Diplomacia e fshehtë
Nga Dr. Jorgji Kote
Deri në mbarimin e Luftës së Ftohtë, diplomacia zyrtare njihej dhe cilësohej gjerësisht si “diplomacia e fshehtë” që ishte dhe tipari themelor i saj. Përmendet shpesh fakti që dikur, edhe pse lufta bëhej në front, ajo përgatitej në kulisat e fshehta. Një ndër autorët më të njohur të asaj periudhe dhe partizan i kësaj teorie ishte diplomati me emër i mbretit Luigji XIV, François de Callières, me librin e tij të famshëm “De la manierès de négocier avec le souverain” – Mbi mënyrat enegocimit me sovranët. Ndërsa, shkrimtari, kritiku dhe eseisti progresist amerikan Randolph Bourne e krahason diplomacinë me një luftë të fshehtë, ku shtetet kërkojnë të fitojnë me intriga, kompensime dhe veprime të mençura, objektiva këto që ata do t’i realizonin me vështirësi nëpërmjet luftës.
Kulme të diplomacisë së fshehtë janë: Kongreset e Berlinit, Londrës, Vjenës, Versajës etj. Siç është vënë në dukje nga personalitete të njohura ndërkombëtare, megjithëse këto evenimente historike botërore lidhen me emra burrash shteti dhe diplomatësh të mëdhenj, rezultatet e tyre ishin zhgënjyese për njerëzimin. Fshehtësia e tyre vrastare çoi në alergjinë ndaj asaj diplomacie; kjo doli më qartë në pah kur filloi gjithnjë e më shumë të dilte në pah dimensioni publik i diplomacisë, ku rolin kryesor e ka pasur SHBA, disa vende të tjera të mëdha dhe organizatat e njohura ndërkombëtare, si OKB, BE, NATO e të tjera.
Për pasojë, diplomati supozohej dhe kërkohej të ishte njeri i pabesueshëm, tinëzar, hipokrit, që nuk e kishte për gjë të gënjente “sy më sy”. Machiavelli citohet të ketë thënë se “diplomacia është institut mashtrimi për të forcuar pushtetin e shtetit përkatës”. Ndaj, diplomatin nuk e besonin as kur thoshte të vërteta fare të padëmshme për të dhe vendin që përfaqësonte. Lidhur me këtë dukuri të zakonshme të diplomatit të atëhershëm, ish-kancelari i hekurt gjerman, një ndër themeluesit e “real diplomacisë”, Otto von Bismarck thoshte se i vinte të qeshte kur shihte se si habiteshin diplomatët kur ai u thoshte të vërtetën “copë në sy”; ata gjithmonë dukej se e dyshonin! Ka autorë që pohonin jo pa humor se e kishin gjetur mënyrën si të mashtronin diplomatët e asaj kohe – u tregonin të vërtetën dhe diplomatët raportonin në qendër të kundërtën! Mirëpo, nga ana tjetër, koha, situatat dhe mbi të gjitha zgjidhja e tyre, kërkonin që diplomati të ishte i thjeshtë, i ndershëm, i vërtetë, i qetë dhe të shfaqej vazhdimisht kudo me kortezinë karakteristike diplomatike. Diçka e vështirë kjo, kur siç u përmend dhe më lart, ambasadorët dhe diplomatët ishin të dërguar të sundimtarëve dhe mbretërve të tyre, pra dhe përfaqësues të synimeve të tyre pushtuese, aneksioniste dhe luftënxitëse. Realiteti i lartpërmendur pasqyrohet qartë dhe në shumë thënie dhe ese për diplomatin dhe diplomacinë, kjo e fundit kryesisht si art mashtrimi. Kështu, sipas eseistit britanik Wayn Catlin, diplomacia është arti i thënurit: “Sa qenush i bukur, derisa të gjeni një gur për ta qëlluar”.
Ish-Kryeministri dhe shkrimtari britanik Beniamin Disrael e përshkruan diplomatin e atyre kohërave si “një person që të tregon se si të shkosh në ferr në një mënyrë të tillë që ti e pret me shumë qejf këtë ‘udhëtim’” . “Diplomati është një person që thotë dhe bën gjërat më të bezdisshme në mënyrën më të këndshme” – Isaac Goldberg. “Ambasadori është një njeri i ndershëm që e dërgojnë jashtë shtetit për të gënjyer për Commonwealth-in” – Wotto Henry. Ndërsa profesori, politikani dhe diplomati i njohur amerikan Adlain E. Stevenson e sintetizon jetën dhe veprimtarinë e diplomatit të përbërë “ nga tre komponentë: protokolli, xhirokolli dhe alkoholi”.
Duke u kthyer te pasojat tejet të dëmshme të diplomacisë së fshehtë të periudhave të kaluara, për t’u dhënë hakun, do thënë se nuk ishin diplomatët dhe diplomacia fajtorët e vetëm e kryesorë për të këqijat që kanë shkatërruar njerëzimin mbarë; ishin në radhë të parë politikat e mbrapshta dhe politikanët aventurierë ata që manifestonin dhe impononin edhe mbi diplomacinë dukuritë e mësipërme, që kërkonin luftëra dhe agresione të pushtuar nga deliri i madhështisë. Lidhur me këtë, eksperti i njohur amerikan i statistikave ndërkombëtare, Herbert F. Spirer citon Bismarck-un, kur thoshte me doza humori: “Ka dy gjëra që njeriu nuk duhet t’i shohë kur “gatuhen” – salçiçet dhe politikën”. Veçse nuk do harruar se qysh gjatë Luftës së Parë Botërore e më tej pati edhe intelektualë, profesorë, akademikë, artistë, shkrimtarë, filozofë dhe shkencëtarë me famë botërore, madje dhe nobelistë që dolën hapur në mbështetje të politikave të mbrapshta të asaj kohe, duke justifikuar dhe mbështetur gjoja qëllimet paqësore të asaj lufte. Lidhur me këtë dukuri, shkrimtari i famshëm francez, Romain Rolland, do të shprehej se “gjithë bota e letrave u mobilizua”. Nuk mund të dalloje më personalitete. Universitetet e asaj kohe ishin kthyer në “ministri të disinformimit të brendshëm”.
Megjithatë, me kalimin e kohës, për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në këtë fushë, shumica e këtyre thënieve, citateve dhe praktikave janë zbehur ndjeshëm ose të paktën janë bërë të diskutueshme; tanimë, ato shërbejnë më shumë si një pikë referuese për të kaluarën e diplomacisë, me qëllim që të shmangen dukuritë e tyre negative në kohët e sotme. Edhe psenë përgjithësi ka mbajtur tiparet e njohura të konfidencialitetit, që e dallojnë atë cilësisht nga fushat e tjera,aktualisht edhe diplomacia zyrtare ka marrë tipare të reja të theksuara publike, qytetare, kulturore, ekonomike dhe parlamentare. Për rrjedhojë, tashmë bëhet fjalë për konceptin e ri modern të “multytrack diplomacy” ose diplomacia me shumë korsi. Në këto kushte, diplomacia, gjithnjë duke iu përmbajtur edhe tipareve të veta pozitive klasike, por jo fshehtësisë ndaj publikut, po bëhet pronë dhe e profesion i një mase më të madhe njerëzish, të të gjithë shtresave, profesioneve dhe moshave. Ndaj dhe librin e ri në këtë fushë e kam titulluar “ Diplomacia për të gjithë”