Djali i Servet Pëllumbit: Këshilla që më dha babai kur u futa në politikë
I 18-ti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste të Tiranës, Arben Pëllumbi, është i bindur që do zgjidhet deputet.
Djali i profesorit dhe një prej emblemave të Partisë Socialiste deklaron se PS do marrë më shumë se 71 mandate në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në të parën intervistë televizive, i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Pëllumbi tregoi se e vetmja këshillë që i ka dhënë i ati kur vendosi të futej në politikën e lartë ishte të tregojë vlerat më të larta të moralit, një cilësi që e kishte edhe i ati i tij.
Një biznesmen që futet në politikë, Arben Pëllumbi, tregoi se për të është një sfidë e re në jetë por pa patur asnjë frikë nga vështirësitë, konkurenca, pengesat e gjithçka, probleme që i ka kaluar në këto 27 vjet si biznesmen.
I pyetur nëse ia vështirëson karrierën fakti që gjithnjë do ta cilësojnë djali i Servet Pëllumbit, ai tha:
“Kjo ka të mirën e vet se pse të gjithë më njohin kush jam dhe çfarë backgroundi kam, por nga ana tjetër kjo ka edhe vështirësinë e vet sepse kurrë nuk mund të bie nën një nivel të caktuar. Por unë dhe im vëlla asnjëherë nuk e kemi vënë nën presion babanë me çështje të jetës dhe punës sonë”.
Megjithatë, Arben Pëllumbi, shprehu krenarinë që është djali i profesor Pëllumbit, por sipas tij akoma më shumë ndjehet krenar për mamanë e tij.