E deleguara e Amerikës, Nancy VanHorn pritet nga ministrja Evis Sala. Në fokus inovacioni në shëndetësi
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, u takua me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala për të diskutuar mbi mënyrat se si inovacioni dhe transparenca mund të transformojnë sistemin shëndetësor.
Gjatë takimit palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit që kompanitë farmaceutike dhe teknologjia amerikane mund të luajnë në modernizimin e shëndetit publik, duke sjellë zgjidhje më efikase, të sigurta dhe transparente.
Ministrja Sala vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën amerikane, duke nënvizuar se inovacioni teknologjik është kyç për rritjen e aksesit dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë. Nga ana e saj, VanHorn riafirmoi angazhimin e SHBA-së për të mbështetur reformat që forcojnë sistemin shëndetësor dhe mirëqenien sociale.
”Në takimin e tyre të parë zyrtar, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala diskutuan se si inovacioni dhe transparenca mund të transformojnë kujdesin shëndetësor. Ato shqyrtuan se si kompanitë farmaceutike dhe teknologjia amerikane mund të përmirësojnë ofrimin dhe cilësinë e shërbimeve të shëndetit publik për të gjithë”,-informon Ambasada e Amerikës.
KOHA JONË SONDAZH

