Dita Botërore e Turizmit/ Ekonomi: Akses për të gjithë në turizëm

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së bashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, në kuadër të 27 Shtatorit, Ditës Botërore të Turizmit zhvilluan një aktivitet pranë kalasë së Tiranës.

Në fokus ishin fëmijët. Nëpërmjet një foto ekspozite ata u njohën me atë çfarë ofron natyra shqiptare. Ministrja Ekonomi në fjalën e saj u shpreh se  “Dita Botërore e Turizmit dhe mesazhi i kësaj dite është  “Akses për të gjithë në turizëm”. Por përse ishin zgjedhur fëmijët për këtë event? Ministrja Ekonomi tha: “Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi fizike për të shijuar bukuritë, qoftë këto bukuritë natyrore, ato të trashëgimisë të kulturore, përfshi ato që jep një sport i veçantë dhe të tjera që lidhen me natyrën që të ofron e gjithë Shqipëria, ne menduam se ky është një mesazh i mirë për t’i dhënë një atraksion të vogël për ta parë Shqipërinë nga këto foto dhe një teatri lëvizës për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë mundësi të shkojnë dhe të shijojnë diçka të natyrës dhe të jenë pranë një atraksioni turistik”.

Ministrja Ekonomi u shpreh se “Dita Ndërkombëtare e Turizmit është një ngjarje e rëndësishme dhe prandaj menduam ta ndajmë në këtë formë”.

Sot, theksoi ministrja Ekonomi,  kemi zhvilluar edhe disa aktivitete të tjera që lidhen me promovimin e mëtejshëm të Shqipërisë turistike në botë duke komunikuar edhe me të tjerë anëtarë të forumeve ndërkombëtare për këtë ngjarje dhe gjithashtu ministria vetë synon që ta vazhdojë Ditën Ndërkombëtare të Turizmit duke promovuar disa zona të tjera turistike në të gjithë Shqipërinë deri në fund të kësaj jave që jemi.

Jemi në diskutim, tha ministrja Ekonomi edhe me Ministrinë e Arsimit për të përdorur atë që njihet si gëzimi i natyrës nga ana e grupmoshave para shkollore dhe shkollimit të hershëm duke përdorur produktet turistike që janë ndërtuar deri më tani. “Ne kemi vizuar shtigjet e Malit të Dajtit dhe duam të rikthejmë tek fëmijët shijimin e natyrës jo vetëm në Dajt. Kemi plot zona në Theth, Tropojë, Pukë, Malësinë e Madhe dhe Malësinë e Jugut dhe për të gjitha këto po përpiqemi të krijojmë mundësi që të jenë të prekshme dhe të frekuentuara nga fëmijët” tha ministrja Ekonomi.

SHKARKO APP