Dashuri në shtëpinë e të moshuarve (histori personale)

Dallgët e jetës janë shpeshherë aq të forta sa të trondisin rëndë, po njeriu ka treguar gjithmonë se brenda tij ka një dritë, e cila mund ta mbajë shpirtin ngrohtë. Fatimja dhe Aseriu janë dëshmi jo vetëm e mbijetesës, por edhe e dashurisë. Janë dy të moshuar që vitet e fundit të jetës po i kalojnë në shtëpinë e të moshuarve në Fier. Fatmija, një grua mjaft energjike dhe plot humor, pas vdekjes së bashkëshortit dhe shitjes së shtëpisë mbeti krejtësisht e vetme dhe pa para. Nga martesa e saj, ajo nuk pati fëmijë, ndaj dhe e vetmja strehë për të mbeti Shtëpia e të Moshuarve. Edhe pse jetonte më parë në Tiranë, ajo zgjodhi të qëndrojë në Fier. Aty njohu Asiriun, burrin vlonjat i cili ia lehtësoi dhimbjen me përkujdesjen ndaj saj. 

Fatime Mici:
Ai ishte në dhomën matanë, unë në dhomën matanë. Bënim muhabet, rrinim, dilnin në një lokal pinim kafe, limonadë…
Klodiana Kapo:
Të qerasi ai?
Fatime Mici: Po, sigurisht, gjersa jetoj me atë këtu…
Klodiana Kapo: Pse të pëlqeu?
Fatime Mici: Se ishte njeri i urtë, i ndershëm, me karakter. Një natë, ishte 8 Marsi, i bën pyetje Asiriut: ‘e do ti’? ‘Po, e dua’, tha ai. Edhe unë e dua, thashë. Kaq ishte muhabeti. U dashuruam, u dashuruam në pleqëri (qesh).
 
Asiriu dhe Fatimja jetojnë në një dhomë që për ta është shtëpia e tyre. Me paratë e pensionit, ata kujdesen që të blejnë ushqimet që pëlqejnë, rrobat e reja, kafet dhe gazetat që tashmë janë një ritual i përditshëm.
 
Klodiana Kapo: Je e kënaqur që ke gjetur në këtë moshë një shok?
Fatime Mici: Po, po e kënaqur jam. Me Asiriun kam shtatë vjet, që nuk janë pak. Ja dhuratat me lule…
Klodiana Kapo: Ai t’i sjell?
Fatime Mici: Po, ai…
Klodiana Kapo: Është romantik? Fatime Mici: Është i mirë, moj… (qesh)
Në moshën e tyre, problemet shëndetësore janë të shpeshta, Fatimja tregon se ata përkujdesen për njëri­tjetrin dhe përpiqen të harrojnë problemet e jetës të cilat shpesh i kanë lënduar rëndë. “Të mban mbi krye nipi? Të mban motra? Fisi? Nuk të mban njeri sot. Arrita të bëj dokumentet në fshehtësi dhe kam ardhur duke qeshur. Ishte qeshje marazi… kam dashur vet të qëndroj në Fier, edhe pse më thanë për në Tiranë…”, tregon historinë e saj, Fatime Mici. Dashuria për jetën, por edhe për vetën, i ka bërë që ata të thyejnë paragjykimet e njerëzve, por edhe të banorëve të tjerë të kësaj shtëpie. “Derisa kam arritur në këtë pikë do të thotë që e dua. Edhe nipat e kanë kuptuar pas vdekjes së motrës… unë e dua, pikë muhabeti”, vazhdon rrëfimin Fatimja. Asiriu, ky burrë që i ka kaluar të 70­at e që në rini ka qenë futbollist, nuk i ka qejf kamerat dhe gazetarët, por Fatimja di si ta bëjë pjesë të këtij rrëfimi. Largohemi të bindur se në këtë shtëpi mëshimi, ku një pjesë e madhe e njerëzve qëndrojnë të heshtur në vetminë e tyre, lamë pas një dritë shprese dhe dashurie .

SHKARKO APP