Deputetet, lobim në trevat shqiptare për të drejtat e grave

 

Aleanca e Grave Deputete të Kuvendit të Shqipërisë (AGD), në Tetovë, Kumanovë, Preshevë-Prishtinë, për të drejtat e grave shqiptare

Nga Manjola ZEKA

E kanë thënë shpesh gjatë takimeve që kanë zhvilluar, se së bashku mund t’ia dalin. Dhe këtë herë, synimi i Aleancës së Grave Deputete të Kuvendit të Shqipërisë ishte lobimi për të drejtat e grave shqiptare në të gjitha trevat shqiptare ku ato jetojnë. Kjo sfidë e re e tyre la pas krahëve përkatësinë politike të secilës, duke bërë bashkë në një udhëtim 2-ditor deputetet Mesila Doda, e cila është edhe kryetare e AGD e iniciatore e kësaj nisme; Mimoza Hafizi, nënkryetare e AGD; Albana Vokshi, kryetare e komisionit parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; Edlira Çerkezi, deputete e LSI; Anila Agalliu, deputete e PS; Mimoza Hajdarmataj, deputete e PD; Arbiola Halimi, deputete e PS; Albina Deda, deputete e PD.

E jo rastësisht e nisën me Tetovën, pasi atje i priste një grua, një zonjë, e cila për herë të parë ka sfiduar burrat, duke marrë votat si drejtuese Komune. Nën drejtimin e znj. Teuta Arifi, një grua që rrezatonte mirësi dhe pozitivitet, ajo “shtëpi e madhe e popullit” ishte plot gjallëri. Stafi i saj mezi priste që deputetet nga Tirana, të mbërrinin aty. Telefonatat e shumta që bënë gjatë rrugës, e dëshmojnë këtë më së miri. “Alo, po njoftojmë nga Kabineti i znj. Arfi, gjithçka po ecën mirë…”.

Teksa gazetarët kishin zënë vend dhe ishin kureshtarë për të mësuar mbi vizitën e deputeteve të Parlamentit shqiptar, në një prononcim të përbashkët me ta, zonjat Arifi, Doda dhe Hafizi njëzëri konfirmuan bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona. “Me Kushtetutë, Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë e ka për detyrë të interesohet për mirëqenien e shqiptarëve kudo ku jetojnë. Gruaja dhe kombi janë si dy fletët e shqiponjës që ne kemi në flamur dhe që duhet të rriten së bashku. Seancën e ardhshme plenare të 8 marsit me deputetet shqiptare mund ta zhvillojmë në Tetovë”, tha nga ana e saj, deputetja Mesila Doda.

Ndërsa znj. Arifi, duke vlerësuar nismën e Aleancës së Grave Deputete në Parlamentin e Shqipërisë për të bashkëvepruar për rritjen e përfaqësimin të grave në jetën politike dhe publike tha se “jemi në një kohë që logjika e kufijve nuk duhet të shërbejë për ndarjen e shqiptarëve”. “Prania e deputeteve nga Shqipëria është një shtysë për të forcuar statusin e gruas në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare", shtoi ajo. Pasuar nga deputetja Hafizi, sipas së cilës, “ne gratë dimë të bashkohemi përmbi ndasitë politike për punët e kombit”. “Ne si deputete angazhohemi t’u gjejmë zgjidhje disa çështjeve që lidhen me arsimin, tekstet shkollore dhe kuotat e arsimit”, tha gjithashtu ajo.

Më tej, mes një bisede shumë miqësore, duke ndarë eksperiencat mes tyre, deputetet e Shqipërisë lanë Tetovën, për të vazhduar rrugën në një tjetër krahinë shqiptare, drejt Kumanovës…

Megjithëse mbrëmja kishte rënë, lajmi ishte përhapur se disa deputete të Parlamentit shqiptar, do mbërrinin pasditen e të premtes të vizitonin dhe “Lagjen e Trimave”, aty ku vetëm pak muaj më parë ndodhi një përplasje e rëndë me armë, për të dhënë mesazhin dhe njëkohësisht, solidarizimin me këta banorë. Dhe nën shoqërimin e banorëve të asaj lagjeje, zonjat deputete panë nga afër gjurmët e luftës. Situata dukej pak më ndryshe, pasi kanë kaluar 6 muaj, por dëshmitë kishin mbetur… Kishte akoma shtëpi të rrënuara dhe të pabanuara plotësisht, shtëpi në rindërtim, por dhe shtëpi, ku muret ishin përplot me gjurmë plumbash.

“Kjo grua ka dëshirë të ktheni në banesën e saj, sonte e ka natën e parë në shtëpinë që e ka ngrit pas shkatërrimit që ju ba”, drejtoi ftesën një burrë i Kumanovës. Teksa vizita e grave deputete shqiptare, i dha shpresë kësaj zonje për ditët në vazhdim. Familja Shavani, ishte ndër të parat që u fut në shtëpi, pas sulmeve që iu bënë. “Kur dëgjova se deputetet e Shqipërisë erdhën për të dhënë kurajo, ishte një gjë e madhe për ne, një gëzim i papërshkruar, i falenderoj me zemër”, tha zonja Shavani.

Kurse nga ana e saj, deputetja Doda u shpreh se ishte një lajm shumë i mirë që ato ishin aty ditën e parë, në momentin sapo kjo zonjë ka hyrë në shtëpi. “I uroj me gjithë zemër të rrijë gëzuar në shtëpinë e re. Kjo është një vizitë e thjeshtë e grave deputete të Parlamentit shqiptar, me qëllim që të tregojmë mbështetjen tonë ndaj qytetarëve, banorëve të kësaj zone, të cilët kanë pasur problematika të mëdha, lidhur me strehimin, me sulmin që u është bërë. Nga ana tjetër, duam t’i sigurojmë bashkëkombasit tanë, se shteti shqiptar ka detyrimin kushtetues, që të interesohet për ta, nuk do të lejojë as dëbimin e as keqtrajtimin e tyre”, shtoi ajo.

Ora ishte diku rreth 18.30 dhe në atë lagje ishte një qetësi e plotë. Shumë pak njerëz në rrugë, dyqane të mbyllura, kafene me pak të rinj. Banorët thonin se akoma kishin pasiguri, ishte një qetësi e rreme. Kumanova mbeti pas me gjithë problemet e pazgjidhura ende të saj, teksa deputetet shqiptare vijuan me axhendën e ngjeshur. Në radhë ishte Lugina e Preshevës, atje ku çdo shqiptar i Shqipërisë pritet me këngë e valle. E në respekt të zonjave deputete të Shqipërisë, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, mblodhi në një seancë të veçantë Këshillin Komunal, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka. “Në këtë udhëtim do të marrin nga Lugina e Preshevës ndjenjën e patriotizmit dhe situatën e të drejtave të tyre. Çështjet demografike dhe të drejtat e tyre kanë qënë në fokus të punës”, citoi Boçka. Ndërsa deputetja Doda shtoi se

qëllimi i këtij udhëtimi është armiku i shqiptarëve: varfëria, zonat shqiptare të pazhvilluara. Kur sipas saj, standardet ndërkombëtare kërkojnë një respektim ndryshe të minoriteteve. “Drejt Evropës me identitet kulturor, njerëzor. Akti terrorist nuk ka fe, ata që vrasin në emër të Zotit bëjnë dy herë mëkat. Ne si popull kemi provuar deportimin, diktaturën, a do të kemi mundësi të bëhemi një popull i mençur, për të kapërcyer sfidat. Shqiptarët janë shumë, duhet një patriotizëm i ri me një zhvillim ekonomik. Edukimi me të njëjtën kurrikul mësimore. Ne jetojmë larg, por kemi të njëjtin gjak dhe simbole. Ne do jemi avokatë të të drejtave të tyre. Gjithçka që diplomacia mund të bëjë. Ju nuk jeni vetëm! Në Preshevë duhet të na përfaqësojë dikush. TV-të të kenë këshilla artistike. Të përsosim identitetin. Arsimi është në krizë në të gjithë hapësirën shqiptare. Eshtë thyer paragjykimi gjinor”, theksoi mes të tjerash ajo. Kurse nga ana e saj, deputetja Vokshi do të shprehej se “kjo vizitë ka në qendër të saj të drejtat e gruas në trevat shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë”. “Vizita në Kumanovë, mesazhi humanitar pas shkatërrimit të Lagjes së Trimave, tregon se kombi shqiptar nuk mund të asimilohet. Ne do të lobojmë në Tiranë dhe Prishtinë për të rritur vëmendjen ndaj Preshevës. Janë disa projekte për Preshevën, por nuk janë njohur ende diplomat e tyre. Të rriten kuotat për në universitetet shqiptare. Do të kërkojmë llogari në Tiranë pse nuk janë realizuar projektet për Preshevën. Por projektet ekonomike do të ishin ato që do të rigjallëronin", cilësoi ajo.

Teksa pas mbedhjes së Këshillit Komunal, gratë deputete vizituan edhe maternitetin e Preshevës, ku u njohën nga afër me problemet atje.

E duke lënë pas Preshevën, gratë deputetë të Shqipërisë marrin rrugën drejt Bujanocit, ku i pret kryetari i Komunës, Jonuz Musliu. Ndërsa për ta finalizuar vizitën në Bujanoc, në axhendën e zonjave deputete, ishte edhe një takim me përfaqësuesin e OSCE-së, Jeff  Bieley. Në mbyllje, Prishtina ishte edhe destinacioni i fundit i axhendës se deputeteve shqiptare, ku zhvilluan një takim të shkurtër me deputetë të Parlamentit të Kosovës.

 

 

 

 

SHKARKO APP