Drejt falimentimit 13 kompani të mëdha, mes tyre City Park e Taci Oil
Janë 13 kompani të mëdha në vend drejt falimentimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e muajit Shtator të 13 subjekteve problematike, për të cilat administrata tatimore ka kërkuar fillimin e procedurës së falimentimit.
Sipas ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon në gjykatë fillimin e procedurave të falimentimit, nëse tatimpaguesi ka detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore për të paktën 2 vjet, kur ka 2 vjet që ka kaluar në status pasiv pranë QKR, ka detyrime tatimore të deklaruara si të pambledhshme, apo kur rezulton me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vjet.
Kërkesa e Tatimorëve vërteton se prej të paktën dy vjetësh këto kompani kanë operuar duke mos paguar asnjë lekë në shtet.
Mësohet se për subjektet e mëdha si, City Park, CTC Computers, Europrogres, Fisheku sh.p.k., Taci Oil dhe Kuid sh.p.k., është vendosur tashmë masa e sekuestros.
Në mesin e 13 kompanive, Open Data Albania shkruan se janë edhe 7 kompani që bëjnë pjesë në listën e subjekteve me kredi të këqija.
Në total janë 7.18 miliardë lekë kredi, lizing apo overdraft, cilësuar tashmë kredi me probleme, që u përkasin shtatë subjekteve tatimpagues të mëdhenj, nën sekuestro dhe falimentim.
Vlera e kredive me probleme në vend arrin në 125 miliardë leke apo në 1 miliardë dollarë.
Të dhënat tregojnë se 35 kompani të mëdha janë pjesë e listës së subjekteve me kredi me probleme zotërojnë 56 % të totalit të këtyre kredive, ose 70 miliardë lekë.
Ekspertët dhe përfaqësuesit e biznesit vendas e të huaj kërkojnë që emrat e këtyrë kompanive të bëhen publik, për të rritur transparencën për mënyrën se si do të zgjidhet ky problem.
Kreditë e këqija konsiderohen prej tyre si bomba që mund të shpërthejnë dhe do të dëmtojnë ekonominë shqiptare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se publikimi i debitorëve të saj bëhet me qëllim që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e procedurave të falimentit dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.