Dëgjoje dhe zërin Tonë!
Pyjet e vendit tonë, krahas dobive ekonomike për lëndën dhe drutë e zjarrit, për prodhimet jodrusore e bimët mjekësore dhe bazën ushqimore për blegtorinë, shtrojnë dhe funksione ekologjike, mbrojtëse e rikrijuese të pazëvendësueshme, përfshirë ndikimet ndaj ndryshimeve klimatike.
Por, fatkeqësisht ende vazhdon shkatërrimi masiv i pyjeve me anën e prerjeve të kundërligjshme e zjarreve, prodhim qymyri për eksport, shpesh me qëllime kriminale, të mbështetur nga korrupsioni i organeve shtetërore dhe atyre pyjore.
Fondi pyjor (gabimisht të shprehur si pyje) zë rreth1milion ha, prej të cilit 450,000 ha quhen si pyje të vlefshme, 300,000 ha pyje të degraduar dhe 250,000 ha shkurre. Por, pyjet e vlefshme figurojnë në letra, pasi me mijëra hektarë vetëm pyje pishe të djegur, të cilët nuk ripërtërihen vetiu pas djegies, nuk janë hequr nga kadastra e fondit pyjor. Problem i mprehtë mbetet sigurimi i druve të zjarrit në fshat dhe qytet.
Pasojat në pakësimin e rezervave drusore, në erozionin e tokës etj., janë katastrofike. E tillë gjendje e rëndë shihet sidomos në pellgun e Drinit, dhe ky është shkaku kryesor i përmbytjeve të përvitshme në zonën e Shkodrës e të Lezhës. Pylli shtetëror konsiderohet si “mall pa zot”.
Mangësi të ndjeshme vërehen në ligjin për pyjet, i cili nuk është i qartë e i plotë, me përqendrim kompetencash, pasiguri ligjore për përdoruesit tradicionalë etj. Mangësi ka në organizimin e sektorit pyjor, me 36 drejtori shërbimi pyjor (edhe rrethi i Peqinit me 800 ha pyje e shkurre të degraduara ka DSHP), ku vetëm tre drejtorë janë specialistë pyjesh, 33 të tjerët militantë partiakë si shoferë, muzikantë, doktorë etj.
Gjatë viteve të fundit, rreth 44. 4 % e fondit pyjor, përgjithësisht shkurre e pyje të degraduar në afërsi të fshatrave, janë transferuar në pronësi të komunave e bashkive sidomos për përdorim nga fshati dhe familjet fshatare. Në 251 komuna/bashki janë ngritur shoqatat e pyjeve dhe kullotave komunale (SHPKK), të mbështetura nga projektet e Bankës Botërore, USAID, CNVP dhe Sida. Por, procesi i transferimit u bë i shpejtë e i pastudiuar, vetëm në letër, nuk u shoqërua me kalimin përkatësisht të mjeteve, pajisjeve, fondeve, bazës dokumentare, personelit etj.
Ende procesi është në mes të rrugës pasi në shumicën e komunave prona nuk ka vajtur deri tek përdoruesi tradicional (fshati, familja), ata nuk kanë asnjë dokument që të vërtetojë të drejtat e tyre ekskluzive të përdorimit dhe nuk kanë të drejtë të shesin prodhime pyjore për të rritur të ardhurat. Edhe ligji i ri për pyjet po hartohet në rrugë jotransparente, pa analiza të gjendjes, pa platformë të miratuar dhe pa pjesëmarrjen e duhur të palëve.
Me gjithë rëndesën e problemeve të përmendura më lart, ekzistojnë premisat dhe mundësitë për rehabilitimin e gjendjes dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të pyjeve. Shërbimi pyjor ka akumuluar përvoja të vlefshme për ruajtjen dhe shtimin e pyjeve.
Në mjaft zona ka tradita të pasura për qeverisjen e pasurive vendore, ruajtjen e pyjeve, përdorimin e ujërave, zbatimin e praktikave të vlefshme për qeverisjen e tyre dhe në disa zona kjo është pasqyruar në kodet zakonore.
Atje ku pylli është zotëruar nga përdoruesit tradicionalë (fshati, familjet) është ruajtur e zhvilluar më së miri, pasi “ka zot”. Ndihmesë mjaft të vlefshme po japin disa projekte të huaja me fonde falas apo kredi.
Për ndryshimin rrënjësor të situatës, thellimin e reformave dhe rilindjen e pyjeve, propozojmë këto masa:
1. Sektori i pyjeve dhe kullotave të rikthehet në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë, ku të krijohet e funksionojë Agjensia ePyjeve dhe e Kullotave, si strukturë më vete në varësi të Ministrit. Kjo, sepse toka bujqësore, pylli dhe kullota kanë qenë gjithnjë së bashku baza e kushteve për jetesë të fshatarit tonë, si dhe për një bashkërendim e qeverisje më të mirë të pasurive natyrore.
2. Ligji i ri për pyjet të hartohet, me role, përgjegjësi dhe kompetenca të qarta për mbarështrimin e pyjeve shtetërore, të pyjeve komunale dhe atyre private.
3. Të rishikohet Strategjia për Zhvillimin e Pyjeve dhe Kullotave në përputhje me ndryshimet e kohëve të fundit dhe të përfshihet në Strategjinë e Zhvillimit Rural, sikurse rekomandohet dhe nga politikat dhe konventat europiane.
4. Të planifikohet dhe të kryhet inventarizimi i ri i pyjeve, ku të pasqyrohet gjendja reale dhe të përcaktohen masat për zhvillimin e mëtejshëm e të qëndrueshëm të tyre.
5. Komunat/bashkitë, në bashkëpunim me Ministrine dhe Agjensine e ITPP, të rishikojnë sipërfaqet e transferuara të pyjeve dhe kullotave komunale dhe të propozojnë transferimin dhe përfshirjen në pronësi të komunave ose bashkive të të gjithë tokave të zhveshura e improduktive, të kullotave, të sipërfaqeve tokë pyjore e shkurreve, si dhe të atyre pyjeve të mbetur në administrim të shërbimit pyjor por që është më e leverdishme të kalojnë në përdorim komunal të fshatit dhe familjeve rurale. Të mbeten shtetërore: parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura, masivet pyjore me rëndësi kombëtare të pyjeve të lartë dhe të ulët, brezi pyjor fushëmbrojtës bregdetar nga Vlora në Velipojë, pyjet mbrojtës të pellgjeve ujëmbledhës të tokës anës lumenjve, liqeneve, anës rrugëve automobilistike e hekurudhore, me rëndësi kombëtare.
6. Të saktësohen, miratohen e ligjërohen kufijtë e pyjeve dhe kullotave komunale midis NJQV-ve, fshatrave e përdoruesve. Ngastrat e pyjeve dhe kullotave komunale t’i jepen zyrtarisht në përdorim përdoruesit (fshatit, familjes rurale), duke zbatuar të drejtën tradicionale zakonore, dhe të regjistrohen në ZRPP; shpenzimet të përballohen nga shteti.
7. Përdoruesit komunalë (fshati, familja rurale) të kenë të drejta ekskluzive përdorimi mbi pyjet dhe kullotat e dhëna në përdorim, të kenë të drejtë të shesin prodhimet drusore e jodrusore që rezultojnë nga pylli e kullota e dhënë në përdorim, si dhe nga pyjet e kullotat shtetërore që u jepen për shfrytëzim sipas kritereve e rregullave të caktuara, për zbutjen e varfërisë dhe shtimin e të ardhurave, sidomos në zonat e varfra rurale.
8. Për përdoruesit tradicionalë (fshat, familje rurale), kur shihet se i ruajnë dhe i mbarështrojnë si duhet pyjet e veta, t’u bëhet kalimi nga përdorimi në pronësi, sipas kritereve të caktuara. Po ashtu, fshati me ligj të ketë pronat e veta publike (pyjet, kullotat, burimet e ujit, përrenjtë, guri, rëra e zhavori, peshku etj.).
9. Komunat/bashkitë të krijojnë njësitë e mbarështrimit të pyjeve e kullotave komunale me specialistë pyjesh të kualifikuar ose t’ua delegojnë kompetencat përkatëse njësive të tjera fqinje që kanë specialistë të tillë.
10. Shoqatat e përdoruesve të pyjeve e kullotave komunale dhe federatat e tyre të mbështeten teknikisht e financiarisht nga shteti për kualifikimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit, për hartimin dhe zbatimin e planeve të mbarështrimit të qëndrueshëm të pyjeve e kullotave komunale.
Të angazhuar për zbatimin e reformave në pyje e kullota, Federata Kombëtare e PKK shpreson në mbështetjen tuaj të plotë për të thelluar reformat për decentralizimin e qeverisjes së pyjeve dhe kullotave, afrimin e tyre sa më afër përdoruesve, me synim rritjen e mirëqenies sidomos në zonat e varfra rurale, si dhe mbrojtjen më të mirë të mjedisit në vendin tonë.
Prof.dr Vezir Muharremi, Rexhep Ndreu, Albora Kacani
Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale