Dy shkolla të reja dhe një kopsht në Yzberisht, Ristani: Standardet më të larta të arsimit në çdo cep të Tiranës

Rreth 1500 nxënës dhe 150 të vegjël do të përfitojnë nga kompleksi i ri arsimor që po ndërtohet në zonën e Yzberishtit, në rrugën “3 Dëshmorët”, ku po ngrihet një shkollë 9-vjeçare, një shkollë e mesme dhe një kopsht i integruar me hyrje të veçantë. Projekti pritet të përfundojë në shtator të vitit 2027 dhe synon t’i japë zgjidhje mungesës së infrastrukturës arsimore në një nga zonat me rritjen më të shpejtë në kryeqytet.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se ky investim plotëson një kërkesë të hershme të banorëve.
“Jemi në një kantier shumë të madh këtu në zonën e Yzberishtit, ku bëhet fjalë për ndërtimin e tre objekteve arsimore, në një territor të përbashkët. Është shkolla e mesme e cila do të ketë kapacitet për 600 nxënës, shkolla 9-vjeçare për 900 nxënës dhe pastaj kemi edhe kopshtin i cili është i integruar si ndërtesë, por patjetër ka hyrje të veçantë për 144 fëmijë. Kjo zonë ka qenë një ndër ato zona ku kërkesa për objekte arsimore, kërkesa për infrastrukturë ka qenë ndër më të lartat në kryeqytet. Duke qenë një zonë e cila është shtuar në popullatë, dendësuar me ritme shumë të shpejta, mundësia për të bërë infrastrukturë arsimore ka qenë shumë e kufizuar për nga territori”, tha ajo.
Ristani nënvizoi se falë këtij investimi, të rinjtë do të ketë jo vetëm kushte që plotësojnë të gjitha standardet për zhvillimin e mësimit, por edhe hapësira rekreative. “Jemi munduar të shfrytëzojmë çdo hapësirë të përbashkët, që këto kushte të jenë sa më të përshtatshme për zhvillimin nga të gjithë pikëpamjet të nxënësve. Të ketë edhe hapësira rekreative, edhe hapësira sportive dhe patjetër edhe ato didaktike. Kjo sipërmarrje është shumë e madhe, por me këto ritme të punës, mendojmë që do të mbyllim punimet brenda afatit për vitin shkollor të ardhshëm, pra shtator 2027, duke lehtësuar jo vetëm trafikun, jo vetëm mundimin e çdo familje për t’i shoqëruar fëmijët në shkolla shumë më të largëta, se sa territori ku ata banojnë, por duke ofruar standardet më të larta të arsimit, në çdo cep të Tiranës, qofshin ata banorë të Yzberishtit apo të qendrës”, theksoi kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Shkolla 9 vjeçare dhe ajo e mesme do të jenë të pajisura me laboratorë kimie, bilogjie,fizike, informatike, mjedise sportive, bibliotekë dhe hapësira të tjera ndihmëse. Ndërkaq, kopshti që do të jetë i integruar, do të ketë 6 klasa, zyra për psikolog, infermieri, kuzhinë si dhe mjediset ndihmëse.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?