Divorc Rama-Meta? Nuk ndodh asgjë deri më 2017

Nga Alfred Lela

Koalicionet qeverisëse prishen për ide(ologji) të mëdha ose për inate/interesa të mëdha. Përveç estetikës, asnjë ideal tjetër nuk e ndan dyshen qeverisëse Rama-Meta, kështu që bashkëjetesa e tyre politike do të vazhdojë, edhe psesublimja e njërit jo gjithmonë takon të mirën e tjetrit. Fatkeqësisht klasa jonë politike, dhe as kredoja e shoqërisë që i mbështet këto elita, nuk e ka arritur ende pjekurinë që ta ndërtojë ose shkatërrojë një koalicion qeverisës bazuar te një ide (al) apo ide(ologji). I mbetet interesit/sherrit/inatit atëherë barra e një prishjeje eventuale, nëse kjo do të ndodhë.

Në ndërkohën që pritet ngjizja e ideales apo plasja e ujërave të zeza të sherrit, ata të dy, Rama dhe Meta, nuk do të jenë ndërtues të marrëdhënies së tyre dhe as të teksturës së koalicionit apo paktit qeverisës. Do të jenë meremetues dhe me këto mbyllje vrimash dhe amendime të herëpashershme do e shtyjnë si ta shtyjnë deri në verën e 2017 kur do të mbahen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Më pak se dy vjet deri atëherë bashkë me kujtesën se koha politike rrjedh shumë më shpejt se koha fizike. Kjo do të thotë se Rama dhe Meta nuk do të jenë aq të padurueshëm për njëri-tjetrin sa ç’duket se janë apo sa ç’duan edhe vetë të japin përshtypjen se janë. Ka, sigurisht, mospajtime mes tyre, të cilat ngritën krye me makinerinë e përbashkët elektorale të zgjedhjeve që sapo shkuan, dhe që me gjasë nuk funksionoi, dhe ndoca tradhti që aleati i madh, me sa dyshohet, i kurdisi më të voglit.

Në prag pret një rikonfigurim i qeverisë, por edhe e shumërrahura reformë në drejtësi. Kushtëzimet e të dyjave janë të forta: Meta do kërkojë edhe më shumë se do jepte në lëshimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa Ramës i duhet të shpaketojë paketën anti-Metë, të cilën ua ka paraqitur ndërkombëtarëve para se koalicioni i 1 prillit të kaurdisej me verë e ngjala.

Ndërkombëtarët janë të palumtur me dy gjëra më shumë se me të tjerat: amatorizmin makroekonomik të qeverisë Rama dhe ‘profesionalizmin’ e llojit homo corruptus të LSI. Ambasadorët e Fuqive të Mëdha janë të interesuar në konstituimin e njëfarë Forumi Ekonomik me ekspertë që do të prodhonte economic policy papers për qeverinë. Paradoksi fillon pikërisht këtu, tek ekonomia pra, sepse bash në këtë damar të dobët ka filluar ta ‘kritikojë qeverinë’ edhe LSI.

Këto kritika mund t’i nënshkruhen si zakonisht fabulës mos e prit degën ku rri vetë, por partisë së Metës i duhet që të rikonfigurojë një zë të përveçëm, edhe pse pa dalë nga koalicioni. Objektivi është i qartë: të paraqiturit e LSI si alternativë për në zgjedhjet e verës 2017. Meta do t’i kërkojë partisë dhe vetes një matje forcash tek për tek në parlamentaret e radhës. Është ndoshta e vetmja mundësi e tij për ta çliruar formacionin që drejton nga stigma tashmë e ngulitur e parazitit. Edhe gjasa e kalimit nga forcë parazitare në pushtet në parti opozitare, Metës mund t’i shërbejë si alternativë spastrimi.

Deri në finale, ajo që pëshpëritet në aktet hyrëse, sa në skenë dhe sa në prapaskenë, nuk do të marrë trajtën e një konflikti të hapur dhe ndarës. Ka njerëz shpresëmirë që presin nga Rama aktin e guximit politik të pabërë nga Berisha pas skandalit Prifti-Meta.

Nuk ka për të ndodhur. Rama vetë është futur thellë në ujërat e errëta të mëkateve politike. Siç thoshte një mik i dikurshëm për Newsweek, Fred Abrahams, atij i është dashur të bëjë kompromise për të arritur te pushteti. Gërryerjet ama do të fillojnë që tani. Acidi i mosbesimit  në marrëdhëniet PS-LSI do ta bëjë punën. Nga kjo mund dhe duhet të përfitojë opozita, jo nga Kepi i Shpresës së Keqe që ofron një pakt i mundshëm me partinë e Metës. Një aleancë e tillë do ta fëlliqte edhe atë pak idealizëm që po mundohet të mbledhë me grushte opozita aktuale.

Mapo

SHKARKO APP