Deputetja e PD, Tabaku: Të identifikohen ligjet që duhen ndryshuar në kuadër të reformës territoriale
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi sot gjatë mbledhjes së Komisionit të Reformës Territoriale, që të identifikohet paketa ligjore që duhet të ndryshohet në kuadër të kësaj reforme. Tabaku propozoi që të identifikohen ligjet bazë që do të ndryshojë ky komision, duke nisur nga ligji “Për financat e qeverisjes vendore”, ligji “Për taksat kombëtare” dhe ligjet e tjera. Lidhur me sondazhin publik, ajo bëri me dije se është kërkuar një ndryshim, ndërsa për afatet theksoi se nuk duhet bërë populizëm.
“Qoftë brenda shkurtit apo marsit, ne jemi këtu dhe jemi të angazhuar të kontribuojmë në këtë proces, por duhet të lëmë hapësirën e duhur për një proces serioz dhe të plotë”, deklaroi Tabaku. Po ashtu ajo theksoi gjithashtu se detyrimi i këtij komisioni në këtë fazë është miratimi i projektkalendarit të punës dhe jo kalimi i menjëhershëm i dokumentit aktual.
Sipas saj, amendamentet duhet të kalojnë me vendime të veçanta dhe procesi nuk duhet të nxitohet. ”Të mos nxitohemi që të kalojmë dokumentin siç është sot, por të kalojmë projektkalendarin”, u shpreh Tabaku. Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për rolin e sekretarit të komisionit, duke theksuar se funksionet e tij janë të përcaktuara qartë nga Parlamenti dhe përfshijnë koordinimin e punës me sekretariatet teknike dhe mes dy bashkëkryetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

