Dosja nga Prokuroria e djegies nga Shteti e “KOHA JONE”. Deshmia e Blushit, Fevziut, …
Historia e pa mbyllur e djegies së gazetës së parë të pavarur dhe më të madhe shqiptare “Koha Jonë” natën e 2 mars 1997.
Akoma endet nëpër dyert e drejtësisë historia më tragjike e medias shqiptare, asaj të “Koha Jonë”, e cila jo vetëm është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, porse dhe më e madhja në tërë historinë e medias së lirë. Ajo u bë jo vetëm shkollë e një brezi gazetarësh që sot drejtojnë në të gjitha mediat e shkruara dhe radiotelevizive,por edhe simbol i një gazetarie kurajoze e profesioniste. Ndërkohë vonesa e drejtësisë për ta zbardhur deri në fund na detyron si redaksi e gazetës të fillojmë ciklin e botimit të një morie dokumentash e faktesh që lidhen me këtë ngjarje të kobshme për median.
Ka faksimile e dokumenta zyrtare që vertetojnë faktin ishte SHIK-u dhe Policia e vitit 1997 që ndërmori djegien dhe shkatërrimin e redaksisë së gazetës më të madhe, e cila dilte me 82 mijë kopje në ditë, të cilat shiteshin brenda ditës.
Ishte koha e “Koha Jonë”, kohë të cilën nuk kemi ndërmend ta harrojmë pavarësisht se drejtësia e korruptuar dhe politike shqiptare bën sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Nga ky moment ne do të botojmë dokumenta sekrete nga dosja hetimore që fillon me datë 3 mars 1997 e deri më sot.
Po fillojme botimin e deshmive në prokurori të Ben Blushit kryeredaktor në vitin 1997 dhe Blendi Fevziut kryeredaktor i revistës “AKS”, filial i kësaj gazete. Dhe ne cdo numer gazete do te vazhdojme me emra te tjere nga dosja sekrete e prokurorise. Dhe vijon me deshmite qe ndodhen ne dosjen sekrete te Prokurorise se Tiranes, e cila ka rene ne duart e Gazetes keto dite.
Ben Blushi:Amerikani Charls Wollsh më tha se redaksia “KOHA JONË” po digjet në flakë dhe ka trupa policie
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?
Përgjigje: Unë në kohën për të cilën po më pyesni, kam qenë Kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. Mesa me kujtohet, atë ditë kishte hyrë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Prej disa javësh, gazeta “Koha Jonë” ishte nën kërcënim, për shkak të raporteve të tensionuara me Qeverinë, sepse kishte mbajtur hapur anën e protestuesve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Mesa më kujtohet më datë 02.03.1997, redaksinë e gazetës e kemi mbyllur vonë, rreth orës 12.00 të natës. Kam shkuar në shtëpi dhe rreth orës 04.30, jam telefonuar nga një shtetas i huaj amerikan dhe më ka thënë se diçka po ndodhte në redaksi. Emri i këtij shtetasi është Charls Ëollsh, i cili punonte në Ambasadën Amerikane. Ai në telefon më tha se tek redaksia kishte trupa policie dhe shumë zhurmë. Po kështu më tha se nga informacionet që kishte, në redaksinë e gazetës kishte edhe flakë. Situata ishte e rëndë dhe për këtë arsye, nuk kam dalë nga shtëpia. Në mëngjes rreth orës 08.30, kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar në redaksi. Aty kam parë se gjithçka në redaksi ishte djegur. Jashtë në oborrin e redaksisë, jemi takuar të gjithë gazetarët dhe me Nikoll Lesin i cili ishte pronar i gazetës.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, një natë më parë kur ju mbyllët redaksinë dhe u larguat për në banesë, a jeni takuar me gazetarin Zamir Dule?
Përgjigje: Unë dua të them se Zamiri, kishte kohë që flinte në ambjentet e redaksisë, në bodrumin e saj. Atë natë nuk mbaj mend nëse e kam takuar, por të nesërmen nga kolegët mësova se në kohën që redaksia ishte djegur Zamiri ishte duke fjetur në bodrum. Po kështu kam mësuar se Zamirin e kishin marrë persona, me dhe pa uniformë, të cilin e kishin shoqëruar në një Komisariat të Policisë së Tiranës së bashku me shoferin e Nikoll Lesit, Anesti Nikollën.
Gjë tjetër nuk kam për të shtuar dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi m’i lexojnë, i firmos pa vërejtje.
Blendi Fevziu: Unë deshmitari i djegies së “KOHA JONE”
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?
Përgjigje: Unë në kohën për të cilën po më pyesni kam qenë Kryeredaktor i revistës “AKS” që botohej nga gazeta “Koha Jonë”. Mesa më kujtohet, atë ditë kishte hyrë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Prej disa ditësh gazeta “Koha Jonë” ishte nën kërcënim, për shkak të raporteve të tensionuara me qeverinë sepse kishte mbajtur hapur anën e protestuesve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Mesa më kujtohet më datë 02.03.1997, në redaksinë e gazetës puna ka mbaruar vonë, ndoshta pas orës 12.00 të natës. Unë kam vijuar ende faqosjen e revistës me Suad Barbullushin dhe kemi mbaruar rreth orës 12.30. Kam shkuar në shtëpi e cila ndodhej jo më shumë se 100 metra nga selia e gazetës “Koha Jonë”, në një rrugicë në të njëjtën rrugë. Nuk kisha fjetur ende, kur më telefonoi Nikoll Lesi dhe më tha se kishte marrë njoftim se po ndodhte diçka në selinë e gazetës “Koha Jonë”. Orën nuk e mbaj mend. Ai më kërkoi që të lidhesha me Njazi Kosovrastin, një i njohuri im dhe ministër i Pushtetit Lokal dhe të shihja se ç’mund të bëhej. I telefonova Kosovrastit, por në shtëpinë e tij nuk gjendej njeri dhe nuk u përgjigj askush.
Pak minuta më vonë dola nga shtëpia duke kaluar jo në rrugë, por nga një derë e brendshme në shtëpinë e komshiut që kishte murin ballor në rrugën “Qemal Stafa”. Isha jo më larg se 100 metra nga redaksia dhe pamja nuk ishte e qartë. Përballë redaksisë dalloheshin 2 ose 3 makina fuoristrada dhe një furgon i bardhë. Furgoni i mbyllur dallohej më qartë dhe disa minuta më vonë më kaloi përpara duke ecur nga rruga “Qemal Stafa”, në drejtim të malit të Dajtit. Në momentin që u afrova fare pak, dallova flakë nga kati i dytë dhe i tretë. Dëgjoheshin edhe thirrje njerëzish, por unë nuk munda të afrohem më shumë pasi kisha frikë se dallohesha. Makinat ikën më pas në dy drejtime të ndryshme, disa duke u kthyer në rrugicën e Shkollës së Kuqe, disa të tjera në drejtim të Pazarit të Ri. Nuk e di sa ndjenja atje, por më vonë u ktheva sërish në shtëpi dhe njoftova disa nga gazetarët, midis të cilëve edhe Nikollë Lesin dhe Skënder Minxhozin.
Në mëngjes rreth orës 09.00 kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar në redaksi. Aty kam parë se gjithçka në redaksi ishte djegur. Ishte djegur edhe e gjithë puna që kishim bërë për revistën dhe zyra ku kishim punuar deri vonë. Jashtë në oborrin e redaksisë jam takuar me Ben Blushin dhe Skënder Minxhozin, Nikoll Lesin, Martin Lekën dhe Emin Barçin. Prej aty kemi shkuar tek Bar Ëest, ose Fideli siç njihej që po ashtu qe qëlluar dhe djegur gjatë natës. Mbaj mend që kishim frikë dhe aty, në trotuar, vendosëm që të mos dalë numri i nesërm dhe asnjë numër për sa kohë do të duhej të paraqiteshim në Këshillin e Censurës. Për këtë çështje kam tentuar disa herë të gjej ndonjë mundësi më shumë për të kuptuar, por nuk ka qenë e qartë. Kam pyetur ndër të tjerë në intervista televizive ndër vite ish-kryeministrin Aleksandër Meksi, ish-Presidentin Berisha dhe ish-drejtorin e Policisë, Agim Shehu, por këta janë shprehur se nuk kanë patur dijeni për këtë. Mesa më kujtohet me z.Shehu, intervistën e kam bërë këtë vit, në muajin mars.
Pyetje:Na thoni ju deklarues, një natë më parë kur ju mbyllët redaksinë dhe u larguat për në banesë, a jeni takuar me gazetarin Zamir Dule?
Përgjigje: Jo, nuk mbaj mend të jem takuar me Dulen.Gjë tjetër nuk kam për të shtuar dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi m’i lexojnë i firmos pa vërejtje.
MARTIN LEKA
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, ku është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në kohën për të cilën po më pyesni, kam qenë i punësuar në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, si zv/Kryeredaktor dhe Shef i Sektorit Politik. Më datë 02.03.1997, kam punuar në redaksi së bashku me kolegët e mi deri rreth orës 22.00 dhe më pas jam larguar për në shtëpi.
Mesa më kujtohet 2-3 ditë, para datës 02.03.1997, isha kthyer nga qyteti i Vlorës, ku bashkë me gazetarin Frrok Çupi, kishim përcjellë ngjarjet që zhvilloheshin në qytetin e Vlorës, vend ku filluan protestat e ashpra antiqeveritare. Nga Vlora, mbaja kontakt telefonik me redaksinë dhe mbaj mend që kam raportuar momentin e hapjes së depove të armëve në Vlorë dhe luftën që filloi atë natë në Vlorë. Kolegëve të mi në Tiranë, nuk u besohej ajo çfarë unë raportpoja si përshembull, sesi qëllohej me armë dhe deri tek flakëhedhëset. Rrugës në kthim për në Tiranë, me gazetarin Frrok Çupi, me makinën e gazetës “Koha Jonë”, na kanë ndjekur dy makina me targa të huaja. Brenda në këto makina kishte njerëz të armatosur, pasi ne i pamë vetë, meqënëse njëra prej tyre na parakaloi dhe makinën tonë e futën në mes. Duke pasur shumë dyshime, se po na ndiqnin, për të na vrarë, ulëm shumë shpejtësinë dhe makina që ishte pas nesh u detyrua të na parakalonte. Në fshatin Bubullimë, të qytetit të Lushnjës, në një rrugë të drejtë, në momentin që makina e dytë me targa të huaja na parakaloi, nga një rrugë dytësore doli një makinë me targa policie dhe u vu në një kolonë me makinat me targa të huaja që po na ndiqnin që nga qyteti i Vlorës. Ne ulëm më tepër shpejtësinë për të krijuar largësi nga tre makinat, por ato ruanin të njëjtën largësi me ne. Në këto kushte, ne u kthyem mbrapsht për në Vlorë, menjëherë pamë që njëra makinë me targa të huaja u kthye dhe na u vu në ndjekje. Makina jonë ka shtuar shpejtësinë dhe kemi mbërritur për në Vlorë, vend ku makina që na ndiqte e ndërpreu ndjekjen. Këto makina ishin padyshim të Shërbimit Informativ Shqiptar pasi kishin bashkëpunim edhe me Policinë. Të nesërmen jemi kthyer në redaksi duke ndërruar gjatë rrugës gjashtë makina, pasi makinën tonë e nisëm vetëm me shoferin.
Duke iu kthyer datës 03.03.1997, unë kam vajtur në redaksi nga ora 09.00. Me të mbërritur, kam vënë re se redaksia ishte tërësisht e djegur dhe muret e saj ishin qëlluar me armë, pasi kishte shenja të shumta plumbash. Gjëja e parë që kam bërë, kam shkuar në zyrën time në katin e dytë, për të parë se cila ishte gjendja, pasi në kompjuterin tim kisha të gjithë arkivin personal, që nga krijimi i gazetës “Koha Jonë”. Konstatova që e gjithë zyra ishte djegur, së bashku me të gjitha orenditë dhe mjetet e punës. Kam dalë jashtë në oborrin e redaksisë ku ishin grumbulluar të gjithë kolegët e mi dhe aty kam mësuar se personat që kishin djegur redaksinë ishin të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policia, Po kështu, kam mësuar se Zamir Dule, i cili ishte gazetar i gazetës “Koha Jonë” , i cili flinte në bodrumin e redaksisë, ishte marrë së bashku me shoferin e Nikoll Lesit dhe me rojen e redaksisë, nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe se nuk dihej ku ishin dërguar. Faktin se redaksia ishte djegur nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia, ma ka konfirmuar më pas një banor i pallatit përballë, emrin e të cilit nuk e mbaj mend, por si fytyrë e njoh. Ky person më ka thënë se natën e datës 02.03.1997 duke hyrë data 03.03.1997, kishte parë nga dritarja rreth orës kur ishte djegur gazeta, persona me uniformë Policie, duke hyrë në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Këto persona ishin me makina të vogla Policie. Pas djegies së redaksisë, ne jemi shpërndarë pasi gazeta nuk mund të botohej dhe unë jam fshehur për disa ditë, në periferi të Tiranës, pasi këtë veprim ma rekomanduan edhe disa njerëz të cilët ishin të lidhur me Shërbimin Informativ Shtetëror, me të cilët unë kisha lidhje pasi isha gazetar, emrin e këtyre personave nuk i mbaj mend, pasi ka kaluar shumë kohë.
Mesa më kujtohet, ditë para djegies së redaksisë, gazeta “Albania”, që ishte një gazetë pranë Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, kishte shkruar një editoral ku bënte thirrje për lincimin (rrahjen, dhunimin etj) e gazetarëve Martin Leka, Frrok Çupi, Benet Koleka (agjencia Rojter), Merita Dhimgjoka (gazetare e agjencisë amerikane të lajmeve) etj. Më vonë kam mësuar se këtë artikull, pa emër, e kishte shkruar Mero Baze. Me këtë desha të theksoj se gazetarët e gazetës “Koha Jonë” përndiqeshin dhe suvrejoheshin, vazhdimisht nga struktura shtetërore, pasi gazeta ishte opozitare dhe mjaft kritike me qeverinë e asaj kohe. Ndaj gazetarëve të gazetës “Koha Jonë” është ushtruar presion vazhdimisht, nga njerëz të veshur me pushtet, po të hapësh arkivat e gazetës janë një numër i madh gazetarësh të dënuar e dhunuar fizikisht nga Policia.
Theksoj se unë personalisht, jam arrestuar, dënuar dhe kam bërë 3 muaj burg, pasi në vitin 1994 unë kisha botuar një shkrim kritike në gazetën “Koha Jonë” ndaj ministrisë së Mbrojtjes, po kështu theksoj se edhe ish-Kryeredaktori Aleksandër Frangaj, është dënuar po për këtë shkrim.
Sipas meje e gjithë kjo që ka ndodhur, nuk ka asnjë dyshim se është vepër e qeverisë së asaj kohe.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i firmos pa vërejtje.
ILIR BABARAMO
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, ku është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në kohën për të cilën po më pyesni, unë kam qenë i punësuar në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, si gazetar i politikës. Më datë 02.03.1997, kam punuar në redaksi së bashku me kolegët e mi deri rreth orës 22.30 dhe më pas unë jam larguar për në shtëpi. Mënyra sesi largoheshim nga gazeta qenë: niseshin 3-4 veta me automjetin e redaksisë, i cili na dërgonte për në banesat tona. Mbaj mend që kur jam larguar unë, një makinë civile, me targa të huaja, e cila qe parkuar para redaksisë dhe ne dyshonim se ishte e Shërbimit Informativ Kombëtar, ka ndjekur furgonin me të cilin po bëhej transporti i gazetarëve.
Të nesërmen, më datë 03.03.1997, kam dëgjuar nga radio që mbanim për komunikim mes kolegëve, se ishte djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”, gjatë natës. Kam vajtur menjëherë në redaksi, duke patur një ndjenjë frike, pasi situata ishte tejet e rënduar politikisht dhe se ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Kur kam hyrë në oborrin e redaksisë, kam vënë re se godina ishte e djegur dhe se në muret e godinës së redaksisë kishte shenja të shumta plumbash. Kam hyrë brenda në redaksi dhe kam vënë re se gjithçka ishte djegur, nga arkivi i gazetës, deri tek kompjuterat.
Mesa më kujtohet, jemi mbledhur të gjithë para redaksisë dhe ishim të terrorizuar për çfarë kishte ndodhur. Aty kam mësuar nga kolegët dhe konkretisht Ilir Gjoni, Enton Abilekaj etj, se gazeta ishte djegur nga persona të shtetit të veshur me uniformë policie dhe persona civilë të armatosur, si shenjë hakmarrje, pasi gazeta jonë ishte kritike ndaj veprimeve të qeverisë së asaj kohe. Po kështu kam mësuar, se gazetari Zamir Dule, i cili flinte në bodrumin e redaksisë, si dhe shoferi i Nikoll Lesit e roja i redaksisë Arben Tahiri, ishte marrë nga personat që kishin djegur redaksinë dhe vendodhja e tyre nuk dihej, deri në atë moment.
Po atë ditë, dy miq të mij, gazetarë të huaj zvicerianë, më kanë marrë dhe më kanë strehuar në ambasadën Zviceriane në Tiranë. Në kohën që jamë futur në ambasadën Zviceriane, më kanë kërkuar nëse kisha nevojë për strehim politik, si gazetar i gazetës “Koha Jonë”. Kjo ndodhi pasi unë dhe gazetarë të tjerë të gazetës “Koha Jonë”, ishim me të vërtetë të kërcënuar nga shteti i asaj kohe.
Pas disa ditësh, kam mësuar se gazetarin Zamir Dule, personat që dogjën redaksinë e kishin marrë, keqtrajtuar dhe shoqëruar në Polici së bashku me shoferin e Nikoll Lesit.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i firmos pa vërejtje.
PASHK TUSHA
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, ku është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në atë periudhë unë kam qenë Kryetar i Degës së Sigurimit të Objekteve të Rëndësishme Shtetërore, në Ministrinë e Brendshme. Mesa më kujtohet atë natë, z.Nikoll Lesi më ka marrë në telefon në banesë rreth orës 01.00 dhe më ka kërkuar ndihmë shoqërore dhe miqësore, për të dërguar punonjës policie në vendngjarje, për të identifikuar autorët dhe për ta ndihmuar me forca policore në shuarjen e zjarrit tek redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Shqetësimi i Nikollës, në bisedën telefonike ka qenë i lartë dhe Nikolla më ka mbyllur telefonin në bisedë e sipër, pa më sqaruar dhe pa dëgjuar mendimet e mia në lidhje me veprimet që duhej të kryente.
Theksoj se në atë kohë, nuk kisha kompetencë institucionale për t’u dhënë urdhra forcave të Policisë së Tiranës, për të vajtur në vendin e ngjarjes. Mesa më kujtohet, menjëherë kam marrë në telefon mikun tim Tonin Voci, i cili ishte me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë nr.3. Toninit i kam bërë prezente ngjarjen, sipas informacionit që më dha në telefon Nikoll Lesi, ndërsa me zjarrfikësit nuk arrita të komunikoja. Të nesërmen, kam vajtur në punë dhe kam lexuar në komunikatën 24-orëshe të situatës operative në ministri, se ishte djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Motivet apo autorët e kësaj ngjarje, nuk më kujtohet që t’i kem lexuar. Më pas, kjo ngjarje është bërë publike nga vetë Nikoll Lesi.
Më datë 16.03.1997, unë kam qenë me detyrën e drejtorit të Policisë Qarkut Tiranë. Nikoll Lesi, më ka kërkuar takim zyrtar dhe me sa më kujtuhet, e kam pritur atë në prani të zv/drejtorit Mariglen Shapllo. Thelbi i këtij takimi ka qenë ngjarja e djegies së redaksisë, ku Nikoll Lesi akuzonte punonjës të SHIK-ut dhe Gardës në djegien e gazetës. Për këtë informacion, unë e kisha të pamundur që të kontaktoja me organin e Prokurorisë, për të bërë veprime të mëtejshme rreth kësaj ngjarje, pasi siç e dini, në atë kohë situata kriminale në Tiranë ishte shumë e rëndë. Theksoj se z.Lesi, i kam thënë se për çdo të dhënë që kishte ai në lidhje me këtë ngjarje, të shkonte të deklaronte në Prokurori, pasi unë e dija shumë mirë se Prokuroria kishte filluar një procedim penal. Përveç informacionit mbi ngjarjen, Nikoll Lesi, më ka kërkuar marrjen e masave për mbrojtjen e jetës së tij dhe të familjes, pasi sipas Nikollës, kishte presione dhe kërcënime, telefonike, nga punonjës të SHIK-ut dhe Gardës, deri në asgjësimin e tij familjarisht. Po në muajin mars, më vonë, banesa e Nikoll Lesit është sulmuar nga njerëz të armatosur, deri me granata dhe për këtë, data nuk më kujtohet, por rreth orës 24.00, Nikolla më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar ndihmë, për t’i shpëtuar jetën e tij dhe të familjes. Kam dhënë dy herë urdhër, shefit të Komisariatit të asaj kohe, Sali Shehut, që të merrte masa urgjente, për të parandaluar ngjarjen. Urdhri im nuk u zbatua dhe Nikoll Lesi, përsëri më ka marrë në telefon dhe me thotë “asnjë forcë policore nuk po më vjen në ndihmë”. Mesa më kujtohet, jam lidhur në telefon me ish-kryetarin e grupit të shoqërimit të Presidentit që quhet Arjan, mbiemri nuk më kujtohet, për t’i shkuar në ndihmë Nikoll Lesit, për faktin se Nikolla më thonte se janë punonjës të Gardës. Me vajtjen e këtij të fundit në vendngjarje, situata është normalizuar plotësisht, pasi më mori në telefon Nikolla, më falënderoi dhe më tha se Arjani e kishte zgjidhur situatën dhe autorët sipas Nikollës, ishin po ata që kishin djegur gazetën pak kohë më parë, por më të shumtë në numër dhe me armatim më të madh.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë e sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i firmos pa vërejtje.
TONIN VOCAJ
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, ku është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në lidhje me sa më pyesni, unë nuk kam asnjë lloj dijenie. Në atë kohë, unë kam kryer detyrën e Shefit të Policisë së Rendit, në Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë. Djegien e kësaj redaksie e kam mësuar të nesërmen, nga komunikimet me kolegët e mi të punës.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a keni dijeni në lidhje me shoqërimin e shtetasve, Zamir Dule, gazetar i gazetës “Koha Jonë” dhe Anesti Nikolla, shofer i pronarit të gazetës “Koha Jonë”, Nikoll Lesit, më datë 03.03.1997?
Përgjigje: Datat nuk më kujtohen, por mbaj mend se gazetarin Zamir Dule dhe një shofer të gazetës “Koha Jonë”, emri nuk më kujtohet, i kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.3, tre shtetas që në Komisariat janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Arsyetimi që kanë përdorur punonjësit e Shërbimit Informativ për shoqërimin e tyre, ka qenë qarkullimi në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme. Në momentin e shoqërimit, me punonjësit e Shërbimit Informativ, kam marrë takim unë, Shefi i Komisariatit të Policisë, Gazmend Noga dhe Shefi i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati. Ne u kemi kërkuar punonjësve të Shërbimit Informativ që të identifikohen, me qëllim që emrat e tyre të shënoheshin në Librin e Shoqërimit të Shtetasve në Komisariat, por ata nuk pranuan që të identifikohen dhe ne vendosëm që t’i mbajmë të shoqëruarit në Komisariat edhe pa u identifikuar punonjësit e Shërbimit Informativ, duke parë që edhe situata ishte e tensionuar.
Të nesërmen, të dy këta persona i kemi liruar nga Komisariati.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a kishin dëmtime fizike, dy personat e shoqëruar?
Përgjigje: Nuk mbaj mend nëse kishin dëmtime fizike.
Pyetje: Në deklarimin e tij, shtetasi Anesti Nikolla, ka deklaruar se njëri nga personat që e kishte shoqëruar, po e qëllonte atë dhe Zamirin, në ambjentet e Komisariatit (birucë) dhe se ka qenë ndërhyrja juaj dhe e personit me emrin “Gazi” të cilët kanë bërë të mundur ndërprerjen e sulmit fizik ndaj tyre. Çfarë keni për të thënë në lidhje me këto deklarime?
Përgjigje: Nuk më kujtohet ky moment, pasi situata ka qenë e tensionuar dhe në korridorin e Komisariatit ka patur shumë punonjës policie.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a janë regjistruar në Librin e Regjistrimit të Shtetasve të Shoqëruar në Komisariat, shtetasit Anesti Nikolla dhe Zamir Dule?
Përgjigje: Unë mendoj se janë regjistruar, pasi ne kemi bërë debat me punonjësit e pretenduar të Shërbimit Informativ, nuk kanë pranuar të identifikohen dhe kanë kërkuar që t’i dërgojnë të shoqëruarit në një Komisariat tjetër, kam ndërhyrë unë duke u thënë se ne i mbajmë edhe pa u identifikuar ju dhe kështu vepruam, i mbajtëm.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, me çfarë mjeti i kanë sjellë këta dy persona në Komisariatin nr.3?
Përgjigje: Nuk e mbaj mend mirë, por di se në Komisariat është bllokuar dhe një automjet i gazetës “Koha Jonë”, të cilin e kemi lëshuar së bashku me personat e shoqëruar.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë e sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.
Alfred Peza
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?
Përgjigje:Në vitin 1997, unë kam qenë gazetar, me detyrën e shefit të kronikës në gazetën “Koha Jonë”. Më datë 02.03.1997, si çdo ditë kemi punuar në ambjentet e redaksisë “Koha Jonë”, që ndodheshin në afërsi të shkollës së “Kuqe”. Situata ka qenë e tensionuar, për shkak se atë ditë Parlamenti shqiptar shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe rizgjedhjen e z.Berisha si President i Republikës, për mandatin e tij të dytë. Në atë kohë, gazeta jonë ka qenë gazeta më e madhe në Shqipëri dhe opozitare. Puna atë natë ka mbaruar rreth orës 24.00. Pas punës kam shkuar në shtëpi. Para se të largohesha nga redaksia, kam takuar tek shkallët brenda redaksisë, kolegun dhe mikun tim të ngushtë Zamir Dulen, i cili kishte disa muaj që flinte në mabjentet e redaksisë së gazetës. Duke qenë se atë natë situata kishte precipituar dhe në periferi dëgjoheshin të shtëna armësh, i kërkova Zamirit që të vinte dhe të kalonte natën në shtëpinë time, e cila ndodhej jo shumë larg nga redaksia. Zamiri u mendua dhe më pas më tha që do të qëndronte në redaksi, pasi nuk kishte çfarë të ndodhte dhe nëse nesër situata do përkeqësohej edhe më shumë, më tha se do të vinte në shtëpinë time.
Mesa më kujtohet, unë jam larguar nga redaksia me Ben Blushin kryeredaktor i gazetës; Ilir Gjoni, Emin Barçi dhe Ylli Dylgjeri, të cilët ishin gazetarë.
Të nesërmen, më datë 03.03.1997, kam shkuar në redaksi rreth orës 08.30 dhe të parin që kam takuar në trotuarin përballë redaksisë ka qenë Nikoll Lesi, pronar i gazetës “Koha Jonë”. Menjëherë dallova që Nikolla ishte shumë i shqetësuar. E pyeta se çfarë kishte dhe ai m’u përgjigj, duke më treguar godinën e redaksisë dhe tha: “na e kanë djegur”. Vrapova brenda në redaksi dhe që në korridorin e katit të parë, dallova djegien dhe shkatërrimin total të ambjenteve dhe pajisjeve të redaksisë. Menjëherë kërkova të takoja Zamirin, pasi siç thashë më lart, ai flinte në redaksi. Nuk munda ta gjej, pasi me sa më thanë, e kishte marrë policia së bashku me një rojen e natës së redaksisë, që mesa më kujtohet e ka pasur emrin Beni.
Menjëherë pas kësaj, takova Nikollën dhe e këshillova që të shkonte urgjent në Komisariatin e Policisë nr.1, për të bërë denoncimin zyrtarisht për djegien e redaksisë dhe njëkohësisht të kërkonte shpjegime në lidhje me Zamirin dhe shoferin e tij Anestin dhe rojen, Benin.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, çfarë mësuat më pas, në lidhje me djegien e redaksisë dhe shoqërimin e Zamir Dules në Polici?
Përgjigje: Pas ngjarjes, para redaksisë kanë ardhur disa nga banorët e pallatit përballë, të cilët na thanë se diku rreth orës 01.00-02.00, të datës 03.03.1997, kanë dëgjuar zhurma dhe ulërima në oborrin e ambjenteve të redaksisë “Koha Jonë”. Ata thanë se kishin parë persona të armatosur, civilë dhe me uniformë të cilët ishin futur brenda ambjenteve dhe i kishin vënë zjarrin redaksisë dhe pas 20-30 minutash ishin larguar.
Dua të theksoj se më datë 03.03.1997, kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen e gazetarëve të huaj në Shqipëri. Në redaksi erdhi një gazetar i gazetës italiane “Corriere della Sera”, me mbiemrin Ipolito, i cili më kërkoi që ta shoqëroja për në Vlorë, pasi gazeta ku unë punoja ishte djegur dhe nuk do të botohej për disa ditë. Pasi u konsultova me kolegët, u nisa me një taksi në drejtim të Vlorës së bashku me gazetarin italian. Në Fier, në qafën e Koshovicës, më kanë ndaluar forca me uniforma ushtarake, të armatosur dhe më shoqëruan në policinë e Fierit. Më kanë mbajtur në Komisariat 48 orë dhe më kanë torturuar, duke ushtruar ndaj meje dhunë fizike. Arsyeja për të cilën më shoqëruan në Komisariat dhe më torturuan ishte se unë isha gazetar i gazetës “Koha Jonë”.
Zamirin e kam takuar pas disa ditësh, kur erdhi në shtëpinë time për të më vizituar, pasi unë isha në regjim shtrati. Ai më tregoi se në natën e datës 02.03.1007 – 03.03.1997, ai ishte në gjumë në një dhomë, e cila ndodhej në bodrumin e godinës së redaksisë. Disa persona e kishin marrë forcërisht duke e goditur dhe i vendosur një thes në kokë, më pas e kishin dërguar në një nga komisariatet e Policisë së Tiranës, së bashku me shoferin e Nikoll Lesit, shtetasin Anesti Nikolla. Zamiri ishte i dhunuar fizikisht dhe m’u duk i terrorizuar psikologjikisht, pasi herë pas here u kërkonte familjarëve të mi të dilnin dhe të shikonin nëse jashtë shtëpisë kishte persona të dyshuar. Që nga ajo kohë, Zamiri, nuk u kthye më në gazetari, gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u rënduar. Mesa di unë, Zamiri ka disa vite që merr një pension të veçantë, për paaftësi dhe është pranë familjes së tij në Korçë.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia dhe pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.
Skënder Minxhozi
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” më datë 03.03.1997?
Përgjigje: Në kohën për të cilën ju po më pyesni, unë kam qenë gazetar i gazetës “Koha Jonë”, shef i Sektorit të Komentit. Mesa më kujtohet më datë 02.03.1997, jam larguar nga godina e redaksisë, pasi kam mbaruar punë rreth orës 22.00. Mesa më kujtohet rreth mesnatës, më ka marrë në telefon në shtëpi, kolegu im Blendi Fevziu, i cili banonte pranë redaksisë së gazetës “Koha Jonë” dhe më thotë, redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjet. Unë u trondita shumë nga ky lajm, por nuk bëja dot asgjë dhe nuk mund të dilja nga shtëpia, pasi situata në rrugët e Tiranës qe tejet e rënduar. Menjëherë kam marrë radion, të cilën e përdornim për të komunikuar mes kolegëve dhe më është konfirmuar edhe në radio se redaksia po digjej dhe se në hyrje të redaksisë dëgjoheshin të shtëna armësh. Dua të theksoj se nuk më kujtohet se kush më ka konfirmuar një fakt të tillë në radio, pasi kanë kaluar shumë vite dhe ne përdornim shifra dhe jo emra në radio.
Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 08.30, kam vajtur në redaksi dhe kam parë se redaksia ishte djegur tërësisht në katin e parë dhe kati i dytë ishte djegur plotësisht, në katin e tretë flakët nuk ishin ngjitur. Baza materiale e katit të parë dhe të dytë qe dëmtuar dhe vjedhur.
Të gjitha ambjentet dhe oborri, qenë të mbushura me ujë dhe e gjithë arkiva e gazetës ishte hedhur jashtë në oborr.
Kur jemi takuar të gjithë kolegët, në oborrin e gazetës, unë mësova se gazetari Zamir Dule dhe një shofer i gazetës qenë marrë forcërisht nga persona të armatosur me dhe pa uniformë, të cilët dogjën redaksinë e gazetës. Unë dua të shtoj se gazetari Zamir Dule flinte në ambjentet e gazetës në atë kohë.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, një natë më parë kur ju mbyllët redaksinë dhe u larguat për në banesë, a jeni takuar me gazetarin Zamir Dule?
Përgjigje: Unë dua të them se Zamiri kishte kohë që flinte në ambjentet e redaksisë, në bodrumin e saj. Atë natë nuk mbaj mend nëse e kam takuar, por të nesërmen, nga kolegët mësova se në kohën që redaksia po digjej, Zamiri ishte duke fjetur në bodrum. Po kështu, kam mësuar se Zamirin e kishin marrë persona me dhe pa uniformë, të cilin e kishin shoqëruar në një komisariat të Policisë së Tiranës së bashku me shoferin e Nikoll Lesit, Anesti Nikollën.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë e sa më sipër janë thëniet e mia, pasi mi lexojnë i firmos pa vërejtje.
Ylli Dylgjeri
Pyetje: Na thoni ju deklarues, çfarë dini ju në lidhje me djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, më datë 03.03.1997?
Përgjigje: Në vitin 1997, unë kam qenë gazetar, me detyrën menaxher në gazetën “Koha Jonë”. Më datë 02.03.1997, si çdo ditë kemi punuar në ambjentet e redaksisë “Koha Jonë”, që ndodheshin në afërsi të shkollës së “Kuqe”, ish-ambasada vietnameze, në atë kohë pronë private e një shtetasi që unë tani nuk ia mbaj mend emrin. Ne ishim qeramarrës në këtë objekt. Situata ka qenë e tensionuar, lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, më datë 02.03.1997. Në atë kohë, gazeta “Koha Jonë” ka qenë gazeta opozitare me tirazhin më të madh në vend. Unë kam mbaruar punë atë natë rreth orës 24.00. Pas punës kam shkuar në shtëpi dhe më kujtohet se biçikletën time e kam lënë në ambjentet e brendshme të redaksisë. Para se të largohesha, nga redaksia, kam takuar dhe jam përshëndetur me Ben Blushin, kryeredaktori i gazetës, Ilir Gjonin, Emin Barçin dhe Alfred Pezën, të cilët ishin gazetarë.
Atë natë ne gazetarët, po kalonim ankthin e situatës, rreth orës 03.20, pas mesnate më ka telefonuar Blendi Fevziu, gazetar i revistës “Klan”, i cili ishte me banim pranë redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Blendi në telefon më tha nëse kisha mësuar se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej. Një kohësisht më tha se kishte parë flakë dhe tym që dilte nga redaksia. Njëherësh, më tregoi se në ato çaste ishin dëgjuar edhe të shtëna armësh. Pasi kam mbaruar telefonatën me Blendin, kam telefonuar menjëherë pronarin e gazetës “Koha Jonë”, Nikoll Lesin dhe e kam informuar mbi çfarë mësova nga Blendi. Nikolla më sqaroi se ishte në dijeni se çfarë po ndodhte. Atë natë, kam ndenjur zgjuar deri në mëngjes. Rreth orës 05.00, më ka ardhur në shtëpi, shoferi i transportit të gazetës “Koha Jonë”, emri nuk më kujtohet dhe i tronditur më ka dhënë lajmin dhe njëherësh është larguar me shpejtësi duke pretenduar se ndiqej nga një makinë pa targa. Pas kësaj bisede, jam veshur, kam dalë nga shtëpia dhe jam nisur për në drejtim të redaksisë. Me të mbërritur në redaksi, kam parë një situatë të ndryshme nga herët e tjera. Redaksia ishte e rrethuar me policë, kishte shumë qytetarë, vëzhgues që qëndronin në trotuarin përballë redaksisë, duke parë tymin që vazhdonte të dilte nga zyra e marketingut, që ndodhej në katin e parë majtas të godinës. Me t’u futur brenda në redaksi, pashë një godinë të djegur dhe të shkatërruar plotësisht, së bashku me materialet bazë. Pas pak në redaksi mbërriti edhe Nikoll Lesi, pas tij erdhën edhe gazetarët e tjerë.
Nga informacionet e para, të marra nga banorët që banonin rreth redaksisë , më saktë, të një çifti anglez, që banonte në një shtëpi një-katëshe pas murit të redaksisë, mësuam se rreth orës 03.00, njerëz të armatosur, me uniforma pa shenja dalluese, kishin shpërthyer derën dhe pasi kishin qëlluar në ajër me armë i kishin vënë zjarrin redaksisë. Çifti anglez pretendonte se kishte arritur të bënte dhe foto nga shtëpia e tyre gjatë asaj mbrëmje.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, çfarë mësuat më pas, në lidhje me shoqërimin e Zamir Dules në polici?
Përgjigje: Mbaj mend, se atë natë që jam larguar për në shtëpi, rreth orës 24.00, Zamir Dulen e kam lënë në redaksi. Të nesërmen kur kam shkuar në punë, kam mësuar se përveç djegies së redaksisë, personat me dhe pa uniformë, kishin marrë me dhunë gazetarin Zamir Dule, i cili flinte në atë kohë në ambjentet e bodrumeve të redaksisë. Po kështu, kam mësuar se kishin marrë edhe rojen e natës, i cili mesa më kujtohet quhej Beni. Pas disa ditësh unë jam takuar me Zamirin, po ai qe shumë i traumatizuar dhe unë nuk e kam pyetur për situatën që ai kaloi atë natë, meqënëse isha i informuar nga kolegët, se e kishin rrahur dhe e kishin marrë e dërguar në një ambjent të cilin unë nuk e di.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.
ILIR GJONI
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, ku është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në dhjetor të vitit 1995, kam filluar punë në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, si Redaktor i sektorit të marrëdhënieve me jashtë, deri në muajin Gusht 1997. Në periudhën e Marsit 1997, kur ka ndodhur edhe djegia e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, unë kam punuar si kryeredaktor i gazetës në gjuhën Angleze, e cila u botua vetëm dy javë, pasi më pas redaksia u dogj. Natën e datës 02.03.1997, kam qenë nga personat e fundit që jam larguar nga redaksia, pasi u përshëndeta me gazetarin Zamir Dule, i cili flinte në ambjentet e redaksisë. Mbaj mend që jam larguar atë natë rreth orës 24.00. Të nesërmen, më datë 03.03.1997, kam shkuar si zakonisht në redaksi dhe atje konstatova që godina ishte e djegur dhe u informova nga kolegët se kolegun tonë Zamir Dule e kishin marrë dhe keqtrajtuar dhe nuk dihej vendodhja e tij. Dua të theksoj se punonjësit e gazetës “Koha Jonë”, gjatë tërë periudhës që unë kam punuar në këtë redaksi, kanë qenë nën presion të vazhdueshëm nga struktura të caktuara të shtetit dhe ka patur një sërë incidentesh, ku janë përfshirë kolegë të gazetës, si edhe mjetet e transportit të gazetës. Ka patur raste flagrante, siç ishte një rast me kolegun Emin Barçi, i cili u ndoq deri në hyrje të ambjenteve të redaksisë nga dy persona civilë, të cilët u bllokuan nga rojet e gazetës dhe sipas thënieve të Eminit, ishin punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Kjo ngjarje mund të ketë ndodhur rreth një javë para se të ndodhte kjo ngjarje.
Po kështu, ditën që ishte djegur gazeta, kam mësuar se së bashku me Zamirin, ishin marrë edhe dy persona të tjerë, shoferi i Nikoll Lesit dhe roja i redaksisë. Mbaj mend gjithashtu, se në një shtëpi nga lindja, ngjitur me redaksinë, kanë banuar një çift anglishtfolës dhe se çfarë pune bënin, nuk e di. Kam mësuar më pas, nga kolegët se personat të cilët kishin keqtrajtuar Zamirin dhe shoferin e Nikollës, kishin qenë civilë të armatosur.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia dhepasi i lexoj, i firmos pa vërejtje.
RELACION
Mbi faktin dhe provat e Procedimit Penal
me Nr. 314 të vitit 1997
Në Tiranë, viti 2008, muaji Janar, datë 25.
Unë Pirro Dungu, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i deleguar për kryerjen e hetimeve paraprake lidhur me procedimin penal Nr. 314 të vitit 1997, e cila bën fjalë për veprën penale të “Vjedhje me armë”, parashikuar nga neni 140 të K.Penal, ju relatoj sa vijon:
Për hetimin e këtij procedimi penal janë kryer të ggjitha veprimet e mundshme hetimore si:
Nga studimi i këtij materiali ka rezultuar se më datë 02.02.1997, duke hyrë data 03.03.1997, nga persona të paidentifikuar , është djegur godina e gazetës “Koha Jonë”. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, më datë 10.04.1997, nga ana e Prokurorisë, është vendosur mosfillimi i procedimit penal, bazuar në nenet 291 dhe 190 gërma “dhe”, të K.Pr.Penale.
Më datë 15.12.2006, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, është vendosur shfuqizimi i vendimit të mosfillimit, pasi është konstatuar se përveç “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, konstatohen dhe elementë të veprave penale “Vjedhje me Armë”, parashikuar nga neni 140 K.Penal.
Lidhur me sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, janë kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme si më poshtë:
Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, shtetasit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri, Alfred Peza, Pashk Tusha, Tonin Vocaj, Pëllumb Dule, Gani Shehu dhe Arjan Shehu, është këqyrur regjistri i Kom. Pol. 3, janë sekuestruar prova materiale, prova fotografike e filmike dhe një sërë provash shkresore, etj.
Deklaruesit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri dhe Alfred Peza, kanë qenë në kohën e ndodhjes së ngjarjes, punonjës dhe drejtues të gazetës “Koha Jonë”.
Në deklarimet e tyre citohet se më datë 02.03.1997, në Shqipëri, e konkretisht në qytetin e tiranës, situata e rendit ka qenë e destabilizuar dhe e tensionuar. Në këtë datë janë larguar nga redaksia e gazetës rreth orës 24.00, kohë kur ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Shqipëri. Në deklarimet e tyre, këta shtetas citojnë se rreth orës 02.00, janë njoftuar se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej dhe të nesërmen, kur kanë vajtur në punë, kanë konstatuar faktin se redaksia qe djegur totalisht dhe kanë mësuar se shoferi i pronarit të gazetës Nikoll Lesi, deklaruesi Anesti Nikolla dhe gazetari Zamir Dule nuk gjendeshin.
Në deklarimin e tij, shtetasi Blendi Fevziu, citon se natën e ndodhjes së ngjarjes, e ka lënë punën rreth orës 24.30 dhe është larguar për në shtëpi, të cilën e ka patur pranë redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Pasi ka mbërritur në banesë, është telefonuar nga pronari i gazetës, deklaruesi Lesi dhe ka mësuar se në redaksi kishte probleme. Ka dalë nga shtëpia dhe nëpërmjet një dere që lidhte banesën e tij me të komshiut, është afruar rreth 100 metra nga redaksia dhe ka parë tre makina fuoristrada dhe një furgon ngjyrë të bardhë të ndaluara para redaksisë. Po kështu, ka parë njerëz të cilët gërthisnin në redaksinë e gazetës që po digjej. Më pas, ka parë se makinat janë larguar me shpejtësi, në dy drejtime të ndryshme.
Në delarimin e tij, shtetasi Anesti Nikolla, sqaron se në vitin 1997, ka qenë shofer i pronarit të gazetës “Koha Jonë”, shtetasit Nikoll Lesi. Po kështu, deklaruesi Nikolla thekson se më datë 03.03.1997, rreth orës 01.00, është telefonuar nga deklaruesi Lesi, i cili i ka kërkuar të vinte në banesën e tij. Deklaruesi Nikolla, ka vajtur menjëherë, pasi banesat e tyre ishin në të njëjtin pallat dhe ka mësuar nga deklaruesi Lesi se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej. Në këtë kohë, deklaruesi Nikolla i ka kërkuar deklaruesit Lesi që të shkonte i vetëm dhe të kontrollonte redaksinë, pasi në rrugë kishte destabilitet dhe dëgjoheshin sistematikisht të shtëna armësh. Deklaruesi Nikolla është nisur dhe ka vajtur në redaksi, ku ka parë se në oborrin e redaksisë kishte persona të veshur me uniforma ushtarake dhe policie, të armatosur, të cilët qëllonin në ajër. Po kështu, deklaruesi Nikolla ka parë në oborrin e redaksisë gazetarin Zamir Dule, të cilin personat me uniformë po e ofendonin. Deklaruesi Nikolla ka marrë kontakt me personat e veshur me uniformë dhe i ka sqaruar se ishte punonjës i gazetës “Koha Jonë”. Në këtë kohë, personat e veshur me uniforma, e kanë dhunuar dhe e kanë futur në makinën e tij së bashku me gazetarin Zamir Dule dhe e kanë urdhëruar të shkonte drejt Komisariatit të Policisë, nr. 3. I kanë dorëzuar në këtë komisariat, i kanë futur në dhomat e izolimit. Deklaruesi Nikolla sqaron se në kohën kur kanë qenë të shoqëruar në komisariat, janë dhunuar nga disa persona të veshur civilë dhe se prezent kanë qenë edhe Shefi i Rendit të Komisariatit, deklaruesi Tonin Voci.
I pyetur rreth këtij fakti, deklaruesit Voci i kujtohet se gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe një punonjës tjetër i gazetës “Koha Jonë”, janë shoqëruar në Komisariatin nr. 3, nga tre persona të cilët sipas deklaruesit Voci, i janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Deklaruesi Voci pretendon se u ka kërkuar tre personave të identifikohen, por ata nuk kanë pranuar. Por nuk kujton nëse gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe personi tjetër ishin të dëmtuar apo jo.
Më datë 24.01.2007, është bërë kqyrja e “Librit të Shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3”. Nga kqyrja ka rezultuar se më datë 02.03.1997, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3” shtetasit Zamir Dule dhe Anesti Nikolla, rreth orës 02.00, nga punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar D.3, deklaruesi Arjan Shehu.
Të pyetur rreth faktit, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se në muajin Mars 1997, kanë qenë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, Drejtoria 3 dhe se më datë 02.03.1997, kanë qenë me shërbim pike kontrolli, pranë vendit të quajtur “Selvia”. Po kështu, ata theksojnë se së bashku me ta, kanë qenë të dislokuar me të njëjtin shërbim, në të njëjtën pikë kontrolli dhe forca policie.
Po kështu, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se atë natë në pikën e kontrollit, kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3, një makinë e cila lëvizte jashtë orarit të lejuar, duke shkelur gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk i kujtohet sesa persona kanë qenë në makinë.
Ka qenë e pamundur pyetja e gazetarit Zamir Dule, i cili atë natë, ka qenë brenda ambjenteve të redaksisë së gazetës “Koha Jonë” duke fjetur, pasi ky shtetas pas kësaj ngjarje, ka pësuar dëmtime të rënda mendore dhe aktualisht, është i papërgjegjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, del qartë fakti se redaksia e gazetës “Koha Jonë” është djegur natën e ndërrimit të datës 02.03.1997-03.03.1997, kohë në të cilën në Tiranë ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Bazuar në deklarimet e shtetasve Ben Blushi, Blendi Fevziu, Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, vëllait të të dëmtuarit Zamir Dule, shtetasit Pëllumb Dule, Tonin Voci, Arjan Shehu, Gani Shehu, kqyrjes së librave të shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3 Tiranë etj, krijohen dyshime të bazuara se në djegien dhe vjedhjen e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, kanë marrë pjesë njerëz të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie.
Por megjithë veprimet proceduriale të kryera, pyetjes së deklaruesve të shumtë, administrimit të provave të ndryshme shkresore, materiale, filmike, fotografike etj, nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj vepre penale.
Duke u nisur në analizë të të gjitha provave të grumbulluara në fashikullin hetimor, bazuar në kërkesat e nenit 327.1 të K.P.Penale:
SUGJEROJ:
Procedimi penal nr.314 i vitit 1997, i cili bën fjalë për veprën penale “Vjedhje me armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal, të pezullohet në bazë të nenit 326/1, 326/2 të K.Pr.Penal.
Oficeri i Policisë Gjyqësore
Pirro DUNGU
RELACION
Mbi dërgimin e Procedimit Penal nr. 314 të vitit 1997 që bën fjalë për “Vjedhje me armë” të Gazetës “Koha Jonë” për rifillim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë
Në Tiranë, viti 2009, muaji mars, datë 12.
Unë Blendi JAHO, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Seksionin e Vjedhjeve me Dhunë, Armë dhe Shkatërrimit të Pronës pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, përpiloj këtë informacion për procedimin penal nr. 314 të vitit 1997, i cili bën fjalë për vjedhjen me armë të gazetës “Koha Jonë”:
Konstatova:
Se më datë 02.02.1997, duke hyrë data 03.02.1997, nga persona të paidentifikuar është djegur godina e Gazetës “Koha Jonë”. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore nga ana e prokurorisë së rrethit është vendosur mosfillimi i procedimit penal bazuar në nenin 291 dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale. Më datë 15.12.2006, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar, është vendosur shfuqizimi i vendimit të mosfillimit, pasi është konstatuar se përveç shkatërrimit të pronës me zjarr, konstatohen dhe elementë të veprës penale “Vjedhje me Armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
Lidhur me sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Rrethit, janë kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme. Në datën 25.01.2008, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve hetimore ka vendosur pezullimin e hetimeve për procedimin penal nr. 314 të vitit 1997, i cili bën fjalë për vjedhjen me armë të gazetës “Koha Jonë”. Ky procedim penal është dërguar për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Procedimi në fjalë është marrë për studim nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe është lënë detyrë që të kontaktohen shtetasit Zamir Dule dhe Arben Tahiri, me qëllim që t’u merren deklarime në lidhje me faktin kriminal të mësipërm.
Duke qenë para fakteve të tilla, pra ku konstatohet se shtetasit Zamir Dule dhe Arben Tahiri nuk janë pyetur si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, del e nevojshme kryerja e një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim mbledhjen e fakteve dhe provave për dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorëve të kësaj vepre penale.
Sa më sipër, mbështetur në nenin 326/3 të K.Pr.Penale, nga ana jonë i është sugjeruar prokurorisë rifillimi i hetimeve për çështjen penale nr. 314 të vitit 1997. Jemi në pritje të dërgimit të dosjes nga ana e Prokurorisë për hetim të mëtejshëm.
Oficeri i Policisë Gjyqësore
Blendi Jaho
RELACION
Mbi faktet dhe rrethanat e procedimit penal nr. 314 të vitit 1997
Prokurorit Z. Albert DEMIRNELI
Në Tiranë, viti 2009, muaji shtator, datë 16.
Unë Blendi JAHO, Oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në Seksionin kundër Vjedhjeve me Dhunë & Armë dhe Shkatërrimit të Pronës, i deleguar me detyrë për kryerjen e veprimeve hetimore lidhur me procedimin penal nr. 314 të vitit 1997, i cili bën fjalë për vjedhjen me armë të gazetës “Koha Jonë” të deleguar nga prokurori z. Albert DEMIRNELI, në përfundim të këtyre detyrave ju relatoj si më poshtë:
Konkretisht:
Se më datë 02.03.1997, duke hyrë data 03.03.1997, nga persona të paidentifikuar është djegur godina e Gazetës “Koha Jonë”. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore nga ana e prokurorisë së rrethit është vendosur mosfillimi i procedimit penal bazuar në nenin 291 dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale. Më datë 15.12.2006, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar, është vendosur shfuqizimi i vendimit të mosfillimit, pasi është konstatuar se përveç shkatërrimit të pronës me zjarr, konstatohen dhe elementë të veprës penale “Vjedhje me Armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal. Lidhur me sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Rrethit, janë kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme. Në datën 25.01.2008, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve hetimore ka vendosur pezullimin e hetimeve për procedimin penal nr. 314 të vitit 1997, i cili bën fjalë për vjedhjen me armë të gazetës “Koha Jonë”. Ky procedim penal është dërguar për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ky procedim, pasi është relatuar nga ana jonë, prokurori z. Albert DEMIRNELI, e ka rifilluar dhe më pas deleguar për kryerjen e disa veprimeve hetimore si më poshtë:
Të gjendet vendodhja e shtetasit Zamir Dule me qëllim pyetjen e tij rreth ngjarjes së datës 04.03.1997.
Të gjendet shtetasi Arben Tahiri me qëllim pyetjen e tij në lidhje me ngjarjen.
Në përfundim të këtyre detyrave, ju relatoj si më poshtë:
Nga ana jonë është bërë e mundur gjetja e vendodhjes së shtetasit Zamir Dule, i cili banon në fshatin Miras të rrethit të Korçës. Lidhur me këtë shtetas, nuk është bërë e mundur pyetja e tij për shkaqe shëndetësore, pasi vuan nga sëmundje mendore, gjë për të cilën nga ana jonë është bërë kqyrja e librit të Indeksit të daljes së Psikiatrisë, nga ku rezulton që shtetasi Zamir Dule të jetë i diagnostikuar me Çrregullime Deluzionale.
Në lidhje me shtetasin Arben Tahiri nuk është bërë e mundur gjetja e vendodhjes së tij, pasi ky shtetas është larguar jashtë shtetit së bashku me familjen.
SUGJEROJ
Pezullimin e hetimeve për procedimin penal nr. 314, pasi nga hetimi nuk ka fakte dhe rrethana të reja që të hedhin dritë mbi zbulimin e autorëve të kësaj vepre penale.
Oficeri i Policisë Gjyqësore
Blendi Jaho
ENTON ABILEKAJ
Pyetje: Na thoni ju deklarues çfarë dini ju në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, kur është djegur redaksia e gazetës “Koha Jonë”?
Përgjigje: Në kohën për të cilën po më pyesni, unë kam qenë i punësuar në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, si gazetar i politikës. Mbaj mend që më datë 02.03.1997, ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Atë natë unë kam punuar në gazetë deri rreth orës 22.00 dhe më pas jam larguar, pasi siç thashë më lart, ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Të nesërmen, më datë 03.03.1997, kam dalë nga shtëpia rreth orës 08.30 dhe me vete kam pasur një radio, që e përdornim për të kontrolluar për të komunikuar me kolegët.
Në këtë kohë më njofton në radio kolegu im Emin Barçi, që në atë kohë ishte redaktor i rubrikës ekonomike, në gazetën “Koha Jonë”, se ishte djegur godina e redaksisë së gazetës, unë nuk e besova, megjthatë nxitova dhe vajta në redaksi. Kur kam mbërritur, kam parë se redaksia ishte djegur, në pjesën më të madhe të saj dhe po kështu, në mure kishte shenja plumbash. Kam hyrë brenda në redaksi dhe kam parë që të gjithë kompjuterat ishin djegur dhe një pjesë tjetër ishte vjedhur. Kemi qëndruar para redaksisë rreth 30 minuta dhe më pas kanë ardhur mediat e huaja. Nga kolegët dhe mesa më kujtohet, Emin Barçi dhe të tjerë, kam mësuar se njerëz me uniforma policie dhe civilë të armatosur, kishin hyrë në redaksi, kishin rrahur rojen e godinës dhe më pas kishin marrë e keqtrajtuar gazetarin Zamir Dule, i cili flinte në redaksi pasi ishte nga Devolli. Në kohën që ne po diskutonim, nuk dihej vendodhja e Zamirit, rojes së godinës dhe e shoferit të Nikoll Lesit, pasi personat e armatosur kishin djegur redaksinë dhe i kishin marrë me vete.
Më pas ne kemi vajtur në një kafe pranë redaksisë dhe kur u kthyem në redaksi, morëm vesh që Policia dhe civilë që mendohej të ishin të Shërbimit Informativ Shtetëror, kishin sharë dhe goditur rojen e redaksisë.
Pas disa ditësh, kam mësuar nga roja i redaksisë, i cili quhet Arben Tahiri, se personat civilë që kishin marrë pjesë në djegien e gazetës, e kishin rrahur dhe më pas e kishin hedhur në një kanal në malin e Dajtit. Për Zamirin dhe shoferin e Nikollës, kam mësuar se i kishin dërguar në polici dhe aty i kishin keqtrajtuar. Që nga dita kur u dogj redaksia, kolegë të gazetave të huaja që kishin ardhur për të pasqyruar ngjarjet e asaj kohe në Shqipëri, duke parë se ne ishim të kërcënuar nga shteti, na kanë strehuar në hotel “Rogner”.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexojnë i firmos pa vërejtje.
ANESTI NIKOLLA
Unë banoj në adresën Rr. “Sami Frashëri”, pallati 26/1, Sh.1, Ap.13. Në muajin shkurt të vitit 1997, unë kam filluar punë si shoferi personal i pronarit të gazetës “Koha Jonë”.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës së datës 03.03.1997, rreth orës 02.00, dua të deklaroj si më poshtë vijon:
Rreth orës 01.00, më merr në telefon Nikoll Lesi dhe më thotë të zbrisja poshtë në apartamentin e tij pasi banojmë në të njëjtin pallat. Kam zbritur në apartamentin e Nikollës dhe ky i fundit më tha që do të shkojmë urgjent në redaksi, pasi i kishin vënë flakën ndërtesës ku ndodhej gazeta. Unë i thashë Nikollës, të qëndronte në shtëpi pasi në rrugë kishte të shtëna armësh dhe se unë do të shkoja vetë në redaksi, ta verifikoja çfarë kishte ndodhur. Shkova në redaksi dhe me t’u futur në oborrin e redaksisë pashë një grup me policë të armatosur dhe me antiplumb rreth 8 veta, ku 4 persona të tjerë të veshur me kostume me lara. Të gjithë nga dialekti dukeshin veriorë. Ndërkohë, objekti i redaksisë po digjej. Në oborrin e redaksisë kam parë dhe gazetarin Zamir Dule, të cilin personat me lara po e ofendonin. Më pas këta 4 persona, më kapën mua dhe më pyetën se çfarë doja aty. Unë i sqarova që isha punonjës i gazetës dje në këtë monent, këta persona më morën zvarrë dhe më futën në makinën time së bashku me Zamirin. Në makinë hipën edhe tre nga këta personat e veshur me lara. Unë isha në timon dhe më dhanë urdhër që të shkoja në Komisariatin e Policisë nr.2. Gjatë gjithë rrugës, këta persona më thonin “Komunist, këlysh i Nikoll Lesit” dhe më mbanin tytën e automatikut në rrëzë të veshit. Kur mbërritëm në qendër, te Muzeu Kombëtar, këta persona më thanë ta ndaloja makinën para disa furgonëve të policisë që qenë aty. Unë ndalova makinën dhe njëri nga tre personat, zbriti nga makina dhe bisedoi me policët. Hipi përsëri në makinë dhe më tha të drejtohesha në Komisariatin e Policisë nr.3. Kur vajtëm në Komisariatin e Policisë nr.3, njëri nga këta personat zbriti dhe i ra derës së komisariatit, duke thërritur: “Jemi të SHIK-ut, hapeni derën”. Më pas u hap dera, unë futa makinën brenda dhe zbritëm nga makina. Na futën në ambjentet e Komisariatit dhe në këtë kohë mua më gjuajtën me shkelm, më pas na futën në një birucë, së bashku me Zamirin. Mesa më kujtohet, ka qenë biruca e parë në krahun e djathtë. Pas 30 minutash, në birucë erdhën tre persona të veshur civilë. Njëri prej këtyre, me të hyrë në birucë, goditi Zamirin me grusht në fytyrë dhe Zamiri ra në tokë. Ai person tha: “Kështu e pësojnë ata që punojnë në gazetën “Koha Jonë”. Po prapë, ky person më goditi mua tek brinjët, në kurriz dhe unë rashë përtokë. Në këtë kohë unë dhe Zamiri, filluam të gërthisnim me të madhe. Aty ndërhynë dy civilët e tjerë dhe e ndaluan atë personin. Njëri nga personat ishte Tonin Voci dhe një person tjetër që e thërrisnin “Gazi” dhe unë e njoha. Tonini ndërhyri në favorin tonë që të mos na preknin, filluan të debatonin me njër-tjetrin dhe u larguan. Gjatë gjithë natës, ne ndenjëm në birucë. Rreth orës 16.00 në birucë erdhi Tonin Voci, me një person tjetër, hapi derën e birucës dhe na tha të dilnim e të largoheshim nga komisariati.
Më pas shkuam dhe jemi takuar me Nikollën, tek redaksia dhe i treguam se çfarë kishte ndodhur.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë e sa më sipër janë thëniet e mia, e pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.
VENDIM
(Për pezullimin e hetimeve)
Në Tiranë, viti 2008, muaji Janar, datë 25.
Unë Albert Demirneli, zv/Prokuror Rrethi në Prokurorinë Gjyqësor Tiranë, pasi studiova aktet e procedimit penal nr. 314 të vitit 1997, e cila bën fjalë për veprën penale “Vjedhje me armë”, parashikuar nga neni 140 të K.Penal.
KONSTATOVA
Se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e materialit të ardhur nga Komisariati i Policisë, nr. 1 Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 314 i vitit 1997, i cili bën fjalë për veprën penale, të parashikuar nga neni 140 i K.Penal.
Nga studimi i këtij materiali ka rezultuar se më datë 02.03.1997, duke hyrë data 03.03.1997, nga persona të paidentifikuar , është djegur godina e gazetës “Koha Jonë”. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, më datë 10.04.1997, nga ana e Prokurorisë, është vendosur mosfillimi i procedimit penal, bazuar në nenet 291 dhe 190 gërma “dhe”, të K.Pr.Penale.
Më datë 15.12.2006, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, është vendosur shfuqizimi i vendimit të mosfillimit, pasi është konstatuar se përveç “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, konstatohen dhe elementë të veprave penale “Vjedhje me Armë”, parashikuar nga neni 140 K.Penal.
Lidhur me sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, janë kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme si më poshtë:
Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, shtetasit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri, Alfred Peza, Pashk Tusha, Tonin Vocaj, Pëllumb Dule, Gani Shehu dhe Arjan Shehu, është këqyrur regjistri i Kom. Pol. 3, janë sekuestruar prova materiale, prova fotografike e filmike dhe një sërë provash shkresore, etj.
Deklaruesit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri dhe Alfred Peza, kanë qenë në kohën e ndodhjes së ngjarjes, punonjës dhe drejtues të gazetës “Koha Jonë”.
Në deklarimet e tyre citohet se më datë 02.03.1997, në Shqipëri, e konkretisht në qytetin e Tiranës, situata e rendit ka qenë e destabilizuar dhe e tensionuar. Në këtë datë janë larguar nga redaksia e gazetës rreth orës 24.00, kohë kur ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Shqipëri. Në deklarimet e tyre, këta shtetas citojnë se rreth orës 02.00, janë njoftuar se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej dhe të nesërmen, kur kanë vajtur në punë, kanë konstatuar faktin se redaksia qe djegur totalisht dhe kanë mësuar se shoferi i pronarit të gazetës Nikoll Lesi, deklaruesi Anesti Nikolla dhe gazetari Zamir Dule nuk gjendeshin.
Në deklarimin e tij, shtetasi Blendi Fevziu, citon se natën e ndodhjes së ngjarjes, e ka lënë punën rreth orës 24.30 dhe është larguar për në shtëpi, të cilën e ka patur pranë redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Pasi ka mbërritur në banesë, është telefonuar nga pronari i gazetës, deklaruesi Lesi dhe ka mësuar se në redaksi kishte probleme. Ka dalë nga shtëpia dhe nëpërmjet një dere që lidhte banesën e tij me të komshiut, është afruar rreth 100 metra nga redaksia dhe ka parë tre makina fuoristrada dhe një furgon ngjyrë të bardhë të ndaluara para redaksisë. Po kështu, ka parë njerëz të cilët gërthisnin në redaksinë e gazetës që po digjej. Më pas, ka parë se makinat janë larguar me shpejtësi, në dy drejtime të ndryshme.
Në deklarimin e tij, shtetasi Anesti Nikolla, sqaron se në vitin 1997, ka qenë shofer i pronarit të gazetës “Koha Jonë”, shtetasit Nikoll Lesi. Po kështu, deklaruesi Nikolla thekson se më datë 03.03.1997, rreth orës 01.00, është telefonuar nga deklaruesi Lesi, i cili i ka kërkuar të vinte në banesën e tij. Deklaruesi Nikolla, ka vajtur menjëherë, pasi banesat e tyre ishin në të njëjtin pallat dhe ka mësuar nga deklaruesi Lesi se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej. Në këtë kohë, deklaruesi Nikolla i ka kërkuar deklaruesit Lesi që të shkonte i vetëm dhe të kontrollonte redaksinë, pasi në rrugë kishte destabilitet dhe dëgjoheshin sistematikisht të shtëna armësh. Deklaruesi Nikolla është nisur dhe ka vajtur në redaksi, ku ka parë se në oborrin e redaksisë kishte persona të veshur me uniforma ushtarake dhe policie, të armatosur, të cilët qëllonin në ajër. Po kështu, deklaruesi Nikolla ka parë në oborrin e redaksisë gazetarin Zamir Dule, të cilin personat me uniformë po e ofendonin. Deklaruesi Nikolla ka marrë kontakt me personat e veshur me uniformë dhe i ka sqaruar se ishte punonjës i gazetës “Koha Jonë”. Në këtë kohë, personat e veshur me uniforma, e kanë dhunuar dhe e kanë futur në makinën e tij së bashku me gazetarin Zamir Dule dhe e kanë urdhëruar të shkonte drejt Komisariatit të Policisë, nr. 3. I kanë dorëzuar në këtë komisariat, i kanë futur në dhomat e izolimit. Deklaruesi Nikolla sqaron se në kohën kur kanë qenë të shoqëruar në komisariat, janë dhunuar nga disa persona të veshur civilë dhe se prezent kanë qenë edhe Shefi i Rendit të Komisariatit, deklaruesi Tonin Voci.
I pyetur rreth këtij fakti, deklaruesit Voci i kujtohet se gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe një punonjës tjetër i gazetës “Koha Jonë”, janë shoqëruar në Komisariatin nr. 3, nga tre persona të cilët sipas deklaruesit Voci, i janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Deklaruesi Voci pretendon se u ka kërkuar tre personave të identifikohen, por ata nuk kanë pranuar. Por nuk kujton nëse gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe personi tjetër ishin të dëmtuar apo jo.
Më datë 24.01.2007, është bërë kqyrja e “Librit të Shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3”. Nga kqyrja ka rezultuar se më datë 02.03.1997, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3” shtetasit Zamir Dule dhe Anesti Nikolla, rreth orës 02.00, nga punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar D.3, deklaruesi Arjan Shehu.
Të pyetur rreth faktit, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se në muajin Mars 1997, kanë qenë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, Drejtoria 3 dhe se më datë 02.03.1997, kanë qenë me shërbim pike kontrolli, pranë vendit të quajtur “Selvia”. Po kështu, ata theksojnë se së bashku me ta, kanë qenë të dislokuar me të njëjtin shërbim, në të njëjtën pikë kontrolli dhe forca policie.
Po kështu, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se atë natë në pikën e kontrollit, kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3, një makinë e cila lëvizte jashtë orarit të lejuar, duke shkelur gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk i kujtohet sesa persona kanë qenë në makinë.
Ka qenë e pamundur pyetja e gazetarit Zamir Dule, i cili atë natë, ka qenë brenda ambjenteve të redaksisë së gazetës “Koha Jonë” duke fjetur, pasi ky shtetas pas kësaj ngjarje, ka pësuar dëmtime të rënda mendore dhe aktualisht, është i papërgjegjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, del qartë fakti se redaksia e gazetës “Koha Jonë” është djegur natën e ndërrimit të datës 02.03.1997-03.03.1997, kohë në të cilën në Tiranë ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Bazuar në deklarimet e shtetasve Ben Blushi, Blendi Fevziu, Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, vëllait të të dëmtuarit Zamir Dule, shtetasit Pëllumb Dule, Tonin Voci, Arjan Shehu, Gani Shehu, kqyrjes së librave të shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3 Tiranë etj, krijohen dyshime të bazuara se në djegien dhe vjedhjen e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, kanë marrë pjesë njerëz të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie.
Por megjithë veprimet proceduriale të kryera, pyetjes së deklaruesve të shumtë, administrimit të provave të ndryshme shkresore, materiale, filmike, fotografike etj, nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj vepre penale.
Në këto rrethana, duke qenë se nga veprimet hetimore të kryera, në lidhje me identifikimin e autorëve të mundshëm që kanë konsumuar veprën penale objekt hetimi, çmohet se hetimet paraorake, në lidhje me këtë procedim duhet të pezullohen, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme nga ana e policisë.
Për sa më sipër dhe bazuar në nenin 326.1 të K.Pr.Penale:
VENDOSA
Pezullimin e hetimeve të procedimit penal nr. 314 të vitit 1997.
Dërgimin e akteve Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, për zbulimin e autorëve.
LËNDA: Kërkohet Informacion
DREJTUAR: AMBASADËS SË SHTETEVE
TË BASHKUARA TË AMERIKËS
ADRESA: T I R A N Ë
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 314 të vitit 2006, për veprën penale të parashikuar nga neni 140 i K.Penal.
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar e provuar se më datë 03.03.1997, në Rrugën “Qemal Stafa”, në krah të redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, pranë shkollës së “Kuqe”, kanë banuar një çift anglisht-folës për të cilët ka të dhëna se në atë kohë, kanë qenë punonjës të Ambasadës Amerikane dhe emri i mashkullit është Charls Wollsh.
Kërkojmë nga ana juaj të na informoni nëse ky shtetas ndodhet në Republikën e Shqipërisë, pasi ka të dhëna se më datë 03.03.1997, shtetasi i lartpërmendur ka qenë dëshmitar okular i djegies dhe vjedhjes me armë të redaksisë së Gazetës “Koha Jonë”.
Theksojmë se ka shumë rëndësi për hetimin e procedimit penal, pyetja si person që tregon rrethana të hetimit të shtetasit të huaj, Charls Wollsh.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, jemi në pritje të një përgjigje nga ana juaj.
Prokurori i rrethit
Vexhi MUÇMATA
ARJAN SHEHU
Pyetje: Na thoni ju deklarues, ku keni punuar në vitin 1997?
Përgjigje: Unë në vitin 1994 kam filluar punë në Shërbimin Informativ Kombëtar. Në vitin 1997, unë kam qenë në punë në këtë shërbim, në Drejtorinë e 3, si Oficer me vëzhgimin. Këtë punë e kam kryer deri në vitin 2002.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, në muajin mars të vitit 1997, keni qenë në punë dhe konkretisht më datë 02.03.1997, duke hyrë 03.03.1997?
Përgjigje: Unë mesa më kujtohet, në datat për të cilat po më pyesni, kam qenë me shërbim të llojit postobllok në Rrugën e Dibrës, në vendin e quajtur “Selvia”, me kolegët e mi Gani Shehu dhe dy ose tre të tjerë të cilët nuk më kujtohen emrat. Atë natë mesa më kujtohet, ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme nga Parlamenti. Gjatë shërbimit, mesa më kujtohet ka qenë mesi i natës, ora nuk më kujtohet me saktësi, ka kaluar me shpejtësi një makinë, lloji nuk më kujtohet. Makina vinte nga nëntë-katëshet, për të dalë tek Medreseja. Ne i bëmë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i makinës nuk ndaloi. U vumë në ndjekje, me automjetin tonë të shërbimit dhe e kemi ndaluar në një rrugicë, në të djathtë të rrugës së Dibrës. Më pas këtë mjet, së bashku me shoferin e tij e kemi shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, drejtuesi i këtij mjeti ishte vetëm apo i shoqëruar nga persona të tjerë në makinën e tij?
Përgjigje: Nuk më kujtohet, nëse ishte vetëm një apo i shoqëruar me persona të tjerë.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, atë natë keni qenë të veshur me rroba civile, spo rroba uniformë?
Përgjigje: Mesa më kujtohet, unë kam qenë veshur civil, ndërsa për kolegët e mi nuk e mbaj mend sesi kanë qenë të veshur.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a keni qenë të armatosur atë natë?
Përgjigje: Mesa më kujtohet, kemi qenë të armatosur, përveç armëve personale edhe me armë automatik, ndërsa unë kam patur vetëm armatimin e zakonshëm personal.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, personi me makinë është shoqëruar vetëm apo pjesëtarë të grupit tuaj, kanë hipur në makinën e personit që do të shoqërohej?
Përgjigje: Nuk e mbaj mend si është bërë shoqërimi.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, cili prej jush ka marrë takim me punonjësit e komisariatit të policisë nr.3?
Përgjigje: Unë kam marrë takim, jam prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar, duke treguar edhe emrin tim. Kam komunikuar me oficerin e rojes dhe pasi kam dorëzuar të shoqëruarin dhe nënshkruar në librin e shoqërimit, jemi larguar. Atë natë, duke u gdhirë data 03.03.1997, nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë ngjarje tjetër, përveç kësaj që tregova më lart.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a keni shkuar atë natë në objektin e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” dhe a keni shoqëruar nga këto ambjente punonjësit e kësaj gazete, gazetarin Zamir Duke dhe shoferin Anesti Nikolla?
Përgjigje: Unë mbaj mend vetëm këtë ngjarje, e cila ka ndodhur në rrethanat që kam përshkruar më lart.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, a është ushtruar dhunë mbi shoferin e shoqëruar atë natë, në ambjentet e komisariatit të policisë nr.3, nga ju apo kolegët tuaj?
Përgjigje: Unë nuk mbaj mend që të kem ushtruar dhunë, mbi atë person. Ndërsa për tre shokët e tjerë nuk di, pasi siç thashë më lart, nuk më kujtohet, nëse e shoqëruam me makinën tonë, apo me makinën e personit që u shoqërua.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.
GANI SHEHU
Pyetje: Na thoni ju deklarues, cili ka qenë vendi i punës që keni punuar në vitin 1997?
Përgjigje: Në vitin 1995 unë kam filluar punë në Shërbimin Informativ Kombëtar, ku kam punuar deri në vitin 1998. Gjatë gjithë kësaj periudhe, unë kam punuar në Drejtorinë e 3, me Seksionin e Vëzhgimit.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, në mars të vitit 1997dhe konkretisht më datë 02.03.1997, duke hyrë 03.03.1997, ku keni qenë me shërbim dhe çfarë detyrash keni patur për të zbatuar?
Përgjigje: Nuk më kujtohet me saktësi, pasi ka kaluar një kohë e gjatë, por mesa më kujtohet ka qenë nata që u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Meqenëse ka qenë një natë e veçantë dhe e tensionuar më kujtohet se kam qenë me shërbim postobllok në Rrugën e Dibrës, në vendin e quajtur “Selvia”. Atë natë kemi qenë unë, Arjan Shehu dhe rreth 3 të tjerë. Më kujtohet Arjani, pasi e kisha komandant grupi, kurse personat e tjerë nuk më kujtohet se kush kanë qenë. Po kështu, në postobllok kishte dhe disa punonjës Policie, me uniformë.
Gjendja atë natë ka qenë e tensionuar, nuk ka patur shumë qarkullim këmbësorësh apo mjetesh. Shërbimi po shkonte normalisht, pasi nuk kishte lëvizje, siç thashë edhe më lart. Mesa më kujtohet, mund të ketë qenë mesnatë, në postobllokun tonë kaloi një makinë me shpejtësi, të cilës iu bë shenjë për të ndalur dhe nuk iu bind urdhrit, por vazhdoi rrugën. Ne u vumë në ndjekje të kësaj makine, me makinën e shërbimit ku ishim, unë Arjani dhe shoferi i makinës, të cilin nuk e mbaj mend. Mesa më kujtohet, pak më lart postobllokut, ne e ndaluam makinën. Nuk më kujtohet sesa persona kemi qenë në atë makinë, por mbaj mend se automjetin e kemi shoqëruar për në komisariatin e policisë nr.3. Pas shoqërimit, i cili u krye normalisht si çdo rast tjetër dhe konform ligjit, ne u kthyem në vendin e shërbimit (postobllok).
Pyetje: Na thoni ju deklarues, atë natë punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ju në postobllok, me çfarë rrobash keni qenë të veshur?
Përgjigje: Mesa më kujtohet, ne kemi qenë të veshur me rroba civile, ndërsa policët kanë qenë me uniforma policie.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ju, çfarë armatimi keni patur atë natë?
Përgjigje: Ne kemi qenë atë natë të pajisur me automatikë model 56 dhe pistoletë, të paktën unë këto armë kam patur me vete, ndërsa për të tjerët nuk më kujtohet.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, cila ka qenë procedura dhe mënyra e shoqërimit të asaj makine, atë natë dhe cilët ishin personat që morën kontakt, me punonjësit e policisë në komisariatin e policisë nr.3?
Përgjigje: Mesa më kujtohet, kemi urdhëruar drejtuesin e mjetit që të na shoqëronte nga pas dhe kur mbërritëm në Komisariat i kemi dorëzuar tek salla. Me punonjësit e policisë më kujtohet se ka folur Arjani.
Pyetje: Na thoni ju deklarues, atë natë, ju apo punonjës të tjerë të Shërbimit Informativ Kombëtar që ishin me ju, keni qenë tek ambjentet e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” apo jashtë saj?
Përgjigje: Jo, unë apo kolegët e mi atë natë, sa kemi qenë bashkë, nuk kemi vajtur tek gazeta “Koha Jonë”. Po kështu, dua të theksoj se unë dhe atëherë dhe tani, nuk e di se ku janë ambjentet e kësaj gazete.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë dhe sa më sipër janë thëniet e mia, pasi i lexoj i nënshkruaj pa vërejtje.