Dështon tenderi për Spitallën, garuesit skualifikohen
Tenderi për zonën e lirë të Spitallës në një sipërfaqe prej 500 hektarësh për 99 vjet ka dështuar.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes i ka njoftuar zyrtarisht dy kompanitë pjesmarrëse, atë kineze dhe italiane se janë skualifikuar.
Kështu, në përgjigjen e dërguar Zhou Xiaohe, përfaqësues i Bashkimit të Përkohshëm të shoqërive “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co, njoftohet se oferta e tyre është skualifikuar për shkak të mangësive të shumta në dokumentet teknike dhe paraqitje dokumentash të panoterizuara (shih letrën në vijim).
Kurse në letrën e drejtuar kompanisë “RENDur” 4 sh.p.k, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e njofton atë se nuk ka mos plotësuar asnjë nga pikat si kusht për kualifikim.
Tenderi ndërkombëtar për zhvillimin e zonës teknologjike të Spitallës në qarkun e Durrësit u hap në qershor të vitit të kaluar. Përmes tij, qeveria shpresonte të tërhiqte mbi 1 miliardë euro investime.
Në fund të tetorit, vetëm dy kompani dorëzuan oferta. E para ishte konsorciumi i përkohshëm i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën e 1.5 miliardë USD për 9 vite dhe synonte hapjen e 90 mijë vendeve pune. E dyta ishte kompania italiane “RENDur4”, që nuk prezantoi një ofertë financiare.