Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësor: Shteti të mbledhë borxhet, me vlerën 1 mld euro

 

Një miliard euro janë borxhet tatimore dhe doganore, që subjekte dhe individë të ndryshëm i detyrohen shtetit shqiptar.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor, Tedi Malaveci i cili kërkoi nga shteti të mbledhë detyrimet e tij, që kapin shifra marramendëse për një vend me ekonomi të brishtë dhe me papunësi të lartë, si Shqipëria.  

Kryetari i kësaj shoqate tha se qindra mijëra gjoba e detyrime administrative humbasin në sirtarët e zyrave shtetërore, si dhe nuk i jepen përmbaruesve për ekzekutim.

Për këtë mosfunksionim të mirë të sistemit të ekzekutimeve ligjore, Malaveci pranoi se një pjesë të fajit kanë edhe përmbaruesit. Ai shtoi se politika nuk duhet të lëshojë dënime kolektive për këto profesione.

Gjatë takimit të zhvilluar mes 200 përmbaruesve privatë, kryetari i kësaj shoqate vuri në dukje trajtimin shpërfillës të kolegëve përmbarues shtetëror nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë Arben Isaraj premtoi mbështetjen e vazhdueshme nga qeveria për të lehtësuar ushtrimin e detyrës nga përmbaruesit privat.

SHKARKO APP