Duke kërkuar arsyen…
Ndodh jo rrallë në Shqipëri, por jo vetëm, që moszgjidhja e problemeve t’iu faturohet atyre që qeverisin. Qytetari shpesh drejton gishtin për shkaktarin e problemeve të tij të shumta, mungesën e ujit të pijshëm, dritave, rrugëve të pashtruara, papunësisë, për çmimet e larta të produkteve ushqimore, mungesën e cilësisë së këtyre produkteve, korrupsionit, etj. Gjithmonë diskutohet për raportin midis cilësisë së produkteve dhe shërbimeve që ofrohet, dhe asaj që duhet të ofrohet në raport me vendet e tjera të Evropës. Meqenëse, krahasimi bën diferencën e vërtetë, debati është gjithmonë prezent, po aq sa është prezent shkundja nga faji. Secila palë pozicionohet në kahun e vet duke u mbrojtur me të gjithë mënyrat, për të fituar të drejtën, sepse “Faji mbet gjithmonë jetim”- thotë një fjalë e urtë e popullit. Çdo kohë ka problemet e veta, por këto tonat mbarten nga e kaluara dhe po të njëjtat i përcillen së tashmes. Shumë pak gjë ka lëvizur nga e shkuara, mes arsyes për të gjetur shkakun e progresit të avashtë, dhe shkaktarëve të vërtetë të bllokimit të këtij progresi. Prirja përgjithësisht është për t’i ndarë gjerat me thikë, e ku vetëm njëra palë duhet të jetë shkaku i gjendjes. Ndërkohë që, e drejta nuk mund të pozicionohet në një kahë, përsa kohë dhe qytetari dhe autoritetet mendojnë se kanë të drejtë, nisur nga arsyetimi i tyre për, atë, që konsiderojnë të drejtë. Tendenca për të fituar të drejtën në këtë formë nuk bën gjë tjetër veçse, çon dëm kohën që duhet për zgjidhjen e problemeve konkretisht.
Problemi është se e drejta ndryshon me kalimin e kohës, pasi ajo që quhej e drejtë dje, quhet e padrejtë sot, pasi kompleksohet nga faktorë jo të njëjtë me kohën. Ndodh të jetë kështu, por jo për gjithçka. Në diskutimin për të gjetur se kush ka të drejtë, dhe pse ka të drejtë ,ai, që mendon se ka të drejtë, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse humasim kohën e nevojshme për të bërë analizën e vetvetes. Gjykojmë pa parë nga vetja, e përsa kohë nuk kemi parë nga vetja gjithmonë konkluzionet do të jenë të pasakta, e gjithmonë problemet do të mbesin pa zgjidhje. Gjithsesi ne gjithmonë jemi në kërkim të shkaktarëve, ndonëse mund të jemi vet pjesë e shkakut. Ajo që na mungon shpesh është ndërgjegjësimi për të bërë pjesën tonë si qytetar. Të jemi të drejtë, para se të kërkojmë të drejtë. Ndodh jo rrallë të jetojmë në një ambjent indiferent përballë problemeve. Për të dhënë një dorë në atë që konsiderohet e rëndësishme për të gjithë. Në morinë e halleve të përditshme, që nuk janë të pakta për hir së vërtetës, të gjithëve na ka rastisur të shohim mbeturina të hedhura gjithandej nëpër trotuare, në rrugë, në kanale, ku ka qendra të banuara dhe larg tyre. Por sa bëjmë ne si qytetar për mbajtjen pastër të ambjentit tonë? Shumëpak. Edhe aksionet e vazhdueshme për pastrimin e ambjenteve të përbashkëta nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme. Sa më shumë i largohesh qendrës së Tiranës, aq më shumë ndesh me një ambjent aspak të këndshëm për syrin. Aksionet për pastrimin e Shqipërisë, si ato në një ditë kanë ikur e s’po i shihim më, pavarsisht se, për një ambjent të përbashkët, kujdes duhet të jetë i përbashkët. Tashmë ky është një prej problemeve të shumta që na shoqëron çdo ditë. Kjo përplasje e përhershme jo vetëm që nuk krijon bashkëpunim, por lë mënjanë zgjidhjen e shumë problemeve të rëndësishme. Gjithsesi, ne kërkojmë arsye, duke e larguar arsyen që na bën vet fajtor. duke harruar kështu, se të qenit i përgjegjshëm është çelësi i zgjidhjes së çdo problemi.