Deputeti “kauboj” i Lezhës “sfidë” Nard Ndokës në gjuhësi e filozofi
Eduart Ndocaj është deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, që kur KQZ-ja i dha zyrtarisht ditën e djeshme mandatin pas dorëheqjes së Arben Ndokës.
Ndocaj, i njohur si “kaubojsi” i Lezhës është kthyer në një personazh satirik në politikën shqiptare.
Ai zëvendësoi Arben Ndokën e PS-së, por në parlament ka vendosur të jetë pjesë e PDK-së së Nard Ndokës.
Fill pas deklaratave të ditës së djeshme, ku i cilësoi anëtarët e KQZ-së si kolegë deputetë, Ndocaj duket se ka nisur “fushatën” për të sfiduar kreun e PDK-së, Nard Ndokën, jo në skenën politike, por në atë filozofike apo gjuhësore. Në një postim në “Facebook”, Ndocaj sjell një standard krejt tjetër të shqipes, paçka se mesazhi mbetet disi fisnik.
“Dikush jep borgj dhe FAL në jetë, humane/ Dikush merr borgj dhe harron atë. Dizehumane”, shkruan Ndocaj, në Facebook, i cili mezi po pritet nga opinioni publik që po “vlon” në rrjetet sociale për të para atë në seancën e ardhshme që të japë “kontributin” e tij të parë si deputet, në Kuvendin e Shqipërisë.