Demokratët shkruajnë emrin e Salianjit në fletën e votimit, ish-deputeti: Po braktisin farsën e uzurpimit nga Berisha
Demokratët e pakënaqur me Sali Berishën, nuk kanë hezituar që t’i çojnë një mesazh në këtë ditë të zgjedhjeve pa garë në PD për kreun e partisë. Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, një nga të përjashtuarit nga gara, ka publikuar disa foto në Facebook, ku demokratët në fletën e votimit nuk kanë votuar për Sali Berishën, por kanë shkruar emrin e Ervin Salianjit. Ky i fundit u shpreh mirënjohjen që braktisën farsën e uzurpimit.
Postimi i plotë
Falënderim dhe mirënjohje për çdo demokrat që sot ka zgjedhur të shënojë qartësisht preferencën e tij. Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale. Ju jam mirënjohës secilit nga Shkodra në Korçë, Vlore, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhë, Durrës e Tiranë. Nga çdo degë po vërshojnë reagimet dhe fotot e fletes se votimit!
Falënderim edhe për mijëra demokratë të tjerë që e kanë braktisur dhe përbuzur farsën e uzurpimit të Partisë Demokratike për interesa personale. Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet.
Këto mesazhe janë më shumë se mbështetje personale. Janë një refuzim i frikës, i imponimit dhe i shndërrimit të PD-së në një strehë për interesa personale! Ne nuk dorëzohemi. Do ta çmontojmë këtë farsë me kurajo, me demokratë të lirë dhe me besimin se Partia Demokratike do t’u kthehet anëtarëve dhe qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

