Dy shokë klase
Nga Ilir Levonja
Dy shokë klase, nga Ottawa, djem të Universitetit Carleston, Kanada. Jae Deen dhe Karter Zaher, në janar të këtij viti, nisën një projekt pas shkollor. T'i përçonin njerëzimit mesazhe të gëzueshme. Këtë përmes pasionit të tyre, që është muzika rep. Sinonim i moshës djelmore në mbarë globin. Veçse prirja e tyre iu dedikua botës myslimane. Ndofta për faktin se sot, besimi mysliman është më shumë se asnjëherë tjetër në një periudhë gjykimi, mallkimi, përçudnimi dhe ftohje me shpirtin njerëzor.
Ata po identifikohen kudo nëpër botë si njerëz të xhihadizmit, Al Qaedas, Hamasi, Isis-it etj. Qytetari perëndimor ka frikë të rrijë pranë atij njeriu, që për së pari, qoftë edhe nga një mjekërr e gjatë. Nga veshja,kefie në kokë apo tab, ajo roba e gjatë e bardhë që tregon se nga vjen. Ka frikë pasi mendon se nën atë mund të ketë dinamit. Mund të ketë bomba me kurdisje, a ku di tjetër se çfarë.
Këngët e djemve nga Ottawa si, ''Shkoj në xhami çdo të premte'' ''Më prit Mekë'' ''Nuk jam terrorist'' ''Burri mysliman'' ''Brenda Teqes'' etj. Janë bërë sot hite të suportuara nga gjigandëd e produksionit botëror, si ai britanik BBC dhe ai kanadez CBC.
Mirëpo krahas suksesit, aktiviteti virtual i tyre. Edhe pse me mesazhe të thekshme, për çfarë është në të vërtetë njeriu mysliman. Çfarë është terroristi…, çfarë është mallkimi dhe përçmimi që i bëjnë të tjerët Islamit. Prapë ka nëmje të tipit muzika juaj është haram në vëndet tona myslimane.
E thënë shkurt, sot, thuajse e gjitha bota islame është në një krizë të ekzistencës së besimit. Lufta e ashpër midis të indinjuarve dhe të atyre që vrasin në publik, në emër të Allahut, e dëshmon më së miri këtë. Shto edhe indinjatën botërore, solidaritetin në masivitet, mallkimin. Dashur pa dashur kanë ngritur konturet e plotë të një krize besimi. Nga ata që vërtet Allahun e shikojnë si paqe shpirtërore. Përballë atyre që e përdorin si mjet frymëzues për vepra terroriste. Duam apo nuk duam ne, koha e kryqëzatave është prezente. përmes tritolit, panikut dhe xhihadit. Ndofta jo me fronte taboresh.por me vatra zjarri gjithandej. Dhe më së pari fajin e kanë vetë besimtarët myslimanë. Sot të bisedosh me një sheet, apo me një sunit. E kupton shumë shpejt se përse ndodhin të gjitha këto. Në mes është një urretje e madhe. Paragjykimi se kush dhe qysh e posedon Allahun apo veprën e tij.
Dy shokët e klasës së Ottawës duhet të shpikeshin në Damask, Bejrut, Riad, Teheran, Kajro, Bagdat, Tripoli, Kabul, Jerusalem etj. Jo në Kanadanë e skajshme. Por koha i mban çuditërisht larg fenomet. Kjo thjesht edhe për shkak të nështrimit, dorëzimit…, që një shoqëri ia imponon vetvetes.
Këtë dukuri e shoh të ndodhi edhe në Shqipërinë tonë. Ka një ngucje të futjes së islamit radikal.
Qoftë përmes veshjes, mjekrave. Aq sa një besimtar shqiptar, më shumë i pëlqen të duket arab se sa shqiptar mysliman.
A do ia dalin shokët e klasës të fusin në rrugën e duhur shoqërinë islame? Kjo është një pyetje që nuk i dihet fundi. Të paktën përpjekja e tyre është sa njerëzore, aq dhe bukur, aq dhe e artë.