Drejt një standardi tjetër…

 

Nga Entla Binjaku

Nuk është e panjohur dhe as e re të pohosh se  një pjesë e madhe e energjisë tek ne shqiptarët kanalizohet drejt politikës, ndërkohë  që mund të orientohej drejt aktiviteteve të tjera njerëzore, të cilat mund të na tregonin edhe më efiçientë e mund të na bënin krenarë. Patjetër që politika është një fushë e rëndësishme e aktivitetit njerëzor, por stadi në të cilin jemi shoqërisht, ekonomikisht, kulturalisht dhe materialisht tregon se në 25 vitet e fundit, nuk kemi “ndritur” gjë.

Në shumicën tonë është kuptuar sikur politika është për të gjithë, se me politikë mund të merren thuajse të gjithë, se në politikë mjaft të afrohesh e ndonjë gjë e mëson edhe pse niveli yt është nën mesataren e formimit të përgjithshëm. Partitë shqiptare nuk kanë bërë gjë tjetër vecse u kanë rreshtuar shqiptarët  si nëpër batalione duke ju dhënë mundësinë të ndjehen “luftëtarë”  por  jo luftarakë  për kauzat e kombit dhe të shoqërisë.

Pikërisht pse është kuptuar kështu, pa jemi në këtë situatë, ku politika është domeni ku gjen gjithëkënd. Natyrisht e drejta për t’u asociuar nëpër organizata siç janë edhe partitë i takon të gjithëve, por kjo nuk do të thotë se ky aktivitet nuk ka asnjë filtër.  

Treguesit e politizimit  tonë janë të shumtë,  nga më të ndryshmit, kanë mbërthyer cdo cep apo kënd mediash,  kanë përfshirë administratën publike shqiptare e cila  në këto vite i ka treguar vetes dhe partnerëve ndërkombëtare se niveli i saj në  terma të shërbimit dhe të formimit,  është dëshmia më e  mirë e ndryshimit që ka pësuar  sa herë merr pushtetin një forcë e caktuar politike në Shqipëri.

Nuk mund të anashkalojmë  politizimin e bisedave të përditëshme që zhvillohen me orë të zgjatura nëpër kafene etj.,të cilat nuk përjashtojnë thuajse askënd, edhe ai që nuk dëshiron të bëhet pjesë, përfshihet falë zellit të të tjerëve.  Për shkak të këtij politizimi  ka  media që  “masakrojnë” çdo orë të ditës nervat, shijet dhe durimin e shikuesve, ndërkohë që do të duhej të punonin për argëtimin, informimin dhe edukimin e shoqërisë e për ta ngritur atë në një stad të ndryshëm nga ky që kemi;

Për të kuptuar deri ku shkon politizimi, mjaft të përmendësh se edhe në biseda të ndryshme nuk dukesh  interesant nëse nuk di ndonjë gjë rreth politikës, që më shumti i takon thashethemit, tipik për një shoqëri të nivelit kryesisht verbal të komunikimit.

Edhe kur shkruan ndonjë artikull që ka në thelb një shqetësim shoqëror,  e shkruan me rrezikun për të mos u lexuar nëse nuk ke shkruar ndopak edhe për politikë.

Niveli kulturor politik  i strukturave tona shoqërore lë kaq shumë për të dëshiruar sa zbeh çdo shpresë për ndryshim e lëkund  deri  edhe optimistin e lindur.

Natyrisht nuk është deviacion, por për shkak të sfondit social-kulturor  nga i cili kemi dalë dhe nga terreni i dobët ekonomik  ku vumë shtyllat e demokracisë shqiptare, ajo që quhet informacion tek ne është kuptuar si kulturë politike.

Informacioni në politikë natyrisht është i domosdoshëm, por ajo që filtron perceptimet mbi realitetin politik, që prodhon qëndrimet dhe udhëheq e orienton pjesëmarrjen në politikë është kultura politike e cila është edhe elementi kyç në një lojë politike.

Pikërisht për këtë shkolla të posaçme  formojnë njerëz të specializuar në fushën e politologjisë, për këtë indivivdë të ndryshëm i  kushtojnë vokacion dhe pasion politikës duke përvetësuar pandëprerë parimet  e saj.  Për këtë arsye për dikë thuhet se ka kulturë politike kur njeh rregullat e lojës , ose kur falë njohjes së mirë të situatës voton në një mënyrë të caktuar. Kultura politike ndërthur sëbashku një tërësi besimesh, vlerash dhe parimesh të cilat mbizotërojnë historinë e një kombi të caktuar, në një çast të caktuar. Kjo është edhe një ndër arsyet  përse kultura politike zakonisht i bashkëngjitet kombit, p.sh. kultura politike franceze, gjermane, italiane, greke, shqiptare etj.

Tek ne  mungesa e kulturës politike në vite  ka fshehur shumë prej paaftësive tonat  në trajtimin e dukurive të caktuara, ka  justifikuar mungesën e vullnetit të të zgjedhurve  për t’u dhënë përgjigje dhe zgjidhje një sërë dukurish që e shqetësojnë mbarë shoqërinë.
Shumë prej problemeve shoqërore tonat të tilla si: papunësia, problemet në sistemin arsimor, dhuna në familje, mungesa e strehimit, paaftësia profesionale, shërbimi i keq shëndetësor, etj, mund të kuptohen jo vetëm me mungesën e kulturës politike, por edhe  me mbizotërimin e një kulture të atillë, që më së shumti është sjellë si përkrahëse e grupeve tek të cilat ka parë interesin  sesa te këtë qenë  prijëse e ideve në dobi të shoqërisë dhe në shërbim të qytetarit.


Dekada më parë, Nebil Çika në veprën “Njimendësia shqiptare” bënte një analizë të jetës shoqërore shqiptare. Sigurisht nuk është e çuditshme që panorama që i bënte shoqërisë  nuk duket aq e ndryshme nga kjo që shohim sot.  Ai pohonte: “faktorët e trishtimit të jetës sonë janë të shumtë: historikë, politikë, shoqërorë por një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi “mentarët” që rrojnë krejt të ndarë nga ajo e popullit, dmth nga ajo e katundarit, zejtarit e tregtarit. Edhe në botë shoqëria është si piramidë: në majë janë mentarët dhe në bazë turmat popullore dhe në mes gjenden shtresat e mesme. Por në shoqërinë tonë mentarët janë shumë larg turmave dhe piramida në mes nuk ka shumë njerëz”. 

Në realitetin tonë, mentarët politikë, si fuqia dhe faktori i domosdoshëm për  mbarëvajtjen e shoqërisë nuk mungojnë, por  në një shoqëri me kulturë të ndryshme politike nga kjo që kemi, do të mund të flisnim edhe për elita dhe qarkullim të elitave.

Në vend të kësaj ne ende flasim për nevojën për qarkullim të elitave, e cila është  ajo  klasë e zgjedhur, e formuar nga njerëz më të aftë se të tjerët, të cilën Pareto e quan “elitë” pikërisht sepse  edhe vetë ndodhet në gjendje transformimi të vazhdueshëm.

Falë këtij transformimi më pak të aftit për rolin e tyre, zëvendësohen nga të rinj që vijnë nga klasa më poshtë.   Ashtu siç njihet,  në gjithë  historinë njerëzore, ndryshimet  e  mëdha kanë ndodhur atëherë kur në shtresat e larta akumulohen elemente në rënie dhe në shtresat e ulëta rriten elemente të cilësisë. Pikërisht falë leksioneve që na japin shoqëri më kulturë politike të konsoliduar,  edhe në shoqërinë tonë duhet të mobilizohen ato elementë  dhe të qëmtohen ato personalitete,  të cilët të jenë të gatshëm, të formuar, të frymëzuar  për ta drejtuar shoqërinë drejt një standardi tjetër, pranë  kulturës politike evropiane siç i takon kohës që jetojmë,  nevojave që qytetarët kanë dhe aspiratës evropiane të shqiptarëve, të shprehur që një çerekshekulli më parë. 

SHKARKO APP