Dy Nëna

 

Nga Edison Ypi/

Na ishin dy Nëna shqiptare. Njëra nga veriu, tjetra nga jugu. Të dyja fshatarka. Të dyja të urta. Të dyja të bukura. Të dyja të ëmbla. Por edhe të vrënjtura dhe të hidhura, dhe me rrudha. Ajo nga jugu ishte e thjeshtë nga jashtë, e jashtëzakonëshme nga brenda. Tjetra nga veriu, e jashtëzakonëshme nga jashtë, e thjeshtë nga brenda. Këto dy Nëna lindën secila në katundin e vet. Ku, pa kërthiza përjashta, pa rroba të shtrenjta, pa parukerira, dëgjuan përralla me perrira që krihen mbi ujëra si pasqyra, zana të bardha që dalldisin trima, zojusha të bukura si drita që presin në dritare princin e kaltër të kthehet nga lufta, kuçedra që thajnë çezma, vampirë që vijnë natën fikin kandilin, magjistarë që në çast të shndrrojnë në gur.
Kur u rritën, dy Nënat, i lanë ëndërrat, nisën punërat. S’ngritën Ato grataçiela. Bënë punë më të vështira. Edukuan, uruan, bekuan, zbutën. Nga gojët e tyre s’dolën kurrë broçkulla. Vetëm mjaltra, vetëm melhemra që qetësojmë zemëra, që shërojnë shpirtëra. Dy nënat udhëtuan pa u ndalur e pa u lodhur; E para sa më thellë brënda vetes. E dyta sa më larg jashtë vetes. Të dyja, për mirën e të tjerëve.
E para nuk u martua. Por fëmijë pati shumë, miliona djem e vajza në të gjithë botën. Hallet e Saj ishin mbijetesa, lutja, nënështrimi, lëmosha. 
E dyta u martua dhe bëri katër fëmijë; dy djem dhe dy vajza. Dertet e Saj ishin krenaria, serioziteti, dinjiteti.
E para, Nënë Tereza, u shenjtërua.
E dyta, Hasia, nëna ime, do shenjtërohet.
Ah këto dy Nëna. Këto dy kreshta. Këto dy heshta. Këto dy drita.
O nëna ime. O Nënë Tereza. O të dyja.
Ju që e dinit se,
Gjëja më e kollajshme në këtë botë është të gabosh.
Pengesa më e vështirë për t’u përballuar është frika.
Rreziku më i madh është dekurajimi.
Dita më e bukur e Jetës është sot.
Çasti më i bukur i ditës është tani.
Ajo që më tepër na lipset është pajtimi.
Dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë tjetrit është falja.
Ilaçi çudibërës është guximi.
Gjëja më e bukur është Dashuria.
Forca që mposht gjithçka është besimi;
A e dini se të këqinjtë e përrallave, bajlozat e zinj me topuza, shtrigat që thajnë krojet, vampirët që fikin kandilët, magjistarët që të ngurtësojnë në çast, kishin qënë të vërtetë dhe tani kanë dalë sheshit ?
Ngrihuni o Nëna me rrudha. Ngjalluni o të vdekura. Ejani o të zeza. Mirardhçi o Nëna.

SHKARKO APP