Degjenerimi i ndërgjegjes intelektuale shqiptare

Nga Viron Bezhani

Ndërgjegjja intelektuale ka një shkallë të lartë pavarësie nga të tëra strukturat shtetërore, pasi nëpërmjet saj analizohet e sotmja dhe paralajmërojmë të ardhmen. Ne i kemi ende në mendje fillimet e demokracisë, ku në fillim prinë artikujt e intelektualëve për të sulmuar komunizmin dhe figurën e Enver Hoxhës. Këto ishin kambanat e para, pasi ato u pasuan me grevat që kishin kërkesa politike. Në kohën e diktaturës, ndërgjegjja intelektuale jetonte me ankthin e frikës nga sigurimi i shtetit. Mijëra ëndrra u shuan, mijëra vargje nuk u kënduan, mijëra faqe nuk u shkruan, mijëra ide humbën dhe mijëra pasione u venitën nga frika e diktaturës. Ata që guxuan të shpreheshin provuan burgun dhe torturat më të egra të komunizmit. Inteligjenca u shndërrua në një damkë sociale, pasi pa “vulën” e Partisë ajo nuk mund të ekzistonte.

Ajo që më habit sot është se individët që i kanë shërbyer sistemit të diktaturës dolën përsëri në skenë. Madje ata janë sërish në krye, por këtë herë me një fytyrë tjetër. Këtyre individëve është dobësi t’u besosh në ditët e sotme, teksa kanë marrë flamurin e atyre që sulmojnë të kaluarën në emër të së ardhmes, kur e kaluara e hidhur, e shëmtuar dhe mjerane janë vetë ata. Është qesharake kur sheh ende këta politikanë që nuk u bën përshtypje e kaluara e tyre e njollosur dhe sot, në demokraci, ngrenë sërish zërin ashtu si dikur në komunizëm. Ata janë individë që i gjen në çdo shtresë dhe radhë të jetës shoqërore shqiptare, individë që kanë frikë nga vetja e tyre. Ata bëjnë kompromise të shëmtuara në dëm të personalitetit të tyre dhe në dëm të shoqërisë, pasi kanë frikë se mos humbasin gjithçka, deri edhe vendin e punës, po të shprehin mendimet e tyre të vërteta.

Periudha 25-vjeçare e demokracisë me tërë mekanizmin e saj, ende sot nuk arrin të mposhtë shumë intelektualë, që nuk i tradhtuan dot bindjet e tyre. Më kujtohet shumë mirë babai im, që shkruante artikuj të ndryshëm si dhe skeçe me pseudonimin “Lulo Fterra”, pasi diktatura nuk i lejonte. Por sa e sa intelektualë të tjerë e kanë bërë të njëjtën gjë gjatë diktaturës, pasi nuk u pajtuan kurrë me atë sistem dhe kërkonin që ideja e tyre të triumfonte. Po sot, pushtetarët a janë në shërbim të inteligjencës? Përkundrazi, ata po e persekutojnë inteligjencën përsëri, pasi për vite me radhë kanë qenë elementë që nuk mund t’i besonin drejtimin e shtetit.

Në krye, në poste të ndryshme, kemi pasur politikanë apo njerëz të pushtetshëm me diploma false, që me paaftësinë e tyre nuk arrinin të drejtonin dot, duke shtrembëruar realitetin. Edhe sot, pas 25 vitesh demokraci, sërish partitë emërojnë njerëz të paaftë në punë pasi kanë një teserë, duke lënë intelektualin dhe të shkolluarin jashtë porte. Kemi njerëz që bredhin nga një parti në tjetrën për hir të postit, karrierës, karriges apo interesit personal dhe nuk përçojnë të vërtetën. Kemi intelektualë klientelistë, që prostituojnë ndërgjegjen e tyre për hir të favoreve personale, duke fshehur realitetin pas nderit të shefit dhe nuk ngrenë zërin për mashtrimin.

Këto dhe shumë raste të tjera sot po dëmtojnë demokracinë, e cila nuk po arrin të ecë në shinat e duhura. Intelektuali i vërtetë është ai që bëhet zëri i së vërtetës, gjykuesi dhe përçuesi i ngjarjeve dhe fenomeneve që ndodhin në shoqërinë tonë, pa u ndikuar aspak nga politika dhe interesa të tjera personale. Ndërgjegjja e një intelektuali duhet në radhë të parë të jetë e pastër dhe të luftojë me vetveten për hir të interesave të komunitetit që ai i shërben, duke mos rënë pre e politikës, burokracisë e mashtrimit. Kjo është edhe arsyeja se përse intelektualët e vërtetë emigrojnë jashtë shtetit dhe zëri i tyre, zëri i së vërtetës mbetet i shurdhër.

Por sot shoqëria po vuan nga mungesa e zërit të së vërtetës dhe e intelektualit serioz, i cili mund të ndikojë në konsolidimin e demokracisë shqiptare. Por deri kur ndërgjegjja intelektuale për pavarësi do të na zërë sytë dhe nuk do ta lërë të ecim përpara? Ndaj me keqardhje them se ndërgjegjja intelektuale sot ka degjeneruar dhe vështirë se do të fitojë ndonjëherë lirinë e saj.

SHKARKO APP