E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn takon Agron Shehajn
Në një moment të tensionuar mes qeverisë dhe SPAK-ut, të konsideruar si investimi më i madh amerikan në Shqipëri në fushën e drejtësisë, e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, u takua sot me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, një nga politikanët që është shprehur haptazi dhe vazhdimisht në mbështetje të SPAK-ut.
Në postimin zyrtar në Facebook, Ambasada Amerikane përdori një gjuhë diplomatike për të përshkruar takimin, duke theksuar se diskutimi ishte fokusuar te vizioni i Partisë Mundësia për të ardhmen e Shqipërisë dhe roli i opozitës në një demokraci funksionale.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për të dëgjuar vizionin e partisë së tij për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë. Biseda e tyre theksoi rolin thelbësor që luan një opozitë aktive në një demokraci të fortë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të punojë me udhëheqës nga i gjithë spektri politik për të çuar përpara sigurinë e të dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Megjithatë, përtej formulimeve standarde diplomatike, takimi merr një domethënie të veçantë politike për shkak të kontekstit në të cilin zhvillohet. Ai vjen në një periudhë përplasjesh të hapura mes qeverisë dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, institucion që gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kuadër, takimi i përfaqësueses së SHBA-së me Agron Shehajn, një nga zërat më të fortë publikë në mbështetje të drejtësisë së re dhe SPAK-ut, lexohet nga analistët si një sinjal politik domethënës, ku mesazhi i fotografisë mund të peshojë më shumë se çdo deklaratë zyrtare.
KOHA JONË SONDAZH

