Deputeti pa gojë
Nga Hyskë Borobojka
Në radhën e deputetëve nuk mundojnë edhe nga ata që s’kanë gojë. E vërteta është se këtë shqisë ata e kanë të madhe për të ngrënë e për të pirë, por e qepin e bëhen memecë sa zënë vend në sallën e Kuvendit. Deputetë gojëkyçur zor se do të ketë ekzistuar në të gjitha Parlamentet e botës, që te mbretëritë, republikat, prektorisatet e deri te europaget e qyteteve shtete të lashtësisë. Emrin e tij kudo ta vesh ngjit. Kjo s’ka as një rëndësi, thelbësorja është se ai është zgjedhur me votë në një zonë të thellë malore pas allishverisheve të shumta. Të tjerë ngulin këmbë se është nga ata të listës së partive. I listës apo i prapalistës nuk ka rëndësi. Ai është deputet, përfaqësues i popullit sovran me votën e sovranit.
Ky deputet, që mund t’i kolisish çdo emër, është njëri nakatosur me njerëzit, Sapo hyn në ndonjë kafene, zyrë apo në rrugë, cilindo që takon, ka qejf ta zërë pakëz për faqe, ta pushtojë e ta përkëdhelë me fjalët më të bukura që përmban fjalori i gjuhës shqipe, si bie fjala: “Si të ka byrazeri?” Aje lodhur a je mërzitur?” “Si e ke gruan, kalamajtë dhe gjithë kallaballëkun?” (Ka apo s’ka tjetri grua, fëmijë e kallaballëk, ai interesohet për shëndetin e tyre, kur të ketë) Pyetjet dhe interesimi i madh që ai tregon nuk kanë të sosur. Ai shqetësohet e ndje keqardhje deri në palcë edhe për shëndetin e gjyshes tënde, për pleqërinë e sa të mbarë. Të pyet në se ke marrë letër nga vëllai emigrant. Lindi apo mbahet akoma nusja e kushëririt. Pyetjet e tij me rrënjë e me degë nuk kanë të mbaruar. Në dimër është në merak e i shqetësuar se ku do t’i kalosh ti e unë pushimet e verës, brenda apo jashtë vendit. Në verë është tepër i shqetësuar nëse tjetri ka marrë masat e duhura për gruan e fëmijët (nuk harron edhe vjehrrën) për të pritur dimrin.
Mbase këto cilësi të “rralla” kanë bërë që të propozohet e të zgjidhet “Baba i Kombit”, si anëtar i thekur i partisë së tij. Ama të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Me të shkelur në “Tempullin e Ligjeve” fjalët i rrallohen. Më tepër vepron se dialogon. Në mjedisin e Parlamentit sheh një grup që ia kanë marrë një kënge polifonike të Labërisë, në mes tyre hyn edhe ai dhe mundohet me mish e me shpirt të mbajë iso. Të njëjtën gjë bën edhe kur një grup kolegësh ia thonë një kënge të Veriut. Sikur të shohë dy deputetë, diku ne fund të oborrit, që bëjnë një fotografi, do të futet edhe ai në mes të shokëve, për të patur një kujtim të vyer me ta.
Kur hyn në sallën e madhe të seancave parlamentare dhe zë vendin e caktuar në rreshtin e pestë, nxjerr nga çanta e zezë stilolapsin, bllokun e shënimeve, projektligjet që do të miratohen atë seancë, kartonët e votimeve, nuk harron as celularin, që të englediset me të, ndërsa në foltoren e parlamentit vazhdojnë ligjëratat, që s’mbarojnë as kur zilja shamatore lajmëron disa herë përfundimin e fjalës së dhënë nga kryetari, ndërsa ai në karrigen e tij e qep gojën. Kjo që thamë është kaq e vërtetë sa një legjislaturë të tërë nuk ia kanë dëgjuar zërin, si e ka të hollë apo të trashë, të ultë apo të lartë. Sytë dhe veshët i mban te kryetari i grupit të tij parlamentar. Kur ai ngre lart katonin jeshil, fap edhe ai e ngre pak më lart jeshilin. Të kuqin kryetari, të kuqin edhe ai. Qëllon ndonjëherë që lajthit i pari dhe nge jeshilin dhe ai të kuqin. Por kjo është një ngatërresë e vogël, sepse, me t’ia ndritur sytë kryetari, ai i ndërron sakaq kartonët. Thuhet çfarë thuhet në sallën e Parlamentit, grinden, shahen e përleshen, thërresin sa dridhen qelqet e dritareve, ai i ka të vulosur veshët e të qepur gojën. Edhe kur qëllon ndonjëherë që lot grushti, shkelmi e rripi ndërmjet deputetëve ai i bën bisht e fshihet në ndonjë skutë.
-Heshtja është flori!-thotë ai, – Ç’më duhet mua të dal dëshmitar okular, kur mund të them: “S’pashë gjë, s’di gjë!?”
Pse t’i dëgjohet zëri kur e di se salla e Parlamentit është e mbushur me aparate “përgjimi e regjistrimi”, me kamera televizive, që të regjistrojnë e të fotografojnë fjalën me gjithë gojë. Ai e nuhat nga larg vaun e lumit dhe di si t’i hedhë këmbët. Kur i bije erë se ndonjë ministër, zëvendës i tij apo deputet ka shkelur në dërrasë të kalbur, është krimbur me ryshfet e korrupsion dhe mblidhe Kuvendi në seancave plenare, për t’i hequr imunitetin, gjen njëqind e një arsye të mosarsyes, që të mos marrë pjesë në atë seancë. -Kush më siguron që ky ministër apo deputet, sot fajtor, nesër e shkund fajin si rosa ujin kur del nga pellgu dhe qëndron përsëri në këmbë. Se mos ka hyrë deri tani ndonjë “hapsanë”. Apo ai tjetri, që sot është në opozitë, nesër kushedi si ndërron era, ndërron gunën e vjen në pozitë? Ç’kusur kam unë të prish qejfin me tjetrin? Fare mirë mund të them: “Unë s’di gjë, nuk isha kur plasi sherri, unë…Dhe kam grurë me të gjithë?! Ç’e ka gjetur këtë deputet që s’e ka hapur gojën kurrë në ndonjë seancë të Kuvendit. Pagën e ka marrë rregullisht të majme për çdo muaj, dietat lumë,turizëm ngado, brenda e jashtë vendit. Karrigen në rreshtin e pestë e mban fort dhe nuk ka ndërmend ta lëshojë.. Është përfaqësues i popullit sovran i biri botës.