E djathta, dje nderime edhe Pavarësisë edhe Dëshmorëve

kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është përulur dhe ka vendosur lule tek busti i Ismail Qemalit, atit të Pavarësisë, siç ai e cilësoi. Kështu, ai zgjodhi ta nderojë atë tamam në orën kur ngriti flamurin në Vlorë para 102 vitesh. Duke theksuar mes të tjerash se vepra e Ismail Bej Vlorës është frymëzim dhe kurajo për çdo shqiptar, për të vijuar rrugëtimin drejt ribashkimit politik me Europën. “Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana e bëri realitet praninë e përhershme e të përjetshme të Ismail Qemalit, shpallësit të pavarësisë. Është sot nderi im, në emër të kryeqytetit që së bashku me qindra qytetarë të Tiranës, në orën që përkon me orën e shpalljes së Pavarësisë 102 vjet më parë, të përkulemi sërish, ashtu si vjet, ashtu si në 100-vjetorin e Pavarësisë, para atit të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës. I paharruar qoftë kujtimi i tij dhe i patriotëve të tjerë që ngritën lart flamurin e Skënderbeut”, – u shpreh Basha. Ndërsa po në të njëjtën ditë nuk harroi të nderojë me homazhe të posaçme edhe të rënët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e duke i qëndruar kësisoj stoik devizës së forcës politike që ai përfaqëson se dita e çlirimit të atdheut është e njëjtë me atë të pavarësisë, pikërisht 28 Nëntori. Kështu, në praninë edhe të ish-kryedemokratit Sali Berisha dhe deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike, kreu aktual i kësaj force politike u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara dëshmorëve të rënë për atdheun që prehen në varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Sipas tij, shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë. “Gëzuar këtë ditë të madhe të lirisë, sakrificës. Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve. Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre. Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot”, – deklaroi Basha.

SHKARKO APP