Dosjet, Veliaj: Hapja e tyre, konsolidon lirinë në vend
Projekti i propozuar nga qeveria mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, përbën një hap më tepër në konsolidimin e lirisë në vend. Një fakt të tillë ministri i Çështjeve Sociale, Erion Veliaj, e ka theksuar gjatë diskutimit të djeshëm me deputetët në komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore të projektligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, duke shtuar se rreth tij është punuar pikërisht për të mbajtur gjallë kujtimin e të gjithë atyre që u bënë subjekt i persekutimit nga më të egrit në histori dhe që kanë vazhduar pa reshtur përpjekjet për të mbajtur aktual këtë debat. “25 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria mbetet vendi i vetëm, fatkeqësisht ende krah Rusisë, megjithëse është një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që nuk ka kryer transparencën e trashëgimisë së ish-Sigurimit të Shtetit. Ende sot e kësaj dite asnjë i persekutuar në këtë vend, i djathtë apo i majtë, komunist apo nacionalist, të cilët në mënyrë ironike u bënë njëlloj viktima të dhunës së paprecedentë nuk e dinë se çfarë ky Shërbim kurdisi kundër tyre”, tha Veliaj. Por edhe duke theksuar më tej faktin se Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Ndërkaq, ai vuri në dukje se qeveria nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë dhe argumentoi se “ky nuk është një ligj lustracioni, nuk është një model hakmarrje, nuk është një model dënimesh kolektive, spastrimesh apo gjëra të kësaj natyre”. “Projektligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias”, parashtroi më tej ministri për Mirëqenien Sociale. Teksa shprehu gjithashtu besimin se kjo vendosmëri e mazhorancës dhe e qeverisëse do të bëjë bashkë të gjithë ata njerëz-vullnetmirë sipas tij, të cilët gjatë këtyre dy dekadave, pavarësisht përdorimit për përfitim politik të kësaj çështje, kanë besuar vetëm te përballja me të vërtetën. Ndërsa nënvizoi se çdo nismë tjetër që do të shkonte përtej këtyre përcaktimeve, do të përbënte thjesht një spekulim politik. “Nuk është dinjitoze që për një parti, sot në opozitë, por që për 24-25 vite ka pasur kauzë të përndjekurit, dekomunistizimin dhe hapjen e dosjeve, mos të ishte ky rasti i sotëm, ai i 25 viteve, ku gjithmonë i ka bërë bisht kësaj të vërtete”, tha pas largimit të deputetëve të opozitës nga komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore.Në të vërtetë, sipas tij, “ndodh ajo që ndodhi sot, e djathta braktis mbledhjen, s’është fare e interesuar as për ish-të përndjekurit, as për këstet dhe as për ligjin e dosjeve”. Dhe duke përfunduar se ky është një projektligj i mbështetur mbi transparencën.“Ky është një ligj ekskluziv transparence. Nëse ka një element tipik lustracioni është vetëm në zgjedhjen e Komisionerëve. 5 komisionerë, sigurisht që nuk duhet të kenë asnjë lidhje me të kaluarën, me Sigurimin e Shtetit, sepse duhet të jenë garantët apolitikë të këtij procesi, të këtij Autoriteti të ri, por Kushtetuta e Shqipërisë nuk i ndalon askujt të drejtën të zgjidhet, të zgjedhë, të punojë, të ndërrojë vendin e punës dhe gjëra të kësaj antyre. Bëhet fjalë për një ligj të transparencës dhe jo një ligj të dënimeve kolektive, çka do të siguronte rrëzimin e menjëhershëm të këtij ligji”, tha Veliaj.