Debatet e shtatorit dhe një gënjeshtër estetike e Bashës

Nga Ardit Rada


Me mbarimin e pushimeve verore, që u shoqëruan me limonatë-debatet e stinës, duket se palët politike janë pozicionuar qartazi në istikamet përkatëse për ta qëlluar kundërshtarin me ç’ti zërë dora. Por këtë radhë duket se ka një qëndrim ndërkombëtar, që me zemër cilido qytetar uron të mos jetë shoë i radhës i përveshjes së mëngëve të ambasadorëve para kamerave. E megjithatë, me apo pa ndikimin e të huajve, lufta kundër kultivimit dhe tregtisë së drogës ka sjellë sa shifra të papritura, po aq edhe risi që lidhen kryesisht me fluturakët Shqipëri-Itali. 

Aktiviteti i sotëm i qeverisë ishte i tepërt për të pasqyruar diçka të dukshme për cilindo, qoftë edhe sikur vetëm të konsiderojmë ‘shkretimin’ e Lazaratit, aksion ky që ka kënaqur shqiptarë e miq të tyre. Por, të nevojshëm aktivitetin më shumë sesa për efekt informimi e bëri Partia Demokratike, që duke nxjerrë këtë radhë kryetarin e saj si barazpeshë me rëndësinë e ambasadorit italian dhe atij amerikan, i vuri vulën se së paku kjo parti nuk ka hequr dorë nga mundësia e gënjeshtrës publike që te jep demokracia.

Kësisoj, Basha duke u përpjekur ta zejë diellin me shoshë, në formë krahasimore tha se qeveria nuk kishte përse të bënte një event të tillë e t’i jepte rëndësi kaq të madhe. Pasuesi i Berishës në krye të partisë tha shkurt, saktë, pastër e pa gabime se megjithëse PD e futi Shqipërinë në NATO dhe bëri liberalizimin, nuk organizoi shfaqje të tilla. 

Këtë mungesë atmosfere festive në vitet 2008, kryedemokrati e justifikoi me togfjalëshin ‘nuk ka përse, ne bëmë vetëm detyrën”. Përfshirë nga skleroza profesionale e politikanit dhe nga dëshira për ta mbushur fjalimin me formulën ‘1 e vërtetë, 2 gënjeshtra’ që rrjedh nga origjina e paraardhësit, Basha mohoi milionat e hedhura për të kremtuar pikërisht dy sukseset e sipërcituara. 

Është tepër herët për të harruar “This is a miracle of freedom”-in e mumjes politike që u kthye në slogan sa inspirues, po aq edhe qesharak. Dhe pikërisht ky slogan që u afishua kudo, shoqërohej nga flamuj të mëdhenj e pankarta gjigante në ballin e TKOB, në ballin e Kryeministrisë etj.

Gazetat pranë qeverisë së shkuar madje shkruanin kështu “Në trotuarin para selisë së Kuvendit, prej ditësh qëndrojnë të rreshtuara 26 tabela me mbishkrimin “Ratifikuar”… 

Dhe sikur të mos mjaftonte ky spektakël ngjyrash e parrullash, një vit më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ kulmoi qeveria dhe krerët e saj plot shënd e verë, me përkujtimoren e radhës me aheng. A u përsërit e njëjta situatë me liberalizimin e vizave? Se ç’ke me të! Aq sa njerëzit merrnin rrugën e Elbasanit pasi lexonin tabelën ‘Amsterdam’ dhe për t’u kthyer duhej të ndiqnin ‘Berlin”-in.

Ndaj, në gënjeshtra të tilla që lidhen me estetikën dhe skenografinë nuk ka pse përfshihet një palë politike e për më tepër kreu i saj. Nëse do të ndjekë debatet e shtatorit, krahas akuzave t’ua përplasë në tryezë dosjet me propozime si mazhorancës, ashtu edhe atij që e kemi pagëzuar me fjalët ‘faktori ndërkombëtar’. Sot, opozita e ka harmonizuar akuzën në tri pole duke aritkuluar se në kohën kur ajo qeveriste kishtë më pak drogë dhe seriozitet më të lartë në luftën ndaj trafikut. Duke akuzuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm dhe duke hedhur dyshime se shifrat e operacioneve po manipulohen qëllimisht. Burimi i informacionit? Zagani i shpallur në kërkim,  ato që u shkruajnë Berishës në Facebook dhe ndonjë me sklerozë që i bën fjalimet Bashës.

 

SHKARKO APP