Dy faqezezat e fytyrës së politikës …

Nga Kristo Mërtiri/-Aman, t’u bëfshim kurban, na dëgjo pak. Kohë më parë, kur na the troç se disa politikanë shqiptarë e liderë kalanderë flenë me “qentë” dhe ngrihen me “pleshta”, ne e përcollëm me të qeshura e të ngjeshura muhabeti buzë Vjosës shekullore. Kujtuam se e hodhe bashkë me grepin, si ushqim mashtrues për peshqit nëpër valë e strumbullarë. Mirëpo rrodhën shumë ujëra në Tranzicionin e pafund. Dhe ti, miku ynë, pa kujë e zhurmë vazhdon të ngulësh këmbë si Kuqja e nënë Evës (mushka e mirënjohur në vendlindje) te Bregu i Kulunxhiut, sot e kësaj dite. Pa hequr dorë nga ai mendim që neve po na fut në të thella e nëpër zgafella reale mosbesimi e trishtimi ndaj rilindistëve në pushtet e atyre në opozitë. Përshembull, debatet e tollovirat taze për hashashin, e kapërcyen gardhin e groteskut në Parlament. Ky tempull i shenjtë demokracie është kthyer herët në një “Pazar Roskoveci” e kastraveci dhe pa asnjë kordon sanitar moral, politik e larg shëndetit mendor. (Sapo lenë prapa këtë prag të molepsur me hipokrizi sipërore, ua hipin fuoristradave dhe hyjnë rrufeshëm nëpër fejsbuqe e ulluqe për të nisur “fonogramet” drejt komunitetit në qytete e fshatra ! Risqarojnë “publikun” e shushatur nga gjëmimet live në ekrane dhe i japin karar me atë fjalinë më të shpërdoruar : Qentë le të lehin…). Ama, vetëm në podiumet elektorale e partiake, duken sikur u pret kordha majtas e djathtas përmes detit të polemikave bajate e azate. Ata ligjërojnë thekshëm çdo të enjte në zemër të Kryeqytetit, ndërsa nëpër kodra, lugina e përrenj malorë, turfullon e ligjëron nëndheshëm Droga. E korrur dhe e pakorrur. Tokat e deridjeshme djerrë, sot janë përmbytur nga helmi gjelbërimmbuluar dhe i frikshëm në Jug e Veri. Politikanët derdhin fjalimet me letër e pa letër në Tiranën politike, por lumenjtë e drogës vërshojnë mbi samarë mushkash e gomarësh, në autovetura e furgonë, mbi skafe e gomone dhe gjer me avionë ekskluzivë e aspak iluzivë. Po lemerisen brigjet italiane, greke e të tjerë. Dhe gati përditë në rrjetat policore vendase e të huaja bien cironka a qiraxhinj hallexhinj të këputur e të verbuar. Al Kaponet dhe bosët e vërtetë me valixhet e tejfryra nga blloqet me euro e dollar, shëtisin e relaksohen në PUB-et, hotelet e motelet e metropolit shqiptar. Politikanët ngrysen e gdhihen me “qentë” dhe ditën e enjte bëjnë vetëm hajgarë e sfilata oratorie në sheshmejdanin e tempullit demokratik. Ra avioni në Divjakë e më pas tjetri në Ishëm, por nuk ranë fjalimet e betimet. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë çakejsh ! As veniten e as koriten ndonjëherë. Një çerek shekulli kështu. Thonë ç’u do kokrra e qejfit, korrin e grijnë silazh “patriotizmi”, ndërsa njerëzit e thjeshtë sfiliten për të siguruar koromanen e hidhur të gojës…

Po sikur Perëndia të mos na e mbajë dot gjuhën lidhur dhe t’ua kthejmë edhe ne me të njëjtën monedhë vulgare e fyese ?,-pyesin me të drejtë miqtë e mi vërsnikë që jetojnë e punojnë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, pa asnjë teserë në xhepa.- Sepse në fund të fundit, kur kujton qenin, bëj gati shkopin ! Veçse ku ma gjen të përballesh vetëm me qen gjahu, langua. Të paktën, provon emocionet pozitive të një sporti jo pak të lakmuar në këtë botë jallane. Por barinjtë e mençur të viseve të mia, nuk e lëshonin kot atë postulatin me tingëllimë gjithnjë aktuale : Qeni që s’di të lehë, ta sjell ujkun në vathë ! Dhe karvani ngre supet e mban sehir kronikat me zë e figurë. Apo edhe ujku grabitqar, mishngrënës i familjes së qenëve është ?! Vetëm në monizëm, gjuetia e tij lejohej në çdo stinë e pa asnjë kufizim…Pra, fjalime lumë, por edhe droga lumë që s’ndalet nëpër Shqipërizën tonë brengashumë. Politika qeveritare e parlamentare po i ngjan çdo ditë e më tepër atij gjahut pa pushkë. Mbrëmë te Brryli i Tiranës, një miku im hokatar nga Lumi i Vlorës, e ilustroi bukur këtë tablo irrituese :

 “Me të parë Sabriun që ecte duke iu marrë këmbët, fëmijët e Selenicës i viheshin nga pas me thirrma e me potere.

-E, Sabri,-e pyesnin me shaka rrugës,- ku po shkon me gjithë këtë tabor ?

-Për gjah po shkoj, po ç’e do, kam marrë zagarët dhe kam harruar pushkën…”.

Mirëpo qenve antidrogë të shtetit, më thonë se u ka ikur zëri e nuhatja, por ende nuk paskan lajthitur. Vërtet nuk bëjnë as gëk e as mëk përballë qenërisë që ruan vilat në Gjirin e Lalëzit, në Bregun e Detit, në gjunjët e Dajtit a në Surel, në Farkë, Qerret, Golem, Orikum, Llogara, Sarandë e Ksamil ?… Nuk më besohet plotësisht. Se qentë antidrogë të shtetit nuk bëjnë kurrë “jetë qeni” si ata që kanë pushtuar rrugët dhe bulevardet e metropolit. Janë të shkolluar e të specializuar jashtë e brenda vendit, ushqehen, vishen e strehohen më mirë se qindra jetimë fatkeq, romë e egjiptianë që nuk dinë hiç për milionat e dhuruara nga Europa, enkas për ta ! Kostoja e tyre mujore ua kaloka pensioneve të mijëra pensionistëve duardridhur që punuan e u munduan një jetë të tërë për këtë Shqipëri të bekuar, por rrokopujë e “tmerrësisht demokratike”(?). Mua shpesh nuk më bën zemra të them se këtu nuk e njeh qeni të zotnë. Përderisa sot janë shtuar emërtimet e pagëzimet pluraliste : qen stani; qen kuzhine; qen avllie; qen sokaku; qen gjahu ose zagar lepujsh;  zagar shpendësh të egra; zagar kryetarësh; qen kallajxhiu; qen vreshti e gjer te…”qen bir qeni” ! Gati të gjithë ngrihen me pleshta. Dhe disa prej tyre, çuditërisht mbushën dhomat e paradhomat e Politikës imorale. Dhe nga ekranet e ditës së enjte, duken sikur shkojnë si qeni me macen, zihen e përzihen të “përgjëruar” për elektoratin dhe publikun që tashmë ngjan i përgjumur e i droguar dhe vetë lëshohen nga zinxhiri…

Mbi 80 për qind e deputetëve qenkërkan policë e biznesmenë të zgjedhur nga dora e Kryetarëve (jo nga populli), tabor me bodiguardë e mercenarë të regjur rreth liderit që i thërret në çaste rreziku e nevoje.

-Na dëgjo pak, o miku ynë në metropol ! Qeveritë apo Kryetarët e partive gjejnë edhe belanë, sidomos kur blejnë “qenër” dhe u dalin “kulish” të zgjebosur e larg atyre që as kullojnë e as turbullojnë. Vërtet për asgjë nuk shërbejnë, por ama dinë të rrëmbejnë nga “pushtpushteti” i djeshëm e i sotëm . Dhe nuk e vërtisin ters sherianë, por kullandrisin me lezet me nder tendera, borde, privatizime, koncesione për soj e sorollopin në breza. Dhe nuk e lënë kurrë bosh Arkën frytdhënëse të Partisë mëmë a njerkë qoftë! Arkë që u fal kolltukë parlamentare, shtetërore e lopë mallteze qumështore që milen përditë. Dhe nuk janë nga ai sua që nuk e begenis dhjamin nga pleshti ! “Paraja-maskaraja” i mban lidhur e grushtbashkuar nëpër çairet shtetërore. Merren vesh për bukuri me njeri-tjetrin. Dhe kanë arritur një majë jo dosido : Jo rrallë “bëhen bashkë një grusht pleshta”. E tha saktë Blushi, atë sallë të nderuar e kthejnë edhe në “treg ligjesh” të fshehur nën maskën e çështjeve politike. Shkurt meseleja,”nëse ke para e blen një ligj, nëse nuk ke, e blen kundërshtari yt. Dyqani i Rilindjes funksionon non-stop për të shitur ligje. Vetë Rilindja pra, e pranon se ligji vjen këtu në emër të disa firmave të riciklimit, të cilat pretendojnë se kanë mbetur pa punë”. Interesat e fëlliqura personale po i lënë “përtej Urës së Qabesë” interesat e Shqipërizës sonë që ka zënë vendin e parë në Europë për ndotjen ! Dhe thuaj po deshe se nuk futen pleshtat në thes. Aq më tepër kur mjaft politikanë e deputetë flenë me “qentë” dhe u thonë “bujrum” plehrave të dynjasë matanë mëmëdheut që e kthyen për çerek shekulli në “laborator të papërgjegjshëm zullumqarësh”. Për interesat kombëtare dhe ato të publikut, gjer më sot kanë bërë një vrimë në ujë. Më shqip : Mbathën pleshtat me potkonj ! Dhe nuk janë nga ata të ujit në det, që lëvizin duke vallzuar…

Politikanët e qeveritarët që flenë me “qentë” në mazhorancë e opozitë, zakonisht janë gati të djegin jorganin për një “plesht”. Dhe fërkojnë barkun nën lëpirjen e servilëve të përjetshëm me zilet e këmborët neveritëse të lepepeqërisë. Droga dhe importimi i plehrave janë dy faqe të zeza në fytyrën kriminale të politikës, majtas e djathtas. Shoqëria jonë nuk ka pse rrokulliset në humnerë, duke bërë copë e thërrime imazhin e vërtetë turistik që ia ka falur Zoti, por edhe shëndetin e një vendi të telikosur e të fundosur pa mëshirë nën kthetrat marramendëse të parasë së pistë. Nëse janë kaq “trima”, rilindistët le ta provojnë e peshojnë veten në Referendum popullor ! Të tjerat janë nga ato palo dokrra që duan të shesin edhe lëkurën e pleshtit…

SHKARKO APP