Dumani: Nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë. Rritje të numrit të dënimeve të formës së prerë
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani tha gjatë fjalës në Kuvend për punën e SPAK-ut, se nën hetim në vitin 2024 janë vënë 33 ish-zyrtarë të lartë. Për të është rritur numri i dënimeve të formës së prerë.
”Vihet re një rritje e besimit të publikut tek SPAK-u në lidhje me referimet e veprave penale. Për këtë vit shumica e referimeve kanë ardhur nga shtetasit, numri i të cilave zë rreth 37% të totalit. Krahasuar me vitin 2023, numri i procedimeve të nisura nga referimet e ardhura nga shtetasit është rritur në masën rreth 36%.
SPAK ka aplikuar një politikë penale në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu për llojin e kërkesave të masave të sigurimit rezulton se, numri i të paraburgosurve nga SPAK që ndodhen pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale përbën vetëm 9,7% të totalit (nga 2,791 të paraburgosur në Shqipëri, 270 prej tyre janë nën hetim nga SPAK). Numri i të burgosurve, që janë dënuar me vuajtje dënimi me burg nga hetimet e SPAK përbën vetëm 9,5% të totalit (nga 1,722 të burgosur, 165 persona janë dënuar pas procedimeve të SPAK).
Përsa i përket masave të sigurimit “arrest me burg”, kjo masë krahasuar me llojin e masave të tjera të sigurimit, për veprat penale të korrupsionit zë vetëm 5,1% të totalit të masave, ndërsa për krimin e organizuar, kjo masë sigurie zë 30,84% të totalit. Efektiviteti në gjykim për zyrtarët e lartë, ka një rritje të numrit të dënimeve të formës së prerë për këtë kategori (nga 9 në vitin 2023, në 10 për vitin 2024).
Vendimet e fajësisë në shkallën e parë të Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) kanë shënuar një rënie në masën 9% në raport me vitin 2023, ndërkohë që ato të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) janë thuajse në të njëjtin nivel me vitin paraardhës”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

