Dollia e fundvitit me PS, Rama poston pamjet: Mirënjohje për familjen tonë të madhe!
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e fundvitit me anëtarë dhe aktivistë të PS-së, ku atmosfera festive u shoqërua me urime, dolli dhe mesazhe mirënjohjeje. Në pamjet e shpërndara në rrjete sociale, Rama shfaqet i buzëqeshur, duke trokitur gotat dhe përqafuar të pranishmit, ndërsa mes figurave që bien në sy ishte edhe drejtuesja politike e PS-së në Tiranë, Ogerta Manastirliu.
Gjatë aktivitetit, Manastirliu uroi një vit të ri sa më të mbarë dhe të shëndetshëm, duke vënë theksin tek shpresa dhe energjia e mirë për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. ”Sot është një moment për të celebruar, për të uruar njëri tjetrin: një vit sa më të mbarë , sa më të shëndetshëm dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë për një vit plot me shpresë, me energji, me besim se e nesërmja dhe Viti i Ri do jetë shumë i mirë”,-tha Manastirliu.
Nga ana e tij, Rama ngriti disa dolli duke e nisur me një urim për familjet e të pranishmëve, për vajzat dhe gratë pjesëmarrëse, si edhe për mbështetësit e PS-së që sipas tij nuk janë domosdoshmërisht “në vijën e parë”, por kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në Partinë Socialiste.
“Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël te secilës dhe secilit prej jush”, shkroi Rama në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

