Dy filiza të dhashë Shqypni…

 

Nga Nikolla  Sudar*

Viti 1947. Kudo trumbetohet me të madhe “puna titanike” që bëhej për tharjen e kënetës së Maliqit, si vepër madhështore e “pushtetit të ri popullor”, duke lënë me qëllim në errësirë se ajo ishte vepër gjaku e qindra bijve, mjaft prej të cilëve nga familjet më të nderuara të Shqipërisë. Të etiketuar si “armiq të popullit”, ata duhej “të lanin mëkatet e origjinës dhe të nacionalizmit të tyre” në tharjen e kënetës së Maliqit.  E në këtë mjedis, që çdo ditë merrte jetë njerëzish, ishte dënuar të vuante për ndjenjat e tij nacionaliste, patrioti i shquar, burri i urtë e shpirtmadh, që aq shumë kishte dhënë për vatanin, Hysen Kruja (Kau). Puna në tharjen e kënetës ishte mbinjerëzore; shpesh uji arrinte deri në fyt dhe për thellimin e shtratit duhej zhytur në fund të kënetës për të hequr dheun. Atje punohej me mjete primitive, pa ujë të pishëm në zhegun e vapës, ku mushkonjat dhe gjarpërinjtë bënin kërdinë. Kësaj pune të tmerrshme e të përditshme i shtohej edhe “eksperimenti” i vazhdueshëm që bënin kapot e këtij kampi: hipur mbi varkën “e vdekjes” (siç e quanin të burgosurit), ata lëviznin dhe duke goditur me kamxhik të dënuarit, ashtu të raskapitur nga puna e rëndë, nga mungesa e ujit dhe e ushqimit. Por Zoti i madh ia lehtësoi sadopak vuajtjet këtij njeriu të mirë, tashmë të moshuar. Ceni qe bashkëvuajtës me trimin e shquar shijakas Qamil Kacmoli, me këtë atdhetar të vendosur me trup prej divi, me këtë antifashistë të rrallë, që aq shumë i kishte dhënë luftës për liri si në Vlorë ashtu edhe në Shijak, por që tashmë ishte zhgënjyer plotësisht nga ideologjia komuniste. Qamili çdo ditë bënte tri norma, duke shpëtuar me muaj të tërë jetë njerëzish e në rradhë të parë Cen Krujën. Çdo ditë e merrte në kurriz burrin e moshuar për ta kthyer në kapanon, pas punës së tmerrshme në kënetë. Në këto çaste plaku i urtë e zemërbardhë i jepte urimet më të mira prej prindi, këtij djaloshi zemërflori.

 Në burg Ceni u njoh dhe u miqësua shumë me intelektualin e shquar Arshi Pipa, i cili e deshi pa masë këtë patriot të vendosur e burrë të mençur. Asnjëherë nuk do ta harronte Ceni përkujdesjen ndaj tij edhe të djaloshit tjetër nga Shijaku, Shaban Gashit, që bëri aq shumë për t’ia lehtësuar vuajtjet plakut të urtë, shëndeti i të cilit nga dita në ditë po dobësohej. Keqtrajtimi në hetuesi (si pasojë e tyre u shtrua dy herë në spital), puna jashtëzakonisht e rëndë, kushtet e papërballueshme të jetës në qeli dhe mosha e kaluar ia shkatërruan plotësisht shëndetin Cen Krujës. Me një brengë të madhe, sepse nuk mundi t’i shohë për herë të fundit të afërmit e tij më të dashur, atdhetari i nderuar shijakas Cen Kruja mbylli sytë në burgun e Durrësit.

 Cili ishte Hysen Kruja (Kau)? Përse ai sot kujtohet me respektin më të thellë?

Ai u lind në Krujë, në vitin 1888, në një familje atdhetare e të përmendur në tregti. Pasi kreu shkollën e mesme turke, ku u dallua për rezultate të larta dhe etje për dije, më 1907 vendoset përfundimisht në Shijak, të cilin e deshi njëlloj si vendlindjen e vet. Këtu Cen Kruja u bë i përmendur, jo vetëm si tregtar i zoti, por mbi të gjitha si humanist i madh, që ndihmonte cilindo në nevojë dhe që mbi gjithçka vinte atdheun. Ceni mbante lidhje të ngushta me Abaz Kupin, që e kishte mik për kokë, me Bilal Kolën, Shefqet Bejën, avokat Myshketën, Ramazan Jellën, Qazim Domin, hafiz Maliq Jakovën, fiset e përmendur Deliallis, Mancakë, Kokol, Ramë Markun etj. Cenin e donte dhe e respektonte Naltamadhnia. Pyetjes me shaka të mbretit, kur një herë po kalonte nëpër Shijak, nëse ndihet i nderuar, me që po e takonte në dyqan, ai iu përgjegj me buzëqeshjen e vet karakteristike: “Naltmadhni, miku pritet në shtëpi dhe jo në dyqan!”

Pushtimi fashist i vendit e tronditi thellë nacionalistin e orëve të para, Cen Krujën. Si antifashist ai dha ndihmë shumë të madhe materiale për njësitin partizan të zonës dhe për Pezën, kurse shtëpia e tij u shndërrua në një nga bazat kryesore të luftës për liri në gjithë nënprefekturën e Shijakut, ndonëse asnjëherë nuk do të pajtohej me qëllimet përçarëse të PKSH. Kërkesës së Kajo Karafilit për ta strehuar pas një atentati që mendonte të kryente në Shijak, më 7 dhjetor të vitit 1942, burri i mençur iu përgjgegj: “Kush guxon me hy në Shijak për me vra, ka me lanë kryt e vet!”. Dhe pikërisht ashtu ndodhi: atentati në Shijak dështoi dhe u kushtoi jetën dy të rinjve partizanë.   

Cen Kruja bëhet frymëzuesi dhe udhërrëfyesi i fëmijëve të vet, të cilët zgjodhën rrugën e luftës ilegale për liri dhe drejtësi shoqërore. Vajza e tij, trimëresha e paharruar Naile Kau, e edukuar me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, doli mbi mjedisin fanatik e plot paragjykime të atëhershëm. Kurrë nuk do të harrohet kontributi i kësaj vajze burrneshe (në atë kohë e fejuar), e cila u bë shembull i gjallë për dhjetra vajza antifashiste të Shijakut, që u futën në rrugën e vështirë të luftës ilegale. Gjatë një bastisjeje të rreptë nga ana e fashistëve italianë, Nailja dha jetën si atdhetare e vërtetë, në gusht të vitit 1943, kur qe vetëm 19 vjeçe. Por peshën kryesore të veprimtarisë antifashsite nga fëmijët në familje do ta mbante i biri i Cenit, intelektuali i paepur Kapllan Kruja (Kau). Me fjalën dhe shembullin e tij ai u bë frymëzues për rininë antifashiste shijakase. Gjatë operacionit të vështirë të Dimrit, Kapllani u përlesh me armë në dorë kundër nazistëve. Gjysmë të ngrirë në dëborë nga të ftohtit e madh e sjellin fshehurazi në shtëpi, në Shijak, këtë trim të çartun, nën përkujdesjen e mjekut patriot Koço Deda. Ishte shkurti i vitit 1944, kur djaloshi 23-vjeçar do të ndahej përgjithmonë nga ideali i lirisë, nga familja dhe shokët e tij. Këto qenë dy goditje shumë të rënda për atdhetarin Cen Kruja, por rrugën e therorve për liri do ta ndiqnin djemtë e tjerë: Aliu, Beqiri e Petriti.

Dita e Çlirimit nga pushtuesit e huaj, ndoshta më tepër se cilindo tjetër, duhej të gëzonte familjen e Cen Krujës, e cila kishte dhënë gjithçka për arritjen e saj. Por ideologjia komuniste, e cila nuk e njihte tolerancën dhe humanizmin, u hodh me tërbim kundër Cenit dhe familjes së tij. Ajo shkeli mbi gjakun e dy të rënëve për liri, të Nailes dhe Kapllanit, shkeli mbi veprimtarinë antifashiste të të gjithë pjesëtarëve të familjes, duke mohuar edhe kontributin e paçmuar që kishte dhënë ajo materialisht. “Pushteti i ri popullor” nuk do t’ia falte Hysen Krujës origjinën e tij si tregtar dhe bindjet e forta nacionaliste. Pasi u sekuestroi gjithçka me vlerë dhe i flaku në mes të katër rrugëve, diktatura e egër, që tashmë kishte marrë revan, arrestoi dhe burgosi për shumë vite me rradhë atdhetarin Cen Kruja dhe po atë vit edhe djalin e tij, Beqirin. Shumë vjet kaloi nëpër burgje edhe djali tjetër, Aliu, po kështu burgosen i vëllai dhe nipa të Cenit. I tërë fisi Kruja (Kau) në forma nga ma të ndryshmet do të provonte hakmarrjen e gjatë komuniste. I tërë ky fis i paepur, nga më të nderuarit, jo vetëm në Shijak, por në të gjithë Shqipërinë e Mesme, nuk u mposht dot, por ruajti me fanatizëm krenarinë dhe respektin e thellë për veprën e të parëve të tyre.

Përmbysja e madhe do të realizonte më në fund ëndrrën e familjes Kau. Përsëri në radhët e para të Lëvizjes Demokratike do të ishin trashëgimtarët e patriotit, sidomos nipat e tij, Ruzhdiu, Sovjeti, Kapllani (Loshi) etj. Rivarrimi i eshtrave të Cen Krujës, më 8 qershor të vitit 1994, në prani të qindra banorëve shijakas, është shprehje e dashurisë dhe e respektit për këtë bir të paharruar të popullit.  

30 dhjetor 1994. Qindra qytetarë shijakas janë mbledhur në sallën e pallatit të kulturës të Shijakut. Djali i Cen Krujës, Aliu, tashmë i moshuar dhe i pamundur fizikisht, mbledh forcat e fundit, por nuk i ndal dot lotët nga emocioni i madh, kur merr dekoratat e larta akorduar motrës Naile dhe vëllait Kapllan. Ai nuk përmbahet dhe me një ndjenjë të lartë mirënjohjeje e respekti për demokracinë, i puth duart z. Pjetër Arbnori. Momente prekëse për të gjithë të pranishmit. I emocionuar thellë z. Pjetër Arbnori ia puth edhe vetë duart e rreshkura këtij plaku të urtë, (që aq shumë të këqia kishte provuar), duke e përqafuar me dashurinë prej djali. Kontributi i shquar i familjes Kau do të kujtohet nga bezi në brez. Ai është përjetësuar edhe në pllakën përkujtimore të vendosur në këtë shtëpi të përmendur.

Kam besim se vargjet e  thjeshta të cituara më sipër do t’u bëjnë sadopak jehonë atdhetarizmit dhe humanizmit të plakut të urtë, birit të paharruar të Shijakut e të Shqipërisë së Mesme, Cen Krujës dhe familjes së tij.

                                                                                                                                                     

Dy filiza të dhashë, Shqipni,

Unë Cen Kruja nga Shijaku,

Edhe veten e baj fli,

Se për ty s’na dhimbset gjaku.

   

Dhashë ç’ka kisha ma të shtrenjtë

Fëmijë, mall dhe katandi,

Por e pësova me të padrejtë

Mbylla jetën në robni.

 

Dhashë Nailen e Kapllanin,

Bash në lulen e rinisë,

Nuk e shihnin dot vatanin,

Mbyt në gjak e mizori.

 

Asnjëherë të mos harroni,

Ju, o nipër edhe mbesa,

Cen, Naile dhe Kapllani,

Jeni Ju, jeni shpresa.

 

*Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP