Dolce vita shqiptare

 

Ëndrra vazhdo, është bërë një lajtmotiv i tifozerisë shqiptare të futbollit mbas fitores së ekipit tonë kombëtar, në ndeshjet për eleminatoret e Kampionatit Europian, kundër skuadrës kombëtare të Armenisë me rezultatin 2-1. Ngjarja eklipsoi çdo event tjetër politiko – shoqëror në mediat e vendit. Kjo ndeshje për çdo shqiptar ishte sipari i një pranvere plot jetë e gjallëri, e gëzueshme e ëmbël, plot shpresë, ose thënë shkurt një moment dolce vite. Krahasimi i një riti fitoreje me një nga filmat e paharrueshëm të regjisorit italian Federiko Felini me titullin “La Dolce Vita”, ku luajnë aktorët brilantë të botës si Marcelo Mastroiani e Anita Ekberg, i ka të përbashkëta tre elementë shumë të rëndësishëm të botës shpirtërore të dy popujve, atij italian dhe shqiptar. Kujtesa e kujtdo që e ka parë atë film nuk e harron femrën më të bukur të kohës Anita Ekberg, e cila sapo shkeli në aeroportin e Romës u rrethua nga një dyzinë gazetarësh e fotoreporterësh, sikur të kish zbritur një yll nga qielli. Skenat gjigande të një Italie që po ndryshonte çdo ditë, e adhuruar nga çdo turist amerikan apo anglosakson, kish nëntekstin se në çfarë raporti do qëndronte e reja me të vjetrën. Italia e ndjekur nga reporteri Marcelo (Marcelo Mastroiani) po niste rrugën e ndryshimit në të gjitha fushat. Bukuroshja amerikane ishte ngjarja më e rëndësishme e atij mali me ngjarje që kish Italia. Po ngrihej një mit i ri në mediat italiane, profesioni i paparacit si në Amerikë. Popullit i interesonte çdo detaj për ece-jaket e bukuroshes amerikane në rrënojat e Romës së lashtë, nuk i dukej ngjarje asgjë që kish lidhje me grevat e demostratat apo vetvrasjen e një besimtari katolik. Ngjarjet me magji ishin thuajse ushqim i ditës për lexuesin e dëgjuesin apo për audiencën e televizionit italian të vitit 1962. Po ashtu jeta e re çiftit italian ndryshon me ardhjen e bukuroshes amerikane. Marcelo reporter shumë simpatik, i ardhur nga provinca, ka jetën e vet dashurore plot ngjarje spontane, me një të fejuar tipike italiane, aq xheloze e po aq hakmarrëse, ku lëviz bota mentale e brezit të rinisë italiane të viteve 1960-1970. Planet filmike të udhëhequra nga Felini i madh, ta grishin kuriozitetin e Italisë me këtë film edhe sot e kësaj dite. Skanimi i Italisë bëhej nga një brez i ri gazetarësh, të cilët këmbngulnin në detajet e personazheve VIP dhe teknikisht janë më të përparuar se brezi i vjetër. Amerikanizimi i medias do të jetë edhe orientimi i shoqërisë italiane, e cila për kontekstin e kohës kishte një qasje ndaj rrymave komuniste, si europiane, ruse, apo maoiste. Na shfaqet për herë të parë në këtë film, këngëtari  Adriano Celentano, si përkrahës i rrymës së muzikës rrok.

Ka në jetën shqiptare ndopak La Dolçe Vita? Pa diskutim në jetën tonë edhe një ndeshje futbolli e krijon atë njehsim emocional. Homogjenizimi emocional i këtij çasti pretendues për në finalet e kampionatit europian e ka rritur besimin e veprimit të shkuarjes drejt një ngjarje europiane me meritë. Sporti është tashmë një nga industritë argëtuese më të mediatizuara në botë dhe për fat çdo fitore e kombëtares shqiptare kap kuotat maksimale të lajmit. Analogjinë mediatike të filmit me sportin nuk do ta shohim thjesht si aspekt të hapësirës mediatike, por të fuqisë së medias për t’i shqërbyer një ndryshimi shoqëror. Psikologjikisht, tani, jemi ne publiku, i cili kemi rritur shpresën për kualifikim, por edhe vetë lojtarët e kombëtares, pse jo e gjithë Federata Shqiptare e Futbollit, kur pranon faktin që çdo hap ihedhur pas kësaj fitoreje kërkon një tjetër mendësi, apo standart të menduari me njerëz më të kualifikuar e pa eufori. Kemi një fitore të bukur, si Anita e filmit La Dolçe Vita, por edhe një ndryshim mental si prej Marceloje. Ngjarja është mediatikisht filli i ndryshimit e nëse ne si shoqëri jemi të përgatitur për ta ushqyer ëndrrën për të luajtur në finalet e kampionatit europian, brenda koshiencës që tani ka ardhur koha se është bërë më e mira si në përgatitjen psikofizike të ekipit tonë kombëtar, ashtu edhe në përkrahjen e zjarrtë të një tifozerie po aq europiane shqiptare. Kohët e kopjes së shëmtuar të filmit La Dolçe Vita në Shqipërinë e vogël duhet t’i largojmë. Pushtimi nga nostalgjia me filmat si Kapedani, apo Zonja nga Qyteti, ose Qyteti më i Ri në Botë duhet t’i kthehet një refleksioni shoqëror. Kemi patur filma të luajtur shumë mirë nga aktorë të mëdhenj, siç kemi bërë lojra e fitore me ekipin kombëtar me lojtar jashtëzakonisht të mirë, por kur shohim  veten me botën e kuptojmë se filmat ishin për të krijuar kështjellën e izolimit  dhe sporti varfërohej nga ky izolim i çmendur, si nga numri i pakët i ndeshjeve apo përballjeve me kundërshtarët, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturën e sportit  dhe pagesat qesharake të sportistëve. Bojkoti i menjëhershëm i publikut  ndaj ngjarjeve të stisura të poltikës me forcën pozitive të fitores së kësaj kombëtareje tregoi, se shumë media të pasura e përqëndruan aksin mediatik në drejtim të gabuar, me frymën e pritshmërisë së publikut shqipatr. Biznes – media shqipatre u mor tej mase me dy deputetët e pasur, të cilët i fuste e i nxirrte në kurthe makabre pa etikë profesionale. Qytetari i thjeshtë shqiptar është poshtëruar nga biznes media e cila u mor për rreth një muaj me gjahun e deputetëve. Fitorja e kombëtares e rroku thekshëm gëzimin e një kombi, e bëri edhe vuajtjen e më të vuajturit të gjunjëzohet, të na kujtojë se ka një “La Dolce Vita” edhe për këta shqiptarë, kanë të drejtë të ëndërrojnë si gjithë Europa, të luajnë si të barabartë mes të barabartëve. De Biazi, trajneri ynë i kombëtares, është një Çelentano, i cili u shfaq në filmin “La Dolçe Vita” si hero i rrokut italian e padyshim mjeshtri i muzikës moderne italiane. Trajneri i bashkohet ansamblit të ekipit e shpirtit të tifozerisë shqiptare, si në një këngë epike kushtuar besës ndaj mikut e mikpritjes shqiptare. Celentanoja me pashaportë shqiptare, do të dalë një ditë në pankinat e botës, apo në vitrinat e televizioneve botërore si një eminencë e diplomacisë shqiptare, për të rrëfyer një histori shqiptare. Ka nisur si një rrugëtim orteku ëndrra e një kombi dhe duan apo nuk duan të tjerët, ajo do zmadhohet me realizëm e me meritë në sytë e gjithë botës duke na ndryshuar të gjithëve si në filmin me famë botërore “La Dolce Vita”.

Kastriot Kotoni

SHKARKO APP