Dëmshpërblime, apo ndihma për të përmbyturit..?

Nga Zef Shtjefni

Dëgjova mbrëmë dhe parmbrëmë Kryeministrin t’u jepte kurajo njerëzve të përmbytur me fjalët: “Do t’u shpërblejmë dëmet nga përmbytjet ”. Siç dihet, Vjosa dhe Shkumbini, së bashku me përrenjtë e jugut, si rrallë më parë, janë tërbuar këto ditë dhe kanë përmbytur ç’kanë gjetur përpara, nga Gjirokastra në Kakavijë dhe nga Novosela në Rrogozhinë. Ndoqa dhe qëndrimin e Opozitës, e cila për të parën herë tash një vit e gjysmë, përmes Spahos, u bëri thirrje ndjekësve të PD-së, që të rrinë pranë autoriteteve. Por megjithë këtë deklaratë formale, dy B-të e PD-së, dukej sikur harboheshin nga gëzimi që Qeverinë e majtë po e ndjekin fatkeqësi të tilla dhe nuk po gjenin dot frazën e duhur për ta akuzuar atë për përmbytjet. Për ironi të fatit, kësaj here ato nuk ishin në veri, por në jug të vendit. Po të ishin në veri përmbytjet, sigurisht do ia linin fajin Qeverisë, për t’u hakmarrë ndaj kritikave të multipërmbytjeve të Shkodrës, që e bënë Jozefinën të kalonte shije veneziane, mbi barka rrugëve të qytetit të vet. Por ajo që i ngroh pak zemrat e trishtuara të shqiptarëve në këtë panoramë të trishtë të këtyre ditëve plot stuhi e përmbytjeve jo të zakonta, ishin fjalët konfortuese të Kryeministrit tonë, se Qeveria do të evidentojë dëmet dhe do t’i dëmshpërblejë ato. Megjithatë një pyetje më doli ashtu vetëvetiu: çfarë dëmi u ka bërë Qeveria e sotme këtyre njerëzve të mjerë, që Qeveria do t’i dëmshpërblejë!? A nuk po përpiqet ajo me të gjitha forcat, mjetet dhe energjitë njerëzore të policisë dhe ushtrisë së saj për t’i ndihmuar ata! Pse Kryeministri nuk u thotë njerëzve të shkretuar nga gjithçka kishin, se Qeveria do t’i ndihmojë me çfarë ka mundësi, medoja, po u thotë do t’ju dëmshpërblejmë? Por nuk gjeja përgjigje dhe nuk e kuptoja nëse është lapsus i Kryeministrit, apo ka kuptim të thellë kjo fjalë. Nuk është se kam ndonjë lloj nostalgjie as për shtetin dhe as për Qeveritë e Partisë së Punës. Uroj që jo vetëm era e tyre, por as ajo e Sirizës greke të mos kalojë mbi këtë tokë, për idiotësitë e tjera që kanë bërë, jo për përmbytjet. Qeveritë e PPSH-së nuk i lanë fshatarët të ndërtonin shtëpitë në mes fushave e në rrëzë të ujërave, por as nuk i lanë tokat e Shqipërisë të përmbyten dhe as blegtorinë të shkretohet në këtë mënyrë të llahtarshme. Ajo që po ndodh sot në jug të vendit dhe që dje ndodhte në veri; ajo që nesër mund të ndodhë gjithëandej, nuk ka të bëjë dhe aq shumë me inatin e zotit ndaj nesh, por ka të bëjë me prishjen e gjithë strukturës organizative të shtetit, me shembjen e themeleve të tij, me shkatërrimin e bazave të ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Vendi dhe njerëzit tanë janë shakull në diell e në shi, janë në mëshirë të fatit dhe të zotit, janë braktisur nga shteti i tyre tash 24 vjet. U prishën ndërmarrjet shtetërore, që merreshin me kullimin e vaditjen, u shkatërruan e shfarosen pyjet, u gërryen e shkatërruan përrenjtë e lumenjtë, u prenë vreshtat, agrumet e ullishtet, u taposen kanalet kulluese e vaditëse së bashku me stacionet e tyre të pompimit, u mbushën fushat dhe bankinat me shtëpi e kasolle, u shkatërrua ushtria e policia, u ngritën në vend të tyre 385 bashki e komuna, që zhdukën pa lënë gjurme dhe sistematikisht çdo fond që erdhi për rimkëmbjen dhe mirëmbajtjen e vendit. Qeveritë e Rrumpallës, gjëja më e madhe që bënë gjithë këto vite, më duket, ishte krijimi i iluzionit në popull se tani kemi fituar lirinë. Ndaj populli me ta u bë zot i fateve të tij dhe mund të shkonte nga të donte e bënte ç’të donte. Kështu shteti ynë i Rrumpallës i lëshoi shqiptarët si kope të kohërave primitive, ku tamam si në xhungël, kush ishte më i zoti, u turr e zaptoi një copë tokë fushave të Kamzës e Bathores, Lezhës e Durrësit, Shkodrës e Vlorës, Maliqit e Myzeqesë, duke braktisur e shkatërruar anë e mbanë pyjet, lumejtë, përrejtë, punët dhe pasuritë e gjithë vendit, me të cilat kanë jetuar brez pas brezi. Mbase edhe në emër të Qeverive së Rrumpallës, që gjithsesi ishin qeveritë e Shqipërisë, Kryeministri Rama u thotë këto ditë njerëzve të mjeruar nga përmbytjet në jug, se do t’u dëmshpërblejmë. Unë do të preferoja që Ai t’u thoshte atyre se Qeveria do t’ju ndihmojë me të gjitha mundësitë, pasi në të vërtetë këtë po bën çdo orë e çdo ditë. Por nëse Kryeministri flet dhe për dëmet që Qeveritë e Rrumpallës i kanë shkaktuar këtyre njerëzve dhe këtij vendi, ato mendoj se është shumë vështirë që të shpërblehen më. Megjithatë nuk e thonë kot italianët se: “çdo popull meriton qeverinë që ka”.

SHKARKO APP