Dialektika si instrument i metafizikës

 

-Një vështrim mbi romanin e Michel Houellebecq-ut “Nënshtrimi” –

Nga Virgjil Muçi

 

Ditën që Parisi dhe Europa tok me të u tronditën prej ngjarjeve tragjike të Charlie Hebdosë pritej të dilte nga shtypi një libër, që ende pa e parë dritën e botimit kishte ngjallur kërshëri, ngritur dyshime dhe shkaktuar debate. Autor ishte i mirënjohuri Michel Houellebecq, ndërsa libri titullohej Soumission, thënë shqip Nënshtrimi.

Duket sikur qysh në krye Houellebecq-u rreket t’i vërë vulën veprës së tij kur shkon e shprehet se ka pasur si synim “të rrëfejë në një libër të destinuar për të qenë zhgënjyes historinë e një zhgënjimi” dhe, kësisoj, ta përgatisë lexuesin për atë që e pret në rast se është i vendosur për t’i shkuar leximit deri në fund. Përgjatë gjithë kohës të krijohet ndjesia e perceptimit të një dekompozimi të plotë e të gjithanshëm të një shoqërie në dekadencë në tërë shtresat e saj; religjioni, politika, ekonomia, shoqëria civile, arti dhe kultura. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një vend abstrakt, po për Francën e pas viteve 2017, e cila ka hyrë në një krizë të thellë politike: për të shmangur ardhjen në pushtet të Frontit Kombëtar të Le Penit, socialistët e Manuel Valls-it dhe konservatorët e Sarkozy-së bien në ujdi për t’ia kaluar votat Vëllazërisë Myslimane dhe udhëheqësit të saj Mohammed ben Abbesit, i cili vjen e bëhet presidenti i parë mysliman i një vendi europian.

Në qendër të romanit autori ka vendosur një profesor letërsie, studiues i J. K. Huysmansit, të cilit ia thonë emrin François. profesori ynë është një agnostik që shkon një jetë ku-rafsha-mos-u-vrafsha, dhe banon në Chinatownin e Parisit ku ndjehet i mbrojtur, i qetë e i sigurt nga vërshimet e etnive të tjera në Parisin e gjysmës së parë të shekullit të ri, duke qenë se banorët kinezë të lagjes, dhe jo francezët, janë bërë pengesë për ardhjen dhe ngulitjen aty të arabëve dhe të zinjve. Të krijohet përshtypja sikur përtej detajit artistik, autori ka sendërtuar një metaforë perfide me anë të së cilës sikur dëshiron të na kumtojë se mbrojtës i qytetërimit perëndimor në këtë luftë qytetërimesh ka për të qenë një tjetër qytetërim i lashtë, ai kinez.

Ka diçka në këtë roman që na përcillet në trajtën e një leksioni marksist (edhe pse ta quash Houellebecq-un marksist do të ishte njëlloj sikur të thuash që Papa është ateist); thënë me fjalë të tjera, sesi zgjedhjet dhe rotacioni politik që përftohet prej tyre, pra mekanizmi dhe katalizatori i një shoqërie demokratike, vijnë e shndërrohen në të kundërtën e vet, në një instrument antidemokratik, për të mos thënë vrasës të demokracisë. Në fund të fundit, duket sikur na kumton Houellebecq-u, a nuk ndodhi kështu edhe me nazizmin, i cili erdhi në pushtet përmes votës së lirë? Dhe në këtë pikë na ndërmend shprehjen e Bertold Brehtit “Fashizmi vdiq, por nuk u shterp barku që e polli atë”.

Me penelata të shpejta e gati-gati nervoze, autori përshkruan shenjat dhe shfaqjet e para të transformimit të një shoqërie laike, të hapur, post-teknologjike në një regjim teokratik dhe autarkik; dhe këtë gjë, fillimisht, na e jep përmes një supermerkatoje dhe mallrave “të vjetër” në të që treten pa lënë gjurmë dhe ua lënë vendin mallrave “të rinj” të ashtuquajtur hallall. Paradoksalisht jetojmë në një shoqëri konsumi hallall, e cila i imponohet dhe i mbivendoset asaj liberale. Më pas optika e tij zhvendoset në mjediset universitare ku merr e përshkruan gjithçka që ka ndodhur qysh prej ndërrimit të regjimit dhe ardhjes në fuqi të presidentit të ri të Francës, udhëheqësit të Vëllazërisë Myslimane, Mohammed ben Abbes; nga stema e gjysmëhënës me yll që ka zënë vend në hyrje të godinës universitare deri te sekretaret e reja që kanë zëvendësuar të vjetrat dhe që janë të mbuluara me shami. Ashtu vepron pak më parë teksa na përshkruan ndryshimet nga jashtë, epidermike të shoqërisë franceze, dalëngadalë bisturia e shkrimtarit depërton gjithnjë e më thellë në organizmin e saj dhe na jep të kuptojmë çmontimin e strukturave politike, sociale e ekonomike dhe, nga ana tjetër, montimin e elementëve të një strukture të re, veçmasi në fushë të arsimit, ekonomisë dhe të politikës së jashtme; pas Francës radhën e kanë edhe vende të tjera të Bashkimit Europian për t’u shndërruar në regjime hibride. Ç’është e vërteta, leximi, veçanërisht i këtyre faqeve, të krijon më fort ndjesinë e një traktati politik e sociologjik sesa atë të një narrative letrare, çka në thelb e bën edhe më të besueshme atmosferën e ngjizur dhe të krijuar prej shkrimtarit. Gjithsesi, për të mos i hyrë në hak, lypset thënë se ky libër është një nga utopitë letrare më interesante të shekullit XXI.

Duke u nisur nga shprehja e Toynbee-t që, qytetërimet nuk vdesin nga dora e tjetërkujt, por ia heqin vetes, autori, përmes gojës së rektorit të ri të Sorbonës, njërit prej neofitëve më në zë të myslimanizmit, bën apologjinë e dekadencës së qytetërimit europian e atij të krishterë, çka, tekefundit, pashmangshmërisht e shtyn edhe Françoisn të konvertohet dhe t’i nënshtrohet regjimit të ri.

Dhe i mbyllim këto radhë me fjalët e vetë Houllebecqut, vënë në gojën e personazhit të tij: “Kulmi i lumturisë njerëzore konsiston në nënshtrimin më të plotë”.

P.S. Lexuesit kureshtar të këtyre radhëve jemi të shtrënguar t’i themi se ky libër ende nuk ka mbërritur në shqipe, ndaj s’na mbetet veçse të urojmë që botuesit të na e sjellin një orë e më parë.

Mapo

SHKARKO APP