Durrësi qendër e turizmit. Dako premton zhvillimin e bujqësisë

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, znj. Eglantina Gjermeni,  Roland Xhelili, znj. Klodiana Spahiu dhe z.Agim Karaj zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët e zonës së Sukthit.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Dako u shpreh se bujqësia është një nga pesë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit duke theksuar se ky sektor është edhe një prej sektorëve me mundësitë më të mëdha të punësimit. Duke e cilësuar zonën e Sukthit si një prej zonave me kapacitetet më të mëdha për zhvillimin e bujqësisë, kryebashkiaku bëri të ditur disa prej investimeve që Bashkia ka bërë në këtë zonë por edhe ato projekte që do të nisin së shpejti të zbatohen.

“Kemi filluar këtu me pastrimin e kanaleve. Do të vazhdojmë me rrugët, do të vazhdojmë me investime të tjera të shkollave. Do të vazhdojmë për të përmirësuar çdo ditë cilësinë e jetës së banorëve. Është projekti i madh i furnizimit me ujë të gjithë zonës. Nga ana tjetër, do të bëjmë rrugën e Rrushkullit,  brenda këtij viti në muajt shtator-tetor do të fillojë rruga nga Perlati drejt Rrushkullit, pasi hapëm urën e cila lidhej me zonën e Sukthit, vazhduam me rrugën nga Hidrovori deri në Perlat. Do të vazhdojmë përsëri me një aks të ri rruge e cila do të lidhi autostradën me Hamallen. Do bëhet një autostradë e re e cila kushton afro 50 milionë dollarë, është pjesë e projektit që qeveria shqiptare ka për investimet 1 miliardë dollarë në të gjithë Shqipërinë, një nga këto rrugët kryesore është rruga turistike e cila do të lidhë autostradën me zonën e Hamallajt ku do të japi një përparësi turizmit të asaj zone po nga ana tjetër do ti japë mundësi edhe të gjithë fermerëve tanë të zhvillojnë tokat e tyre në krah të kësaj autostrade, pra do të ketë një mundësi zhvillimi më shumë për këtë zonë”, theksoi z. Dako.

Ndërsa kandidati Xhelili e cilësoi programin e Partisë Socialiste për bujqësinë si të shkëlqyer duke theksuar se mandatin e dytë mbështetja për fermerët do të jetë edhe më e madhe. “Përpjekjet e qeverisë tonë në mandatin tjetër janë që të rritet mbështetja për gjithë fermerët nëpërmjet AZHBR-së duke shtuar edhe 40% fondet në mbështetjen tuaj, dhe duke rritur numrin e atyre që do përfitojnë me 60%. Paketa e Partisë Socialiste është një paketë e shkëlqyer, janë 25 milionë euro në ndihmë të bujqësisë”, u shpreh z. Xhelili.

Nga ana e saj, Ministrja Gjermeni solli në vëmendje se mandati që po mbyllet ishte një provë e fortë sesi ndërtohet një shtet dhe si bëhen reformat duke shtuar se me të njëjtën këmbëngulje dhe përgjegjshmëri do të punohet edhe në mandatin e dytë për të rritur punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Them që katër vite kemi dhënë një provë të fortë si ndërtohet një shtet, si mund të bëhen reformat, si mundet të jemi në shërbim të qytetarëve, si mund ti ndihmojmë ata dhe kemi krijuar një model shumë të mirë pune. Derë me derë, shtëpi më shtëpi në të gjithë zonën e qarkut të Durrësit po shkojmë vërtetë të ballafaqohemi dhe të themi gjithçka të mirë që kemi bërë dhe të angazhohemi që siç kemi punuar me përgjegjshmëri, me këmbëngulje, sidomos për reformën në drejtësi, sidomos për vetingun, me të njëjtën përgjegjshmëri dhe këmbëngulje do të vazhdojmë sfidën edhe kësaj radhe punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh znj. Gjermeni.

Ndërkohë, kandidatja për deputete znj. Klodjana Spahiu ftoi të gjithë që të “bëhemi bashkë për të votuar për familjet tona, për të votuar për fëmijët tanë, për të votuar për një të ardhme më të mirë për bujqësinë”.

SHKARKO APP