“Debat pa frikë ndëshkimi”, ish-anëtarja e PS vlerëson drejtimin e Benet Becit
Një reagim i fortë ka ardhur nga Blediana Nika Osja, ish-anëtare e Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste në Shkodër, e cila përmes një postimi publik ka komentuar mënyrën e re të të bërit politikë në qytet.
Sipas saj, për herë të parë brenda Partisë Socialiste dhe në radhët e mbështetësve të saj, ekziston hapësira për debat të lirë, pa frikë ndëshkimi apo përjashtimi për mendim ndryshe.
“Për herë të parë mund të bësh debat pa frikën se ndëshkohesh. Shkodra ka sot një kryetar që qëndron mbi palët, pa shtypur, pa kërcënuar dhe pa sharë askënd, as brenda radhëve dhe as jashtë tyre,” – shprehet ajo.
Blediana Nika Osja thekson se kjo qasje nuk është rastësore, por një filozofi drejtimi dhe edukimi e rrënjosur thellë në kulturën e atij që udhëheq me urtësi dhe mend.
Në reagimin e saj, ajo shprehet se për të parën herë janë shfaqur qartë modelet politike që kanë sunduar për dekada, duke i cilësuar si një mendësi që ka penguar zhvillimin e qytetit.
Sipas saj, të bësh oponencë politike duke kërkuar ndihmë nga inteligjenca artificiale për të sulmuar çdo punë apo qëndrim, është tregues i mungesës së vizionit dhe një garanci për vendnumëro politik.
“Drejtimi i qytetit nuk vjen si dëshirë e disa individëve, por si nevojë e shumicës. Sot shumica në këtë qytet është e qartë,” – shkruan ajo, duke shtuar se mbështetja reale qytetare është për kryebashkiakun Benet Beci.
Në fund të reagimit të saj, Blediana Nika Osja ironizon mënyrën e re të të bërit politikë nga kundërshtarët, duke theksuar se disa zgjedhin rrugën e propagandës artificiale në vend të përballjes reale me qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

