Dëshmi interesante nga darka Vuçiç-Rama: Ivica Daçiç këndoi këngë te vjetra

Maliqi: Ja detajet e darkës pa protokoll në “Shtëpinë e Gjahut”

Një ditë pas përmbylljes së vizitës historike të kryeministrit shqiptar në Serbi, këshilltari për rajonin i Edi Ramës, rrëfen për A1 REPORT detajet e pazbuluara më parë për mediat mbi darkën pa protokoll të dy delegacioneve në Beograd.

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli”, Shkëlzën Maliqi tha se në ndryshim nga tensioni përgjatë konferencës Live të dy kryeministrave Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, darka pa protokoll ofroi një tjetër atmosferë.

Këshilltari i Ramës për çështjet e Rajonit, zbuloi për A1 REPORT se darka nuk është mbajtur në restorant, siç u përfol në disa media, por në një pjesë të ish-rezidencës së Presidentit të ish-Jugosllavisë Tito. Madje sjell dhe një detaj mjaft interesant për ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç….

“Ata e quajnë “Shtëpia e Gjahut”. Ka qenë një atmosferë e relaksuar, darkë pa protokoll, në të cilën ishin vetëm delegacionet e ngushta, kryeministrat dhe anëtarët e delegacionit. Kishte ushqim të bollshëm, pak muzikë, madje zv/kryeministri Ivica Daçiç ka kënduar arie dhe këngë të popullarizuara”, tha Maliqi.

Maliqi: Herë pas here Vuçiç ankohej te Rama për deklaratën e Kosovës

Por pavarësisht marrëveshjeve të firmosura dhe frymës së bashkëpunimit që është shfaqur në takimet pas konferencës për shtyp të dy homologëve, për kryeministrin serb Vuçiç ka qenë e vështirë të “kapërdijë” deklaratën për Kosovën, e cila doli jashtë pritshmërive të tij. Maliqi e shpjegon këtë fakt me presionet e brendshme që mund të marrë Vuçiç nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët sipas tij mund ta konsiderojnë të dobët përballë guximit të Edi Ramës për të prekur në mes të Beogradit një çështje të “nxehtë” për ta.

“Vuçiç është ankuar te Rama se i ka sjellë shumë probleme me atë deklaratë. Kohë pas kohë ia kujtonte këtë, por atmosfera ka qenë pa tensione, me biseda dhe batuta të këndshme siç takohen një grup njerëzish që edhe pse nuk janë miq pretendojnë të nisin një frymë të re marrëdhëniesh mes tyre. Kishte disa momente kur Vuçiç prap shpërthente ose e shprehte pakënaqësinë se nuk duhej që Rama të hapte temën e Kosovës, ai ka brengat e veta, ka kundërshtarët e vet politik që mund ta shfrytëzojnë këtë për të thënë se Vuçiç është politikan i dobët”, tha Maliqi.

Maliqi: Deklarata e Ramës për Kosovën, korrekte. Dhe serbët e dinë këtë

Për Maliqin, deklarata e kryeministrit Rama për Kosovën e pavarur, ishte korrekte sepse është një fakt i ditur botërisht dhe i pranuar tashmë nga 108 shtete të botës.

“Ishte korrekte sepse ishte një konstatim që besoj edhe udhëheqësit serbë e dinë. Ajo që u tha nuk është se nuk e di Serbia e faktori ndërkombëtar, Rama tha një fakt. Për Serbinë do të ishte mirë të pajtohej me këtë fakt. Ky ka qenë moment emocional dhe ka treguar një paraqitje dinjitoze dhe pa frikë të kryeministrit të Shqipërisë në mes të Beogradit. Çështja e Kosovës është e mbyllur. Unë nuk kam qenë në takimin Rama-Vuçiç por është thënë se kanë qenë biseda të tensionuara me mjaft mospajtime dhe se ka zgjatur më shumë sesa ishte parashikuar. Nga përshtypja ime nga takimet e tjera që patëm nw bisedat e dy delegacioneve, dreka dhe darka, atmosfera ishte shumë më e çtensionuar se sa konferenca që ishte Show publik”, u shpreh këshilltari i kryeministrit Rama për çështjet e Rajonit.

Maliqi: Mes Shqipërisë dhe Serbisë kishte 17 marrëveshje gati por mungonte vullneti për t’i nënshkruar

Këshilltari për Rajonin i kryeministrit shqiptar, Shkëlzen Maliqi teksa foli për marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Serbisë, u shpreh se mes dy vendeve kanë ekzistuar 17 marrëveshje, madje të bëra dhe gati në tekst por ka munguar vullneti për t’i nënshkruar.

“Kontaktet mes palëve kanë qenë të vazhdueshme, por për herë të parë kontaktet mes dy vendeve kanë shkuar më tej. Duhet të ndërtohen ura bashkëpunimi dhe pika për konflikte. Sigurisht disa i ka nxjerrë në shesh disa nuk janë ende temë e bisedës. Janë 17 marrëveshje edhe tekstualisht të përgatitura për shkak se nuk ka pasur kontakte, ka munguar procesi ku dy shtetet të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.” u shpreh Maliqi

Maliqi: Përmbajtja e vizitës, ajo që nuk u pa nga kamerat

Maliqi shtoi se përmbajtja e vërtetë e kësaj vizite ishte ajo që nuk u pa nga kamerat dhe madje as konferenca e tensionuar mes dy kryeministrave. Këshilltari i kryeministrit Edi Rama për Rajonin, tha se Bashkimi Evropian ka insistuar që ky takim mes tyre të mbahet.

“Perëndimi ka insistuar që kjo vizitë të mbahet, dhe ata do të vlerësojnë më shumë atë. Përmbajtja e vërtetë e kësaj vizite është ajo që nuk është parë aq shumë, dhe se pse në konferencë u tha një e vërtetë e dhimbshme për serbët.” tha ai

Maliqi: Këpucët e Ramës? Lajm vetëm për shtypin e verdhë

Ndërsa sa i përket lajmit të bërë publik nga “Kurir” për këpucët e kryeministrit Rama, me pretendimin se i kishte zgjedhur me takë për tu dukur më i gjatë se Vuçiç, Maliqi e cilësoi si një lajm për shtypin e verdhë.

“Kurir” merret me këto imtësira. Edhe unë e shikoja kur parakalonin se kush ishte më i gjatë dhe reflektimet e mia është se në rajon i paskemi disa liderë të gjatë. Por kjo nuk ka rëndësi por vetëm për shtypin e verdhë.

Maliqi: Gjithçka shkoi mirë në vizitën e Ramës në Preshevë

Në fokus të bisedës në “Rreze Dielli” në A1 REPORT u vu edhe dita e dytë e vizitës së Ramës në Serbi, pikërisht Lugina e Preshevës, komuna serbe me shumicë shqiptare. Këshilltari i Ramës për Rajonin, Shkëlzen Maliqi tha se serbët thonin të mos bëhej kjo vizitë edhe për faktin se sipas tij kishin frikë se nuk do të mbanin dot sigurinë e kryeministrit në këtë komunë. Por në fund, -thotë ai, -“gjithçka doli mirë”.

Rama udhëtoi me avion boshnjak, Maliqi: Një rastësi

Kryeministri Rama, delegacioni shqiptar dhe grupi i gazetarëve që do të ndiqte nga afër vizitën e Ramës në Serbi, udhëtuan nga aeroporti i Rinasit drejt Beogradit me një avion të Bosnje-Hercegovinës, por për Maliqin, kjo ndoshta ka qenë një rastësi.

Maliqi: Atmosferë çuditshme pritjeje në Beograd

Maliqi tha se përgatitja e Beogradit për vizitën e kryeministrit shqiptar nuk ishte e njëjtë me pritjen e udhëheqësve të tjerë të huaj.

“Është vërejtur se nuk ka qenë atmosfera si zakonisht kur vjen një i huaj. Pa flamuj në qytet ashtu si edhe në aeroport, me këtë rast Beogradi i ka vënë re këto. Ishte si një lloj shtetrrethimi, policët në çdo vend, ne nuk shikonim as kalimtarë se ishin bllokuar të gjitha rrugët. Ky ka qenë një emocion i çuditshëm”, u shpreh në studion e “Rreze Dielli”, këshilltari Maliqi

SHKARKO APP