Dosjet e Sigurimit, si do hapen?
Një Autoritet i caktuar, që do të ngrihet posaçërisht për realizimin e procesit të lustracionit përdorimit të të dhënave të arkivave të Sigurimit të Shtetit, do të ketë të drejtë të kërkojë që t’i vihen në dispozicion pikërisht të gjitha materialet arkivore të Partisë së Punës të Shqipërisë, mbi veprimtarinë e këtij sigurimi apo edhe të personave të veçantë. Ky është vetëm një nga klauzolat që parashikohet në projektligjin “Për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe procesin e lustracionit”, dorëzuar tashmë në Kuvend nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Duke shtuar më tej në mënyrë të detajuar se do të vihen në dispozicion të këtij Autoriteti dosjet e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist 24.10.1944 – 31.03.1991, për t’u mundësuar atyre informacionin e plotë mbi ndikimin që Sigurimi i Shtetit ka pasur mbi fatet e njerëzve. Sikundër, synohet të sigurohet dhe të nxirret në pah aktiviteti i plotë historik, politik dhe juridik i Sigurimit të Shtetit, duke e vënë atë në funksion të nevojave publike studimore dhe edukuese. Një proces ky i cili synon në fakt që të garantojë aksesin individual në të dhënat personale të cilat Shërbimi i Sigurimit të Shtetit mblidhte e arkivonte për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për personin dhe pasojat. Ky ligj përcakton gjithashtu edhe rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 – 31.03.1991 lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë , apo bashkëpunëtor sekret i Sigurimit të Shtetit, deri më 02.07.1991 kur u krijua Shërbimi “mbrojtja e interesit publik për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, përmes zbatimit në realitet të pastërtisë së jetës publike dhe të së drejtës së çdo qytetari për të pasur akses në aktivitetin e shtetit të vet”. ”Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror, detyrohen të paraqesin informacionin e kërkuar pranë Autoritetit. Autoriteti njëherazi me verifikimin e figurave të zyrtarëve dhe të kërkesave që merr nga subjekte të ndryshme, në përputhje me këto kërkesa realizon edhe hapjen e të gjitha dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, sqaron gjithashty projektligji në fjalë. Duke përfunduar se Autoriteti fillon procedurën e verifikimit të funksionareve publikë, kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në të, por edhe me kërkesën e institucionit për funksionarin publik, si edhe me kërkesë të vetë subjektit ose të personit, kur ai kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor. “Çdo individ ka të drejtë t’i drejtohet Autoritetit për të kërkuar dhe ditur nëse ai ka qënë i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Në këtë rast, individët kanë të drejtën për t’u njohur me dosjen e tyre dhe për të siguruar të dhënat sikurse e parashikon ky ligj. Çdo individ ka të drejtën dhe detyrimin të përdorë informacionet dhe të dhënat e marra nga Autoriteti, sipas ligjit”, saktëson gjithashtu projektligji.
Neni 14
Procedura për t’u njohur me dosjen
1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë hapjen e dosjes së tij personale nëpërmjet një kërkese drejtuar Autoritetit të Kontrollit të Figurës.
2. Nëse personi nuk jeton më, asnjë i afërm nuk mund të kërkojë të dhëna mbi dosjen. Nga ky rregull bën përjashtim rasti kur fëmijët apo bashkëshortët kërkojnë të vihet në vend dinjiteti dhe nderi i të ndjerit.
3. Dosjet vihen në dispozicion të studiuesve, historianëve, gazetarëve, dhe të interesuarve të tjerë në funksion të grumbullimit të fakteve historike. Në këtë rast, Autoriteti merr masa për anonimizimin e të dhënave që identifikojnë individët e përfshirë në këto fakte historike, me përjashtim të rasteve kur faktet janë publike.
4. Trajtimi i dosjeve duhet bërë mbi parime të respektimit të të drejtave të individit, duke analizuar të dhënat e dosjes, rast pas rasti.
Neni 15
E drejta për t'u njohur me dosjen personale
1. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me të dhëna personale, në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ose arkivat e tjere sipas përcaktimeve të këtij ligji. Kërkesat për këtë mund të paraqiten 6 muaj pas fillimit të punës nga Autoriteti.
2. Për njohjen e këtyre të dhënave shtetasi paraqet kërkesë me shkrim në Autoritetin Shtetëror. Autoriteti, brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, është i detyruar të kthejë përgjigje negative nëse nuk ka të dhëna ose, nëse ka të dhëna, të sigurojë mundësinë që shtetasi të njihet me to. Në çdo rast shtetasi njihet vetëm me të dhënat personale të tij dhe i ndalohet të njihet me të dhënat e personave të tretë të tjerë që mund të përmbajë dosja e tij. Shtetasi nuk mund të nxjerrë apo të bëjë publike materialet e dosjes me të cilat ai njihet.
3. Rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij neni përcaktohen në Rregulloren e Funksionimit të Autoritetit.
Neni 16
Subjektet e verifikimit
Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të cilët ushtrojnë një nga këto funksione:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zv/ministrat dhe funksionarët politikë,;
d) Nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të nivelit të mesëm drejtues ;
e) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët, kancelarët në gjykata e prokurori, si dhe çdo subjekt që ka statusin e gjyqtarit apo të prokurorit.
f) Funksionarë të emëruar nga Kuvendi, Presidenti apo Këshilli i Ministrave ;
g) Anëtarë dhe kryetarë të organeve kolegjiale drejtuese të komiteteve apo institucioneve në varësi të Kryeministrit apo një ministri
h) Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
i) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
j) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
k) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
l) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
m) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB);
n) Komandanti i Gardës e Republikës;
o) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
p) Avokati i Popullit, Komisioneri Kunder Diskriminimit, Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe punonjësit e zyrave përkatëse, si edhe çdo drejtues dhe punonjës i institucioneve te tjera buxhetore të pavarura.
q) Ambasadorë në përfaqësitë diplomatike jashtë Shqipërisë.
r) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo vendor të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
s) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; Këshilli Drejtues i RTSH, drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe drejtori dhe anëtarët e AMA-s.
t) Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
u) Inspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.
v) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Neni 17
Papajtueshmëria e funksioneve
Pastërtia e figurës morale është e papajtueshme, me mbajtjen prej funksionarit publik, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
a) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
b) Sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, sekretar i parë i rinisë së rrethit, kryetar dhe n/kryetar i organizatës së frontit demokratik, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit.
c) Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ, legal apo ilegal, bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991.
d) Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare.
e) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike ;
f) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset hetimore apo gjyqësore për vepra penale politike.