Dy rreziqet e prishjes së Shengenit për shqiptarët
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 20:01
Nga Lavdrim Lita –
Një nga rreziqet më të mëdha të projektit europian në Shqipëri është rivendosja e vizave dhe kontrollit në kufijtë e vendeve të BE-së. Pa lëvizjen e lirë të njerëzve, një prej katër lirive themelore të BE, projekti do të merrte një goditje fatale. Në këto dy ditë në kryeqytetin e Hollandës, Amsterdam, po bisedohet për të rikthyer kontrollet në kufij.
Disa vende i kanë kërkuar komisionit Europian, organi i vetëm që mund të marrë një iniciativë ligjore, për të shtyrë afatin 6 muaj që parashikon marrëveshja e Shengen për një vend që të rikthejë kontrollet në kufi. Deri më sot janë 6 vende (Norvegji, Gjermani,Francë, Austri,Danimarkë dhe Suedi) që kanë rikthyer përkohësisht kontrollet në kufi për të frenuar ardhjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika ose për të ndaluar infiltrimin terrorist në kryeqytetet e tyre. Sipas Kodit të Shengen është mundur të rivendosen kontrollet në kufi vetëm për 6 muaj, jo më shumë. Ndryshimi i nga 6 muaj në 24 muaj mund të bëhet vetëm me maxhorancë të kualifikuar në Këshillin europian, pra, nga 2/3 e antarëve ose 255 nga 345 vota gjithsej.
Shumë analistë mendojnë që zhurma që po bëhet këto ditë është dërgimi i një mesazhi Greqisë që të forcojë kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE-së. Kjo përforcohet edhe nga një ide që qarkullon së fundmi për të bërë një mini-Shengen për të lënë jashtë Greqinë, e ndoshta Italinë.
Padyshim. Rreziku numër 1. është grisja copë pas copë të marrëveshjes së Shengen, që garanton lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve. Dhe të flasësh më pas për projektin europian në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni do të bëhet më e vështirë. Lëvizja e lirë pa viza për shqiptarët është arritja më e prekshme e Bashkimit Europian. E njëjta gjë vlen për maqedonasit. Ndërsa shqiptarët e Kosovës do të jenë objektiv i lehtë radikalizimi e nacionalizimi duke parë rritjen e shumëfishtë të frustrimeve dhe apatinë ekonomike. Rreziku numër 2. është që fluksi i refugjatëve që kalon përmes Ballkanit për të mbërritur në vendet e BE-së mund të prekë rëndë Shqipërinë, e cila është e papërgatitur të mbajë një barrë kaq të rëndë, në një moment krize ekonomike. Mikpritja shqiptare për refugjatët nuk është e garantuar siç thonë optimistët duke paraqitur rastin e luftës së Kosovës. Me shqiptarët e Kosovës na lidhte gjaku dhe mbyllej sadopak goja, ndërsa me sirianët dhe refugjatët e tjerë nuk i lidh asgjë shqiptarët, përpos të qenit njeri.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.