Drejtoresha e DAP, Koçiu: Jashtë orarit të punës, kushdo mund të marrë pjesë në fushatë
Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu, sqaroi pak minuta me pare se jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë godinës së institucionit, cdo punonjës i administratës mund të marrë pjesë në fushatë nëse ka dëshirë.
“Do të monitorojmë kur pjesëmarrja në fushatë është me detyrim, por jashtë orarit dhe godinës dhe me dëshirë cdo kush mund të mbështetë cilindo subjekt.
Urdhri i kryeministrit Rama i ka të përcaktuara qartësisht rregullat; Ndalohet përdorimi i detyruar i administratës në fushatë” tha ajo.
Deklarata e Koçiut erdhi, pasi punonjësit e gjashtë ministrive më të rëndësishme, të cilat drejtohen përkohësisht nga ministrat teknikë, të propozuar nga Partia Demokratike, po kalojnë ditë të mbushura me kërcënime, me kufizim të lirisë së lëvizjes, me mbikëqyrje të vazhdueshme.
Nën kërcënimin me pezullim nga detyra dhe me kallëzim penal, zyrat e administratës të sektorëve të drejtuar nga ministrat ‘teknikë’, kanë marrë trajtën e qelive të burgut.
Situata më e rëndë është në Ministrinë e Financave, në të cilën ka nisur edhe një konflikt midis ministres dhe zëvendësministres.
Pas urdhrit të ministres së Financave Helga Vukaj, për ndërprerjen e pushimeve vjetore për të gjithë punonjësit, deri në datën 30 Qershor, që të shmangej dalja e tyre në fushatë, administrata po përballet me kufizime të tjera.