Deutsche Telekom me projekt pilot, 10 mijë matësa inteligjentë për sistemin energjetik

Kryeministri Edi Rama pati sot, një takim pune të frytshëm me një përfaqësi të kompanisë gjermane të telekomunikacionit Deutsche Telekom, të kryesuar nga anëtarja e Bordit Drejtues për Europën dhe drejtuese e Departamentit të Inovacionit Claudia Nemat.

Fokusi i takimi ishte bashkëpunimi me Deutsche Telekom për modernizimin e sistemit të matjes dhe të administrimit të konsumit të energjisë elektrike. Kryeministri Rama theksoi se përfshirja në këtë proces e kësaj kompanie lider në Europë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit përbën një garanci për sukses.

Znj.Nemat u shpreh e kënaqur nga prania e Deutsche Telekom në Shqipëria. Ajo shprehu interesin, por edhe ambicien e kompanisë që nga Shqipëria të shtrihet edhe më tej, në rajon.

 

Deutsche Telekom ka marrë përsipër zbatimin e projektit pilot për instalimin e 10 mijë matësve inteligjentë në disa zona të Tiranës. Kryeministri siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për suksesin e këtij projekti. 

 

***

Më poshtë gjeni të plotë komunikimin publik të Kryeministrit pas takimit:

Është një komunikim i veçantë për një çështje të një rëndësie të veçantë. Jeni mësuar t’i shikoni kryeministrat në krah kryeministrash. Zonja nuk është Kryeministre, as Kancelarja e Gjermanisë, por është drejtuese e departamentit të inovacionit në Deutsche Telekom dhe njëkohësisht anëtare e bordit drejtues të Deutsche Telekom, e cila mbulon Europën.

Sot, jemi këtu për të shprehur vullnetin e përbashkët për të eksploruar mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm për transformimin rrënjësor të sistemit të matjes së energjisë elektrike për qytetarët dhe të administrimit të konsumit të energjisë elektrike, çka do të thotë se kemi rënë dakord të nisim së bashku punën për një Projekt Pilot, i cili do të mbulohet tërësisht nga pikëpamja financiare nga kompania Deutsche Telekom, që nga ana e saj është e interesuar të shikojë përmes këtij projekti gjithë të dhënat e terrenit, vështirësitë, sfidat që duhet të përballojë ky inovacion teknologjik, kaq rrënjësor dhe kaq i rëndësishëm, si dhe potencialin e interesit të drejtpërdrejtë të kompanisë nga pikëpamja financiare.

Për ne, vendosja e rreth 10 mijë matësave inteligjentë në disa zona që janë përcaktuar së bashku me grupin teknik të Deutsche Telekom, me karakteristika të ndryshme, ku sfidat janë të ndryshme, që nga përgjatë autostradës, aty ku problematika e humbjeve është e madhe, deri në disa zona informale apo të vjetra urbane, është një mundësi e jashtëzakonshme për të parë nga ana jonë qoftë potencialin, qoftë edhe mundësitë tona për të hyrë pastaj në një proces, ku në bazë të të gjitha rregullave, nëse ne do ta shikojmë të arsyeshme nga të gjithë parametrat teknikë dhe financiarë do të shpallim hapjen e një thirrjeje.

Për ne, falë matësave inteligjentë mund të bëhet realitet ai modernizim i domosdoshëm për t’ju dhënë qytetarëve shërbimin që ata me të drejtë kërkojnë dhe meritojnë kur paguajnë energjinë elektrike, për ta faturuar atë në mënyrë korrekte, duke mos mbifaturuar asnjë qindarkë, por thjesht duke faturuar atë që është konsumuar dhe për të racionalizuar të gjithë konsumin e energjisë në vend.

Nuk po zgjatem më tutje. Ne jemi të privilegjuar që një kompani kaq e madhe botërore dhe një nga kompanitë flamur të një vendi mik dhe partner si Gjermania, përveçse edhe një vendi që e shohim të gjithë me admirim dhe respekt për progresin dhe modernizmin e vet, na është bashkëngjitur në këtë përpjekje.

Deutsche Telekom është dhe një autoritet europian në fushën e teknologjisë që u shërben miliona abonentëve dhe menaxhon miliona rrjete fikse në të gjithë botën.

Dua ta falenderoj zonjën Nemat, për praninë e saj në Tiranë, për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me ne dhe njëkohësisht edhe për dëshirën, por jo vetëm për dëshirën, por edhe për ambicien e saj dhe të Deutsche Telekomit që duke provuar me Shqipërinë të eksperimentojnë edhe një shtrirje në të gjithë rajonin. Tek e fundit, pas këtij falënderimi është momenti për të rifalenderuar edhe njëherë Qeverinë gjermane, Kancelaren Merkel për angazhimin për rajonin, për angazhimin për të krijuar urën e domosdoshme të një bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe rajonit dhe Europës, si dhe për faktin që ky angazhim ka nxitur dhe rritur edhe interesin e kompanive gjermane ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit. Shpresoj shumë që do t’ia dalim dhe nëse do t’ia dalim do të jetë mesazhi më kuptimplotë që do t’i japim sipërmarrjes së madhe gjermane për gatishmërinë që ka Shqipëria dhe rajoni për të hyrë në një fazë tërësisht të re të investimeve të Gjermanisë në këtë rajon.

Besoj se më shumë fjalë do të mund të themi pasi të kemi përfunduar këtë Projekt Pilot, pasi të kemi marrë të dhënat nga terreni dhe pasi të kemi kuptuar përmes këtyre të dhënave qoftë potencialet, qoftë risqet, mbi të gjitha mundësinë reale të realizimit të kësaj ëndrre të një sistemi shpërndarjeje për të cilin nuk ka nevojë të bëj komente. Ju e dini, të gjithë shqiptarët dinë, se në çfarë derexheje është sistemi, dhe për një sistem shpërndarje që kush merr energji prej tij të mund të shërbehet ashtu siç e meriton dhe të mos mbifaturohet apo të keqtrajtohet për shkak të këtij sistemi që kemi trashëguar prej kaq shumë vitesh.

Shumë faleminderit edhe njëherë! Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë edhe Ambasadën gjermane për praninë e saj në këtë proces, për lehtësirat e komunikimit që na krijoi si fillim dhe për mbështetjen që në emër të Qeverisës gjermane na ka dhënë duke qenë pjesë e nxitjes së Deutsche Telekom për të zgjedhur Shqipërinë, si vendi ku të nisë projektin e madh të transformimit teknologjik në këtë sektor të të gjithë rajonit të Ballkanit.

 

Ju faleminderit!

 

Më poshtë i plotë komunikimi i anëtares së Bordit Drejtues për Europën dhe drejtuese e Departamentit të Inovacionit Claudia Nemat në Deutsche Telekom:

Besoj se takimi i sotëm shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë e më produktiv. Në muajt në vazhdim do të kemi mundësinë tí demonstrojmë popullit shqiptar rolin tonë udhëheqës në teknologji.

Ndodhet sot këtu për të shprehur mbështetjen tonë për nismën e qeverisë shqiptare, pra për modernizimin e sektorit të energjisë dhe fushatën pasuese për parandalimin e shpërdorimit të energjisë elektrike. Jam e kënaqur që teknologjia dhe ekspertiza e përparuar gjermane, me lançimin e projektit të rëndësishëm pilot të matësve inteligjentë, do të çelin rrugën drejt të ardhmes dixhitale të Shqipërisë.

Sot matësit inteligjentë po diskutohen dhe përdoren në disa shtete europiane. Besoj se ky projekt mund ta pozicionojë Shqipërinë si një faktor lider në Europën jugore dhe lindore për zgjidhjet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ne në Deutsche Telekom duam të jemi partneri i besueshëm i biznesit në këtë sipërmarrje, në përputhje me ambicien tuaj dhe tonën për të qenë lider i telekomunikacionit në Europë. Aktualisht Deutsche Telekom ka në planet e veta krijimin e një rrjeti mbarë europian bazuar mbi teknologjinë modern të protokollit të internetit. Ky është një rrjet që nuk njeh kufij, që flet të njëjtën gjuhë në të gjitha vendet dhe u ofron konsumatorëve përvojën më të mirë kudo ndodhen.

 

Ky është kontributi ynë për atë që mund të quhet “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Hapi I parë do të ishte migrimi i të gjithë abonentëve tanë të telefonisë fikse drejt teknologjisë IP. Objektivi është ta përfundojmë këtë proces deri në fund të vitit 2018. Nga perspektiva jonë, abonentët në çdo vend, edhe këtu, nuk kanë pse të shqetësohen prej teknologjisë. Gjithcka bëhet për të ofruar përvojën më të mirë, rrjet të përsosur, besim, siguri dhe besueshmëri.

Këto duam tú ofrojmë abonentëve, ndaj edhe jemi entuziastë për projektin puilot të matësve inteligjentë në Shqipëri. Natyrisht kjo strategji kërkon një mjedis miqësor ndaj investimeve dhe, i dashur zoti Kryeministër, kërkon edhe një angazhim afatgjatë të Deutsche Telekom në Shqipëri.

Kjo është shprehje e angazhimit tonë si Deutsche Telekom për të kontribuar për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në Shqipëri. Natyrisht jemi të lumtur që kontribuojmë për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe presim me padurim të punojmë së bashku në projektin tepër interesant të matësve inteligjentë në Shqipëri.

SHKARKO APP