata është e qëndrueshme, por në të kundërt, nëse bëhet fjalë për distanca të mëdha, nevojitet një përkushtim dhe organizim më i mirë. Të mbash një lidhje në distancë duhet të kesh aftësi të mira menaxhimi për ta drejtuar këtë lidhje dhe të organizosh kohën.

Interneti në ndihmë, por jo vetëm…

Dy të dashur që jetojnë larg njëri-tjetrit i kanë gjërat më të lehta në sajë të zhvillimit teknologjik. Me internetin, postën elektronike dhe celularin në dispozicion mund të jenë në kohë reale më pranë njëri-tjetrit. Për çiftet që janë me mijëra kilometra larg ekzistojnë kompanitë ajrore me pak kosto, që bëjnë të mundur takimet në një kohë të shkurtër dhe me kosto relativisht të ulët. Vështirësia kryesore për një çift që jeton larg njëri-tjetrit është fakti se nuk ndajnë dot përditshmërinë: ndonjëherë u duket sikur bëjnë një jetë të dyfishtë, ajo që jetohet zakonisht vetëm dhe ajo që ushqehet nga momentet me partnerin. Fjala “jetë e dyfishtë” nuk ka aspak kuptim negativ, por përmbledh shkurtimisht marrëdhënien e atyre personave që jetojnë larg të ndarë. Në fakt, asgjë nuk mund ta zëvendësojë afërsinë fizike mes partnerëve, por nëse mundësitë e takimit janë të pakta, atëherë mund të përdoret “afërsia virtuale”. Mënyrat e komunikimit janë nga më të ndryshmet, duke folur në telefon, apo duke përdorur aplikacionet e ndryshme që ofrohen sot. Në këtë mënyrë nuk mungon as argëtimi, mjafton të përdorni imagjinatën.

Nisja e një historie në distancë sjell me vete vështirësi dhe shumë dyshime. Natyrisht që është një situatë delikate dhe ndonjëherë e sikletshme, por që mund të kapërcehet vetëm duke folur dhe duke e dashur me çdo kusht këtë lidhje. Ashtu si çdo gjë në botë, edhe kjo kërkon kohë dhe përkushtim, ndaj partnerët duhet të mendojnë për një ribashkim të shpejtë në të ardhmen, të bisedojnë, të bien dakord dhe të vendosin se cili nga ata do të transferohet te tjetri dhe kur.

Gjithçka mund të arrihet duke pasur respekt dhe besim reciprok. Megjithatë në këtë lloj zgjedhjeje ka edhe disavantazhe: secili nga partnerët, sidomos kur jetojnë larg, ka hapësirat e veta, miqtë që e rrethojnë, angazhimet dhe pasionet e veta. Në këtë mënyrë lidhja është më e paprekur nga tensionet dhe keqkuptimet që krijohen si pasojë e stresit të jetës së përditshme.

Kjo largon mundësinë e mërzitjes që lind nga zakonet, duke e bërë lidhjen në një farë mënyre më intriguese, emocionuese dhe më pak të ekspozuar ndaj zemërimit tradicional të jetës në çift. Gjithsesi, për të mbajtur një lidhje në distancë duhet të jeni tepër të pavarur, përndryshe do të jetë shumë e lodhshme nga ana emocionale.

Distanca midis dy të dashuruarve është e vështirë në çdo lidhje, por kjo nuk duhet të përjetohet e shihet si diçka negative, sepse mund të ketë pasoja për partnerët dhe marrëdhënien. Ndaj duhet të mendoni pozitivisht dhe të vlerësoni çdo moment që kaloni me partnerin. Fundja ekspertët kanë konstatuar se si në lidhjet në distancë ashtu edhe në ato normale, ekziston intimiteti, besimi, përkushtimi dhe kënaqësia. Përparësia më e madhe e lidhjeve në distancë është pavarësia e partnerëve: në fund të fundit, qëllimi i çdo lidhjeje është edhe kompromisi, jo vetëm sakrifikimi.

SHKARKO APP