Deri me 1 prill nxitoni të deklaroni të ardhurat mbi 20 milion lek

Brenda datës 30 prill, të gjithë qytetarët të cilët kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë, duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore. Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike për individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura personale mbi 2 milionë lekë në vit dhe po ashtu, për personat jo rezidentë (individë të huaj) që realizojnë të njëjtën sasi të ardhurash vjetore në Republikën e Shqipërisë. Të kontaktuar nga ‘Monitor’, burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se një shifër të saktë të personave që kanë detyrim këtë vetëdeklarim nuk ka.

Referuar një liste të hartuar në vitin 2011, rezultonin mbi 4700 punonjës të administratës shtetërore, punonjës në Universitete shtetërore dhe të tjerë me funksione në sistemin gjyqësor shqiptar që kanë detyrimin ligjor, sipas kritereve të vendosura për të deklaruar të ardhurat e tyre. Që nga ai vit, kjo listë është gjithnjë në ndryshim për shkak të vendosjes së personave të rinj, heqjen e disa të tjerëve e kështu me radhë dhe arrin shifrën e thuajse 16 mijë personave, por nuk janë shifra zyrtare. Sa i përket procesit, Suela Behri, përgjegjëse për shërbimin pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale në Tiranë, tregon se po shkon mirë, se një pjesë e mirë e personave interesohen paraprakisht, më pas marrin edhe asistencën për mënyrën e plotësimit të formularit të deklarimit, të vendosur me ligj. Ajo tregon se deklarata plotësohet vetëm elektronikisht dhe se i ka qartësisht të ndara kërkesat e dhënies së informacionit mbi të ardhurat për individët që janë të detyruar të bëjnë këtë deklarim. Megjithatë, nuk mohohen as rastet kur vite më parë, persona të ndryshëm nuk kanë qenë në dijeni të detyrimit për të bërë vetëdeklarimit dhe kanë marrë masë ndëshkimore në formë gjobe nga mosdija. Ajo shpjegon edhe se institucioni përgjegjës për monitorimin, ILDKPKI, ka çuar rrallëherë zyrtarë të lartë nën akuzë për fshehje të pasurisë. Znj. Behri, megjithatë, thekson se vitet e fundit ndërgjegjësimi ka qenë më i madh për të marrë informacione dhe një pjesë e mirë janë interesuar përmes rrugëve të tilla si telefonata, e-mail dhe interesim pranë sporteleve të Tatimeve.

SHKARKO APP