Dita e rinisë së plakur

Dr. Bledar Kurti/Sot, është Dita e Rinisë, por a u realizuan vallë ëndrrat e të rinjve të dhjetorit 1990? S’mund të thuhet me absolutizëm, por jo! Të rinjtë e atëhershëm vetëm sa janë plakur, janë maturuar dhe thinjur nga hallet e jetës dhe nuk besojnë më në utopinë e Shqipërisë si e gjithë Europa.

A është rinia e sotme, çerekshekulli më vonë se ajo postkomuniste, me më shumë shpresë sesa dhjetoristët e 1990-s? Jo. Nuk është. Rinia e sotme është shpresë-boshe. Dhe, fatkeqësisht, nuk dihet se kur shpresa do të kthehet më në këtë vend. Për dy dekada shpresuam që kasta e vjetër do të largohej për t’i hapur rrugën të resë, por kur disa të rinj erdhën në qeverisje, kuptuan se ishin më mjeshtër në truket e vjetra dhe më të vjetër në mendim, më autoritarë dhe më të korruptuar sesa etërit e tyre politikë.

Sot, njëzetepesë vite më vonë, politika vazhdon ta drejtojë popullin për nga e shkuara dhe jo e ardhmja. Kujdes se na kthehet Enveri, ishte truku i asaj periudhe; kujdes se na kthehet Saliu, vazhdon rrenga e sotme. Po e ardhmja? Çfarë do të bëhet me të ardhmen?

Unë jam me të ardhmen, miq, jam me rininë dhe me atë forcë politike që ka në fokus rininë, integrimin dhe Europën. Provincializmin le t’ua lëmë kanibalëve të ëndrrave tona, përdhunuesve të shpresave rinore  dhe xhelatëve të pasionit për ndryshim dhe emancipim.

A arrinte dot një i ri i atëhershëm të imagjinonte se drejtësia në këtë vend do ishte në një gjendje kaq të shëmtuar siç është sot? Që Kuvendi i Shqipërisë do ishte i mbushur me analfabetë, kauboj, klounë, kontrabandistë dhe kriminelë? Që kryetarë bashkish do të ishin prostitues? Që dekadat do dëshmonin për drejtues të administratës shtetërore me 8-vjeçare ose të paarsimuar? Që pas çerekshekulli postkomunizëm, ambasadori i Britanisë së Madhe, do t’u apelonte shqiptarëve të mos votojnë kriminelët dhe trafikantët dhe se nuk do donte që ai vetë të përfaqësohej nga njerëz të tillë në Parlament; apo ambasadori i SHBA-së që u shpreh qartë e saktë në gjuhën shqipe: “unë e di kush… ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja”…

Fjalë të tilla kaq të drejtpërdrejta nga shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës do t’i kishin dhënë zemër rinisë së atëhershme, por sot, ata të rinj tashmë të plakur dhe të rinjtë e sotëm të pashpresë nuk e shohin dot dritën jeshile në horizont, sepse ose janë të lodhur nga call center-at, e vetmja mundësi (tashmë e rrezikuar) punësimi për rininë, apo duke ngritur sytë nga qielli për një përgjigje pozitive të Lotarisë Amerikane apo emigrimit në Gjermani.

Të vetmen gjë që kanë të përbashkët rinia e djeshme dhe kjo e sotmja është propaganda! Bombardimi doktrinal nuk ka reshtur kurrë së imponuari një realitet virtual në mendjen e rinisë. Por, e vërteta është se rinia shqiptare nuk ndan absolutisht të njëjtat ëndrra me rininë europiane, nuk ka të njëjtat shanse dhe zgjedhje si ajo, dhe ka frikë të paimagjinueshme, që bashkëmoshatarët e tyre as që mund t’i perceptojnë.

Ne nuk jemi lindur për t’u kalbur në këtë qoshe të globit, por territori ynë gjeografik apo hapësira mendore është e gjithë bota. Rinia shqiptare është europiane, jo vetëm gjeografikisht, por edhe me zemër, dhe është e drejta e saj e lindur për të qenë e barabartë me rininë europiane. Kërkohet ndryshim, punë, përkushtim, dhe reformim i politikës dhe i gjithë shoqërisë për t’u emancipuar dhe për të ecur paralelisht me vlerat dhe etikën europiane të qytetarisë.

Duhen tre breza antropologjikë për të ndryshuar mendësinë e një populli. Një brez antropologjik përbëhet nga 25 vite, ndaj tre breza përkthehen në 75 vite. Një të tretën tashmë e kemi kaluar, dhe na mbetet edhe gjysmëshekulli, një kohë kaq e gjatë saqë edhe stërnipërit tanë nuk do shijojnë asnjë privilegj të të qenët qytetarë të këtij kontinenti që ka emancipuar një botë të tërë dhe nënshtetas të një shteti që gjendet midis dy civilizimeve më të mëdha në historinë e njerëzimit.

Një pjesë e politikës e ka caktuar datën 8 Dhjetor si ditë proteste. Ata që do e drejtojnë këtë protestë janë vetë bashkautorët e vrasjes së asaj shprese që guxuan të kishin studentët e vitit ‘90. Ndaj, kjo protestë do jetë parada më e shëmtuar e dy dekadave të fundit.

Njerëzimi ka përjetuar krimet nga më barbaret, por nuk ka asgjë më të rëndë sesa vrasja e shpresës në zemrën e një të riu. Kush shuan një shpresë të vetme, ka shuar një botë të tërë. Fatkeqësisht, në këtë ditë të rinisë, asnjë i ri apo e re nuk feston, sepse ky brez u është mirënjohës vetëm prindërve të tyre që janë rropatur tërë jetën për t’i siguruar jetesën, dhe askujt tjetër, aq më pak politikës.

Ndoshta dikush e mban veten si Mesia e politikës shqiptare duke injektuar doza të një shprese të rreme. Ai gënjen veten, sepse asnjë i ri nuk do ndërtojë faltore mbi ideologjinë e tij, ndaj edhe 100 mijë shqiptarë u nisën për në Gjermani vitin e kaluar dhe 200 mijë të tjerë aplikuan për Lotarinë Amerikane. Dhe fatkeqësisht, rinia largohet dita-ditës. Për këtë arsye, edhe intelektualët janë të humbur në heshtjen e tyre dhe të rinjtë e plakur, të cilët i kanë bërë të gjitha: protesta, greva urie etj., nuk e ngrenë më zërin, por merren të distancuar me problemet e tyre.

Në këto ditë të vështira, ku vjedhja, korrupsioni, prostitucioni institucional, servilizmi dhe analfabetizmi në përfaqësim, janë standardizuar si vlerë, idealizmi duket gjëja më e gabuar, megjithatë mbetet e vetmja që mund të ndezë një shkëndijë shprese. Ndaj, rinia e sotme nuk duhet të gjunjëzohet ndaj gijotinës të ndërtuar nga politika për të kapitulluar shpresën. Por ajo të vazhdojë të arsimohet, emancipohet dhe të guxojë të ëndërrojë përtej kafazeve të provincializmit politik shqiptar, duke e kërkuar integrimin, punësimin dhe europianizimin si të drejtën e saj themeltare.

Të gjitha gjërat e mëdha në historinë e njerëzimit janë arritur nga rinia. Ndaj le ti japim asaj më shumë shanse, më shumë hapësira, dhe më shumë shpresë, në mënyrë që edhe vendi ynë të arrijë gjëra të mëdha dhe historike.

SHKARKO APP