Debati në Kuvend, Berisha: Bashkitë u shkrinë, investimet u zhdukën dhe qytetarët nuk dëgjohen
Kreu i PD, Sali Berisha ka kritikuar në Kuvend reformën e re territoriale të propozuar nga mazhoranca për 46 bashki, duke e akuzuar atë se po injoron kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve. Berisha solli reforma e mëparshme territoriale, veçanërisht në zonat ku komunat dhe bashkitë u shkrinë.
Ai pretendoi se këto ndryshime u shoqëruan me një rënie drastike të investimeve publike. “Ju nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar qëndrimin e mazhorancës si një akt armiqësor ndaj qytetarëve.
Sipas kreut të PD, njësitë e qeverisjes vendore nuk janë thjesht struktura administrative, por kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe investimet në territor. “Ju nuk njihni realitetin”, u shpreh Berisha, duke shtuar se në zonat ku u hoqën komunat dhe bashkitë, investimet “zbritën në zero”.
Berisha akuzoi mazhorancën se me ndryshimet e reja po largon më tej shërbimet dhe qeverisjen nga qytetarët, ndërsa e mbylli fjalën e tij me kritika të forta ndaj mënyrës se si po trajtohet reforma territoriale në Kuvend.

