Detyrime të papaguara, biznesi “borxhli” rritet në 3 muajt e fundit

Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore ka ardhur në rritje.

Nga të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë numri i madh i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet.

Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore është 19 762, nga 13 778 biznese që ishin në fund të muajit dhjetor të vitit që shkoi.

Referuar këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” vetëm gjatë 3 muajve të fundit i janë shtuar 1617 subjekte, raporton Tv Scan.

Ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.

Vetëm pak kohë më parë ka qenë vetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili ka bërë publike vlerën prej 1.4 miliardë dollarë, që bizneset i kanë administratës tatimore, si detyrime fiskale.

Ndërkohë me ndryshimin e procedurave tatimore po synohet të gjendet një mënyrë për të rritur efikasitetin e tatimeve për mbledhjen e borxhit “të keq” tatimor.

Por në muajt në vijim pritet një ulje e këtij numri, pasi Administrata tatimore tashmë po lidh kontrata specifike me shumë sipërmarrje për  pagesën e detyrimeve tatimore me këste.

Kjo pritet ti japë një frymëmarrje biznesit në lidhje më detyrimet e prapambetura.-Dita

SHKARKO APP