Duka: Duam tre pikët me Serbinë
Shqipëria u gjobit edhe me 100 mijë euro gjobë, me arsyen se lojtarët e kombëtares sonë braktisën fushën e Partizanit të Beogradit më 14 tetor, pavarësisht pretendimeve dhe thirrjeve të tyre pas ndeshjes, se janë sulmuar fizikisht nga tifozët serbë, lojtarët dhe stafi i sigurisë. Serbisë iu dha fitorja në tavolinë, por iu hoqën tre pikë për shkak të incidenteve që prodhoi “shtëpia e saj”, mirëpo u gjobit nga UEFA po aq sa Shqipëria, me 100 mijë euro gjobë, ndonëse e tërë përgjegjësia e organizimit të ndeshjes i takonte veçse asaj. Ky vendim, – sipas presidentit të FSHF-së, Armand Duka, – mbetet “i padrejtë” dhe aspak në përputhje me gjithçka ndodhi në fushë. Në një dosier që do t’i dërgohet UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit denoncon edhe një herë tjetër racizmin e shfaqur nga tifozët serbë, si dhe ngre si një shqetësim të madh praninë e fotove të disa politikanëve serbë dhe mesazhet politike, rreptësisht të ndaluara nga UEFA.
Në këtë dosier shprehet shqetësimi i madh edhe mbi prezencën e huliganit Ivan Bogdanov, i cili me tifozë të tjerë u fut në fushë pa u ndeshur me asnjë pengesë para dhe gjatë ndeshjes. Bogdanov, 29 vjeç, vetëm pak kohë më parë kishte dalë nga burgu ku vuajti për 3 vjet dënimin që mori, pas trazirave që shkaktoi në Xhenoa, në një ndeshje kualifikuese “Euro 2012”, mes Italisë dhe Serbisë. Ndeshja u ndërpre, dhe iu dha më pas Italisë me rezultatin 3-0, në tavolinë. Me rastin e Shqipërisë, ndonëse Serbia ishte pritëse, ndodhi e kundërta!? – “Në këto momente, ne po presim të marrim një përgjigje nga UEFA, brenda 10 apo 14 ditëve dhe më tej, do ta apelojmë çështjen,” – theksoi Duka për “Sky Sports”. – “Nga pikëpamja jonë, vendimi nuk është marrë bazuar mbi ngjarjet që ndodhën në fushë. Ishte një vendim i pandershëm dhe jemi tepër të zhgënjyer me të.”
Racizmi pret përgjigje
UEFA përdor si slogan, “Say no to racizm”, por këtë radhë heshti përballë një fenomeni të tillë. Pse? – “Diçka që nuk është marrë në konsideratë ishte racizmi i shfaqur brenda stadiumit. Tifozët serbë kënduan në kor: Vritni, vritni shqiptarët…vritini derisa asnjë prej tyre të mos mbetet,” dhe nuk pati thirrje të tilla vetëm brenda stadiumit, por edhe jashtë,” – nënvizon kreu i FSHF-së. – “Gjithashtu pati edhe banderola politike në stadium, banera të ish-politikanëve famëkeq serbë, disa prej të cilëve janë akuzuar në Hagë për krime lufte. Pati edhe një skenë tjetër që nuk është parë, si ajo që ndodhi në tunel. Lojtarët tanë u futën njëri pas tjetrit, me shpejtësi por janë sulmuar nga tifozë, forca sigurie, dhe madje edhe policë serbë. Kapiteni i kombëtares sonë, Lorik Cana, nuk është ende në gjendje që të luajë për shkak të dëmtimeve që mori në atë ndeshje,” – shprehet më tej, Duka, të cilit para ndeshjes i është dhënë garanci nga autoritet serbe se nuk do të ketë asnjë incident. – “Gjatë një takimi para ndeshjes, na është thënë se do të ketë 4000 policë në stadium si dhe 947 forca sigurie. Por ajo që ndodhi nuk duhet të ishte lejuar. Ishte një dështim total i organizatorëve, që nuk i dhanë sigurinë që i duhej një ndeshjeje futbolli.”
Dhuna dhe huliganizmi
Lojtarët shqiptarë janë goditur shpesh gjatë ndeshjes me objekte të forta, apo fishek-zjarre, që hidheshin nga shkallët e stadiumit.
Këtë të djelë tifozë të shumtë Kuqezi protestuan para zyrave të UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, madje lëshuan një dron në shenjë ironie ndaj kreut të UEFA-s, Mishel Platini, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur në një video disa nga pamjet më pikante të ndeshjes, Serbi-Shqipëri. Banera politikë, thirrje raciste dhe dhuna që shpërtheu gjatë gjithë ndeshjes së Beogradit, do t’i dërgohen gjithashtu UEFA-s, me qëllim që Komisioni i Apelit të ndryshojë masat ndëshkuese ndaj Shqipërisë. Federata Serbe e Futbollit, U-21, është ndëshkuar edhe në vitin 2012, për shkak të racizmit të shfaqur në një ndeshje ndaj Anglisë, që u zhvillua në Krusevac. Serbia u gjobit me 80 mijë euro dhe skuadra e saj, U-21, luajti një ndeshje pa tifozë, dënim ky që u kritikua dhe u kontestua ashpër nga Federata Angleze e Futbollit, si dhe nga qeveria britanike.
– “Kjo mbetet një histori e përsëritur për serbët. Në Xhenoa ka pasur trazira kur Serbia luajti ndaj Italisë dhe të gjithë e dinë ç’ndodhi atje. Po ashtu edhe me të rinjtë e Anglisë, në Krusevac,” – vijoi më tej presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
– “Ivan është lideri i tyre edhe veprimet e tij nuk janë aq të pakontrolluara. Ai ishte i burgosur deri pak kohë më parë dhe historia e tij njihet mirë. Por u pa të lëvizte lirshëm nëpër stadium dhe ia kemi përcjellë këtë informacion edhe UEFA-s,” – sqaron Armand Duka. – “Ne shkuam atje pa tifozë dhe pa staf sigurie. Ne thjesht donim të luanim futboll. Por kur mbërritëm, u ndeshëm me urrejtjen e 30 mijë njerëzve. Nuk mund të gjej fjalë të përshkruaj atë që ndjemë, në atë ndeshje. Thjesht po mendonim për të shpëtuar jetët tona,” – përfundoi Armand Duka.