Debate në Këshillin e Imunitetit për çështjen “Balluku”, Balla i drejtohet Bardhit: Jeni qesharakë!
Këshilli i Imunitetit është mbledhur sot për të shqyrtuar imunitetin e deputetes Belinda Balluku.
Nga mediat mësohet se kjo mbledhje është shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Demokratët kanë kërkuar që kjo mbledhje të mbahet me dyer të hapura, gjë që nuk është pranuar nga socialistët.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshehni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje”, ka thënë kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar i PS Taulant Balla i është përgjigjur Bardhit duke i thënë se habitet si PD është kundër kërkesës së Prokurorit që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura.
“Kërkesa është e qartë, prokurori e do me dyer të mbyllura. Jeni qesharakë, thoni duam pikën 1 dhe nuk duam pikën 2 të të njëjtës kërkesë nga prokurori. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, është shprehur Balla.
SPAK përfaqësohet në këtë mbledhje nga tre prokurorë, drejtuesi i institucionit Klodian Braho si dhe dy prokurorët që po hetojnë zv.kryeministren, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Po në mbledhje janë edhe avokatët e Ballukut, Pamela Qirko dhe Ardian Kalija.
KOHA JONË SONDAZH

