E kujt është Kumanova?
Bedri Islami
Të gjithë ata që mund të kenë menduar se pas sinjalizimeve të para të radikalizimit të gjendjes në Maqedoni, do të kishte një paqe të përkohshme asgjë më tepër, tani, kur para tyre shtrihet në përmasa të ashpra fillesa e një tragjedie, duhet të ndjejnë shqetësimin për vetë atë që ndodhi, edhe më shumë se kaq.
Janë disa të vërteta të shfaqura dhe disa enigma të cilat mund të paraqesin një pjesë të tabllos, por jo krejt tabllon, e cila, ashtu si erdhi, me përgjakje, shkatërrime, vrasje, djegie të pazakonta, përsëri dhunë të skajshme, shpeshherë të pa adresuar do të duan kohën e tyre për t’u shfaqur të plota.
E vërteta e parë është e hidhur, sepse u takon politikës shqiptare në Maqedoni, dhe sidomos heshtjes së tyre, e cila zgjati shumë më tepër nga sa mund të ishte menduar.
Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është heshtja ose belbëzimi i politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Nuk duhet harruar se pikërisht ajo zonë, e cila shpesh herë u konsiderua si Drenica e shqiptarëve të atjeshëm, ku për më tepër kishte jetuar njëri ndër heronjtë e luftës në Kosovë, Ismet Jashari, i njohur si komandant Kumanova, nuk ka qenë kurrë një trevë ku njerëzit, sidomos në lagjen e Trimave, të kenë shfaqur fobi ndaj pjesës tjetër të popullsisë jo shqiptare. Ajo që ndodhi në dy ditët e fundit, më shumë se sa një përleshje mes guerrilasve, të cilët, si e kam thënë në një shkrim tjetër, më shumë se sa vizion politik, mund të kenë zhgënjim njerëzor dhe strukturave policore e ushtarake maqedonase, i ngjante një hakmarrje të ruajtur thellë në pushtetin maqedon, në këtë zonë, e cila ishte zona e parë e çliruar pas 14 viteve. Ndoshta ky do të duhej të ishte shkaku i parë i reagimit politik, njerëzor e humani klasës politike shqiptare.
E pakta që ata mund të bëjnë është kërkimi sqarimit për dhunën e pakontrolluar në Kumanovë.
Sqarime për numrin e civilëve të vrarë e të plagosur. Cili prej tyre ishte guerillas, dhe cilët ishin qytetarë të zakonshëm; çfarë fshihet pas gjithë kësaj përpjekje politike, për të mveshur gjithçka me luftën kundër terrorizmit, kur vetë pushteti maqedon është përballë akuzave serioze për akte terroriste.
Enigma e parë: kush përfiton nga këto ngjarje? Është e vështirë të mendosh se tani për tani të fituar do të jenë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Ndoshta më vonë, pasi të ketë renë delli nacionalist i shefit të qeverisë, Gruevski, pra, pasi është përdorur kërbaçi, të hidhen edhe copëra kulaçi, si për shembull pjesë të marrëveshjes së Ohrit të aktualizohen për t’u harruar përsëri, pra, shumë më vonë dhe gjysma-gjysma, shqiptarët mund të kenë ndonjë përfitim politik nga ajo që ndodhi përgjakshëm, por tani për tani aty ka vetëm një fitues, qeveria maqedonase, e cila, jo vetëm e dinte prej më shumë se një viti se kishte një krah që mund të rebelohej, dhe këto mund të mbështeteshin nga nga disa emra të kohëssë shkuar nga Kosova, përsëri gjeti këtë moment për të goditur.
Qeveria e Gruevskit, jo vetëm e ka ditur se çfarë po ndodhte, por edhe e ka lejuar qëllimisht rritjen e saj dhe, përmes figurave politike shqiptare në opozitë, e ka nxitur, me qëllimin e shpërthimit të saj si të një minë me sahat: në kohën e duhur, kur asaj i është dashur dhe në vendin që i është dashur.
Gruevski, njëri ndër politikanët më tipik nacionalist ballkanik, i cili gjatë gjithë karrierës së tij politike, në pushtet ose jo, i ka qëndruar linjës së tij të konfliktit të ashpër, kishte momentin e tij më të keq politik, dhe për të dalë nga bataku e kishte të domosdoshme një lëvizje të ashpër kundër tij, për të justifikuar dhunën politike, korrupsionin e pazakontë, dhunimin e lirisë së shtypit, vrasjet mafioze.
Për të dalë nga bataku ai përdori mjeshtërisht entuziazmin e pakontrolluar të disa njerëzve të zhgënjyer nga pritja, e solli lëvizjen e tyre në cakun e duhur dhe bëri goditjen që e kishte menduar prej kohësh. Pamjet në Kumanovë ishin të denja për një film horror nga lufta, por, ajo që ishte pas perdeve, loja e rëndë me jetën e njerëzve, ishte fillimi i një paragrafi të ri ndëretnik, që nuk zbut, por ashpërson konfliktin, edhe ashtu i acaruar.
Numri i të vrarëve, qoftë nga njerëzit e armatosur, qoftë nga civilët e zakonshëm, ende nuk dihet. Gjithçka në Maqedoni flet për eskalim të konfliktit, por edhe për problem që lidhet me të ardhmen e figurave lideriste shqiptare në Maqedoni. Asnjëri prej tyre nuk mori rrugën drejt qendrës së konfliktit, kur duhej të ishin aty shumë më përpara se lideri i opozitës maqedonase, të cilët ishin në pushtet në kohën e luftës dhe atë që nuk e bënë vetë, e bënë me mercenarët ukrainas, pra, vranë e dogjën ashtu si qeveria e sotme. Liderët shqiptarë nuk shkuan atje, pasi, Ali Ahmeti, i cili, në zgjedhjet e para në Kumanovë mori thuajse 100 të votave të shqiptarëve, jo rastësisht u vendos në qendrën e shënjestrës së kësaj lëvizje të armatosur hibride, të cilët i filluan aksionet duke e goditur selinë e tij dhe duke anatemuar figurën e tij politike. Klanit nacionalist në politikën maqedonase u intereson jashtëzakonisht që klasa politike shqiptare të mos ketë më asnjë kredibilitet në jetën e shqiptarëve dhe për këtë ata janë të gatshëm për gjithçka. Ka më shumë se 22 vite që e njoh nga afër Ali Ahmetin dhe kemi bërë bashkë pjesë në udhëheqjen e organizatës që themeloi dhe drejtoi UÇK-në, dhe jam i bindur se ai nuk shkoi në Kumanovë, jo se kishte droje, por sepse e ndjen se mes tij dhe njerëzve atje është krijuar një ndasi, e cila, sado e vogël qoftë, është e shumëpritur në politikën maqedonase.
Menduh Thaçi nuk kishte pse të shkonte. Ai ka qenë më parë se gjithë të tjerët frymëzuesi i kësaj ngjarje dhe, tepër e mundur, njëri nga financuesit e saj. Tjetri ndodhet në Kosovë, dhe megjithëse tani për tani duhet të ndjehet i trazuar, pasi disa nga njerëzit e tij ndodhen të arrestuar, do të jetë e vështirë që ajo që ndodhi të përcillet në udhëheqjen e luftës në Kosovë, çka po synohet tani bashkërisht, nga Gruevski dhe fijet e tij në Kosovë.
Përgjakja e Kumanovës është një dëshmi se ajo që ka mbetur nga dhuna nacionaliste është e mjaftueshme për të hasmëruar dy popuj, por, edhe ajo që ka mbetur nga lëvizjet e pakoha politike shqiptare është, po ashtu,e mjaftueshme,përtë humbur në paqe atë që është fituar në luftë.
"Dita"