Ditmir Bushati nis një kapitull të ri në Harvard
Shumë vite pas angazhimit të tij në politikë, Ditmir Bushati hap një faqe të re në karrierën e tij, këtë herë në fushën akademike.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë në qeverinë “Rama” ka pranuar një ftesë për t’u bashkuar me Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, një nga universitetet më prestigjioze dhe më të vjetra në Shtetet e Bashkuara.
Lajmin e bëri të ditur vetë Bushati përmes faqes së tij zyrtare në “Facebook”, ku njofton se do të angazhohet për këtë vit akademik në projekte kërkimore dhe cikle leksionesh me studentë, pedagogë dhe studiues, duke fokusuar studimet mbi marrëdhëniet SHBA-BE dhe rolin e tyre në konsolidimin e paqes dhe prosperitetit në Europën Juglindore.
“Harvard ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe ide inovative. Kam pasur fatin të vizitoj këtë universitet dy herë më parë: si ministër, ku pata rastin të flas për sfidat e Europës Juglindore, dhe më herët si pjesëmarrës në një program ekzekutiv për negociatat. Tani ndihem nderuar që do të kontribuoj në Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare,” shkruan Bushati.
Qendra, e themeluar në 1958 nga Henry Kissinger dhe Robert Bowie, konsiderohet institucioni më i madh i kërkimit në Harvard mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lidh praktikën me studimet akademike përmes bashkëpunimit global.
Bushati thekson se situata globale dhe rajonale, përfshirë pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, bëjnë të domosdoshme shqyrtimin e politikave dhe modeleve bashkëpunimi SHBA-BE në Europën Juglindore. Ai e konsideron këtë mundësi si një eksperiencë të vyer për të ndarë përvojën e tij dhe për të mësuar nga të tjerët në fushën akademike dhe diplomatike.
KOHA JONË SONDAZH

